Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është zgjedhur sot, më 26 gusht, kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Ai i mori 73 vota për, 30 dolën kundër tij, ndërsa tre deputetë abstenuan.
Zgjedhja e Bashës në këtë pozitë ka filluar të komentohet me të madhe dhe disa nga figurat publike e kanë konsideruar jo të duhur për të parin e Parlamentit.
Në karrigen që Basha sot u ul, në periudhën e parë legjislative 17.11.2001 – 23.11.2004 kryetar i Kuvendit ishte Nexhat Daci.
Daci ka qenë profesor që nga viti 1983 në Universitetin e Prishtinës, autor i katër teksteve universitare, nga viti 1995–2002 ishte Kryetar dhe Sekretar Gjeneral i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, po ashtu edhe Anëtar i Akademisë Evropiane për Ambient (Gjermani) dhe Anëtar i Shoqatës Kimike Amerikane.
Në periudhën e dytë legjislative 23.11.2004 – 12.12.2007, Kuvendin e ka udhëhequr Kolë Berisha.
Kurse periudha e tretë legjislative 13.12.2007 – 03.11.2010 ka pasur Jakup Krasniqin kryekuvendar, i cili ishte në këtë pozitë edhe në periudhën e katërt, 21.02.2011 – 07.05.2014, raporton Klankosova.tv
Kadri Veseli ka qenë kryetar i Parlamentit në periudhën e pestë dhe të gjashtë legjislativem konkretisht, nga 17.07.2014 deri më 10.05.2017, si dhe nga 03.08.2017 – 22.08.2019.
Ndërsa në legjislaturën e shtatë, ishin Glauk Konjufca dhe Vjosa Osmani – Sadriu.
Teksa në të tetën, nga 22.03.2021 – 22.03.2025, Glauk Konjufca ishte në këtë pozitë.
Derisa prej sot, Kosova e ka kryeparlamentar, Dimal Bashën.
Ai ka shërbyer si deputet për dy mandate dhe tashmë është zgjedhur për herë të tretë.
Ekspertët e medias e konsiderojnë ndër sulmuesit më të mëdhenj të gazetarëve dhe aktivistëve në Kosovë.
Për Bashën është raportuar shumë, e mes tjerash edhe diploma e tij me 1sha e 2sha, që u ‘rikthye’ ditëve të fundit, pasi LVV e prozoi herën e parë. /Klankosova