Afaristi Ragip Mustafa ka ngritur alarmin se pas 1 korrikut Kosova do të pësojë një çrregullim ekonomik si pasojë e liberalizimit të tregut energjetik. Mustafa tha për RTV21 se nga tregu i hapur energjetik do ta pësojnë më së shumti qytetarët në Kosovë të cilët pas 1 korrikut do të paguajnë çdo produkt më shtrenjtë se që është aktualisht.
“ Këtu nuk po tregohet se rritja nuk do të bëhet veç për bizneset sepse kjo rritje e çmimit të rrymës do t’i prekë të gjithë qytetarët, ata do të paguajnë shportën e konsumit shumë më shtrenjtë se që po paguajnë aktualisht. Çmimet veç se kanë fillu të rriten, si të vjen tash fatura e fundit shembull po e marr edhe në byfe këtu e ke pas një kafe 50 centë tash e paguan 1 euro, pas 1 korrikut rrezikon të shkojë deri në 3 euro e ku mbesin pastaj gjërat e tjera”, tha Mustafa.
Në kundërshtim të vendimit të ZRRE-së, odat ekonomike në Kosovë organizuan dy protesta por nuk pati reagim nga Qeveria në detyrë, përveç akuzave ndaj odave. Kryeministri në detyrë, Kurti kërcënoi bizneset se barrikadat nuk do të lejohen. Kryetari i Aleancës së Bizneseve, Agim Shahini, thotë se pavarësisht deklaratave qeveritare protestat nuk do të ndalen.
“Tashmë 2-3 biznese veç se janë mbyllë, pas 1 korrikut të gjitha bizneset do t’i pranojnë faturat 3 fish më të shtrenjta gjë që jo e vështirëson por e rrezikon seriozisht biznesin”, tha Shahini për rtv21
Liberalizimi i tregut energjetik është kërkesë e BE-së, ndërkohë vendet e ballkanit perëndimor ka kohë që e kanë bërë një tranzicion të tillë energjetik. Afaristi, Ragip Mustafa, kompania e të cilit ka investime në Shqipëri, foli për përvojën e tij atje, duke thënë se ai së bashku me afaristë të tjerë janë duke menduar seriozisht t’i largojnë investimet e tyre nga Kosova.
““Atje minimum 3 ose 4 vjet është i hapur tregu, por janë disa kompani minimumi 5 ose 6. Ndërsa këtu u kriju monopol dhe një kompani e vetme ta shet rrymën sa të donë. Unë në Shqipëri kam investu dhe do të investojë prape. Edhe tash pas konsultave me 5-6 kolegë deri tash vetëm se kemi fillu të tërhiqemi nga Kosova. Është e vështirë ka pengesa të mëdha edhe veç se i kemi nisë investimet tona në Shqipëri, Greqi, Gjermani.”, deklaroi Mustafa.
Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Safet Gërxhaliu, tha se liberalizimi i tregut energjetik po ndodhë në një kohë kur sektori privat ka nevojë më së shumti për ndihmën e shtetit.
“Kjo po ndodhë në një kohë kur kemi kriza të ndryshme ndërkombëtare, në një kohë kur çmimi i transportit të energjisë është më i lartë se vet energjia. Në një kohë kur shtetet fqinje po e përdorin diplomacionë ekonomike duke ofruar pako të ndryshme bizneseve tona:”:”:, tha Gërxhaliu për rtv21
Përveç vendimit për liberalizimin e tregut energjetik, pasojat e së cilit pritet të shihen pas 1 korrikut, bizneset në Kosovë vazhdojnë të ballafaqohen edhe me mungesën e fuqisë punëtore, veçanërisht pas liberalizimit të vizave.