Nga 1 gushti qytetarët s’mund të marrin certifikata të gjendjes civile pa adresë zyrtare - Gazeta Express
string(87) "nga-1-gushti-qytetaret-smund-te-marrin-certifikata-te-gjendjes-civile-pa-adrese-zyrtare"

Lajme

Gazeta Express

31/07/2025 19:40

Nga 1 gushti qytetarët s’mund të marrin certifikata të gjendjes civile pa adresë zyrtare

Lajme

Gazeta Express

31/07/2025 19:40

Nga data 1 gusht, asnjë qytetar i Kosovës nuk do të mund të pajiset me certifikata të gjendjes civile, qoftë nëpër komuna apo përmes platformës E-Kosova, nëse nuk e ka deklaruar adresën e tij zyrtare, raporton KosovaPress.

Sipas Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC), qytetarët e kanë obligim ligjor që ta deklarojnë adresën e tyre. Megjithatë, ende ka persona që nuk janë në dijeni për këtë kufizim.

Për ata që nuk kanë të caktuar numrin e adresës në objektet ku banojnë, është e nevojshme të paraqiten në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, për të ndjekur hapat e mëtejshëm dhe opsionet alternative.

Drejtori i ARC-së, Blerim Camaj, thekson se nga nesër (1 gusht), çdo qytetar që dëshiron të pajiset me ndonjë certifikatë të gjendjes civile, duhet fillimisht të plotësojë dhe dorëzojë një formular, e më pas të marrë dokumentin përkatës. Ky proces është i njëjtë edhe për kërkesat e bëra përmes E-Kosova.

Ai tregon se ende ka shumë qytetarë që nuk e kanë deklaruar adresën e tyre zyrtare, megjithëse deri tani këtë obligim e kanë përmbushur mbi 250 mijë persona.

Camaj bën të ditur se, në kuadër të projektit, në bashkëpunim me Agjencinë Kadastrale të Kosovës (AKK) dhe Agjencinë për Shoqërinë e Informacionit (ASHI), janë të obliguar të kufizojnë disa shërbime për qytetarët deri në momentin kur ata të deklarojnë adresën e tyre zyrtare.

Ndërkaq, Camaj tregon se ka alternativa për qytetarët që nuk e kanë numrin e adresës në objektin ku banojnë, porse duhet të lajmërohen në AKK. 

Drejtori i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Blerim Camaj thotë se qytetarët mund të bëjnë regjistrimin e lindjeve, martesave, vdekjeve e të tjera edhe pa e deklaruar adresën, porse nuk mund të pajisen me to.

Disa qytetarë tregojnë se kanë dëgjuar për këtë kufizim dhe tashmë kanë deklaruar adresën e tyre. Ndërsa, të tjera thonë se nuk kanë qenë në dijeni për këtë çështje./KosovaPress