New York Times ia publikon Trumpit kthimin e taksave, për një vit pagoi vetëm 750 dollarë - Gazeta Express

New York Times ia publikon Trumpit kthimin e taksave, për një vit pagoi vetëm 750 dollarë

Lajme

Gazeta Express

28/09/2020 8:19

Sipas një hulumtimi të gazetës së famshme amerikane, “The New York Times”, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka paguar vetëm 750 dollarë taksa federale në vitin kur është zgjedhur në pozitën më të lartë të shtetit.

“Taksat e Trumpit paraqesin humbje kronike dhe vite të shmangies nga taksat”, shkruan gazeta e njohur. Sipas këtij mediumi, kreu i Shtëpisë së Bardhë i ka paguar vetëm 750 dollarë si taksë federale në vitin kur i fitoi zgjedhjet dhe 750 dollarë tjerë gjatë vitit të parë në Shtëpinë e Bardhë.

“Ai nuk ka paguar fare taksa në të ardhura në dhjetë nga 15 vjetët e kaluar, kryesisht për shkak se ka raportuar shumë më shumë humbje të parave sesa fitim, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Kjo gazetë gjithashtu raportoi se presidenti amerikan ka borxh qindra miliona dollarë në asete të vlefshme, por nuk tregohet pasuria e tij e vërtetë apo ndonjë lidhje e mëparshme me Rusinë.

Gazeta tha se nuk do t’i publikojë dokumentet që i ka me qëllim të mbrojtjes së burimit të vet.

Ndaj këtij shkrimi reagoi presidenti Trump, i cili tha se e tëra është lajm i rremë. “Tërësisht lajm i rremë. Në fakt unë pagova taksa dhe ju do ta shihni këtë posa të kthehen taksat, janë nën auditim, kanë qenë nën auditim për një kohë të gjatë”, tha ai.

Sidoqoftë, gazeta premtoi se gjatë javëve të ardhshme do të publikojë më shumë shkrime në lidhje me këtë çështje, duke shkruar: “Kthimi i taksave për të cilat z.Trump ka luftuar për një kohë të gjatë që t’i mbajë sekrete tregojnë një rrëfim që në mënyrë thelbësore është tjetër nga ai që ai ia ka treguar publikut amerikan”.

Presidenti Trump për një kohë të gjatë u ka rezistuar kërkesave nga kundërshtarët politikë dhe mediet që t’i publikojë të dhënat rreth taksave për vitet e kaluara. Ai është presidenti i parë amerikan që nga vitet e shtatëdhjeta që e mban të fshehtë kthimin e taksave.