Nevoja për "Memento Mori" në politikën shqiptare - Gazeta Express
string(46) "nevoja-per-memento-mori-ne-politiken-shqiptare"

Nevoja për “Memento Mori” në politikën shqiptare

OP/ED

Gazeta Express

09/05/2024 15:52

Shkruan: Adri Nurellari

Kriminalizimi i kastës politikës shqiptare dhe skandalet e shumta e të rënda të korrupsionit që po dalin, mund të shpjegohen vetëm me dehjen e tepërt nga pushteti dhe mungesën totale të vetëdijes për rekomandimin e lashtë “Memento Mori”. Thënë ndryshe, pakujdesia, lehtësia apo moskokëçarja me të cilën i kanë bërë abuzimet e pushtetit nuk dëshmon për liderë normalë. Kjo shprehje e famshme stoike njihet prej mijëra vjetësh në historinë e njerëzimit si një përpjekje për të parandaluar delirin madhështisë së politikanëve. Koncepti “Memento Mori” e ka origjinën në Romën antike dhe prej asokohe përdoret si një moto për të kultivuar modestinë e udhëheqësve dhe heronjve triumfues. Gjatë parakalimeve triumfale, romakët vendosnin pranë gjeneralit fitimtar një skllav (auriga), i cili kishte për detyrë që të mbante sipër kokës së tij kurorën e dafinës si simbol i lavdisë, por njëherazi t’i pëshpëriste në vesh frazën “Memento Mori” (kujtohu që je vdekatar). Kuptohet që kjo shprehje për pashmangshmërinë e vdekjes nuk kishte për qëllim glorifikimin e saj, por ishte një thirrje për përulësi dhe njerëzillëk në kushtet kur adhurimi i popullit në rrugë mund të nxisnin një krenari e vetëbesim të papërmbajtur. Vetëdija për rrezikun e dehjes prej pushtetit në perëndim ka bërë që koncepti romak “Memento Mori” të evoluojë në krijimin e njërës prej normave informale më të rëndësishme të demokracive të zhvilluara, asaj të vetëpërmbajtjes që në anglisht quhet forbearance. Ky term nënkupton se politikanët ushtrojnë pushtetin me përgjegjësi, vetëkontroll të fortë, kujdes, durim e tolerancë duke ndjekur parimin e formuluar bukur dikur nga Churchill: “Aty ku ka shumë pushtet, duhet të ketë edhe shumë përgjegjësi”. Vetëpërmbajtja në kontekstin politik nuk ka të bëjë thjesht me mosshkeljen e ligjeve, por me mosushtrimin e një të drejte ligjore për hir të ruajtjes së ekuilibrave delikatë të demokracisë. Kërkon që liderët politikë të respektojnë jo vetëm shkronjën e ligjit, por edhe frymën e tij. Me pak fjalë, ky parim kërkon një përdorim sa më të moderuar e të përgjegjshëm të pushtetit. Në politikë, kjo do të thotë të mos përdorësh prerogativat e tua institucionale deri në fund (edhe nëse është ligjërisht e lejuar) pasi kështu parandalohet rrëshqitja e një sistemi politik nga demokracia në autokraci.

Lexo Edhe:

Duhet thënë se, megalomania e pushtetit, pra “fluturimi me presh airlines”, humbja e ndjenjës së masës, apo shkëputja nga realiteti, nuk janë fenomene të kufizuara vetëm te politikanët shqiptarë. Edhe në Perëndim ka raste liderësh të njohur të politikës perëndimore si për shembull, Richard Nixon, Silvio Berlusconi, Nicolas Sarkozy apo Boris Johnson, të cilët kanë rënë pre e dehjes së pushtetit dhe për shkak të vetëbesimit të skajshëm, ndërmorën veprime që njollosën apo përfunduan para kohe karrierat e tyre të lavdishme politike. Megjithatë, këto mbeten raste sporadike të izoluara, sepse shoqëritë përkatëse të zhvilluara kanë antidotë të fuqishëm ligjorë dhe kulturorë për mbrojtjen e demokracive nga tiranët. Ne Perëndim, ato janë raste përjashtuese, ndërsa tek ne janë bërë rregulli. Brenda kontinentit evropian, rasti i Shqipërisë me përmasat e tejskajshme të abuzimit me pushtetin është i krahasueshëm vetëm me kalbëzimin e disa ish-republikave sovjetike.

Prej kohës së Ramiz Alisë, Shqipëria nuk ka pasur kurrë përqendrim më të madh të pushtetit politik në një dorë sesa gjatë legjislaturës së kaluar. Për shkak edhe të papjekurisë e papërgjegjshmërisë së opozitës, që abdikoi nga roli i vet, Partia Socialiste rikthehu tiparet e kaluara të një partie-shtet, duke ushtruar kontroll të plotë në gjithë pushtetin vendor dhe në Parlament. Bojkoti absurd që opozita i bëri pushtetit vendor dhe parlamentarizmit u përkeqësua akoma më shumë nga procesi i zvarritur i reformës në drejtësi. Kjo i la qeveritarët edhe pa vigjilencën e ligjit përveçse pa kontrollin dhe kundërpeshën e opozitës. Për një kohë, Shqipëria u bë vendi i parë në Evropë pa një Gjykatë të Lartë, pa një Gjykatë Kushtetuese, pa prokuror të përgjithshëm. Prokurorët dhe gjykatësit ishin tepër të zënë me proceset e mbijetesës së tyre në sistem gjatë procesit të vetingut dhe nuk kishin terezi të merreshin me hetime korrupsioni shtetëror, duke bërë që drejtësia të paralizohej në vend.

Ky kontekst (i paprecedentë për një vend normal demokratik) e shndërroi Shqipërinë në një tokë shumë fertile për të mbjellë e hedhur rrënjë disa nga format më harbute e flagrante të korrupsionit, sikurse janë aferat që po zbulohen sot dita-ditës prej SPAK-ut. Mungesa institucionale e opozitës dhe disfunksionalizimi i përkohshëm i drejtësisë, ushqeu iluzionin e paprekshmërisë te qeveritarët e të gjitha niveleve dhe u interpretua si dritë e gjelbër për të thyer rekorde të abuzivizmit me pushtetin. Me sa mund të kuptohet në retrospektivë, qeveritarët kanë nisur të vjedhin nga pak nga thesi i taksapaguesve, me lugë të vockla kafeje për mos të rënë hiç në sy. Mirëpo kur e panë që nuk iu hyri asnjë gjemb në këmbë, sepse kishte roje as nga opozita, as nga drejtësia, ata vazhduan me lugë gjelle, garuzhde e për të kulmuar me zbrazjen e një pjesë të mirë të thesit të buxhetit të shtetit për të mbushur xhepat e vetë. Me sa duket, përjetimi i pandëshkueshmërisë krijoi tek ta iluzionin e të qenurit përjetësisht të paprekshëm apo sipër ligjit. Për rrjedhojë, ua fiku sensorët e brendshëm të frikës, vetëpërmbajtjes apo sensit të masës.

Funksionalizimi i SPAK-ut dhe avancimi i hetimeve ndërkombëtare ndaj krimit shqiptar (lehtësuar falë deshifrimit të kriptofonëve Sky ECC dhe EncroChat), kanë bërë që pushtetarëve t’iu dalë dehja e pushtetit dhe të fillojnë të ballafaqohen seriozisht me pasojat e periudhës së lavdishme kur ishin në ajër. Në një farë mënyre janë duke kuptuar domethënien e mallkimit shkodran “të hyptë vetja në qejf”. Ndërkohë që qeveritaret ndihen mahmur pas dehjes së pushtetit, qytetarët ende po fërkojnë sytë me habi kur zbulojnë format dhe nivelet që kishte arritur korrupsioni shtetëror gjatë kohës kur vëmendja e tyre ishte përqendruar te telenovela e përplasjeve brenda PD-së.

Mirëpo pas përfundimit të “cunamit të drejtësisë”, që pritet ta shkundë me rrënjë elitën e atrofizuar politike shqiptare, ne si shoqëri do të duhet të reflektojmë e të nxjerrim mësime nga këto pësime, për ndërtuar institucione të reja të qëndrueshme të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Kjo do të thotë që na duhet të ndryshojmë edhe kulturën e duhur politike, përveçse na duhet të investojmë më shumë në institucione të forta të drejtësisë dhe të ndërtojmë parti opozitare efikase dhe të përgjegjshme. Nëse duam të krijojmë një shoqëri më të drejtë nuk duhet të mjaftohemi vetëm me opozitën funksionale dhe gjyqësorin rigoroz, por duhet edhe të kultivojmë normën morale për vetëpërmbajtje, modesti e tolerancë.

Prandaj është shumë e rëndësishme që të luftojmë prirjet për kult individi për çdo figurë politike, sapo të manifestohen simptomat e para të kësaj sëmundje megalomanie tek ta. Nuk duhet të presim që të shkelen ligjet me të dyja këmbët apo “shpërthejnë pusetat e ujërave të zeza” sikurse po ndodh tani, por duhet të jemi më të vëmendshëm që kur dalin shenjat e para që tregojnë mungesë të vetëkontrollit dhe modestisë në veprimet e tyre. Duhet të alarmohemi që kur liderët politikë shfrytëzojnë atë hapësirën ligjore apo institucionale që kanë për të përforcuar pozitat e tyre ose për të goditur kundërshtarët. Arroganca nuk duhet të trajtohet me indiferencë si një gabim personal, cen karakteri apo devijim personaliteti por si një sinjal i tendencës autoritare për ta shfrytëzuar postin në mënyrë të pandershme e abuzive.

Nga ana tjetër, edhe ata që kanë aspirata për karrierë politike, duhet ta ngulisin mirë në mendje këtë leksion për vetëpërmbajtje e të mos e trajtojnë dehjen e pushtetit si shaka. Sikurse po shihet me protagonistët politikë që janë vënë në shënjestër prej SPAK-ut, është shumë e lehtë të përfundosh “nga hero në zero”. Në pamundësi për t’u shoqëruar një “aurigë” si romakët që t’ua tërheqin vëmendjen për të mos rrëshqitur në delir, liderët potencialë të ardhshëm duhet ta përbrendojnë vetëpërmbajtjen si zakon personal. Duhet që ta detyrojnë veten që të qëndrojnë gjithmonë me këmbë në tokë, sepse historia po ritregon se “sa më lart të ngjitesh, aq më thellë bie në rrëpirë dhe aq shumë dëmtohesh kur bie”.