Neueri bën thirrje për kujdes: Reali di si të përmbysë këto rezultate - Gazeta Express
string(68) "neueri-ben-thirrje-per-kujdes-reali-di-si-te-permbyse-keto-rezultate"

Sport

Gazeta Express

14/04/2026 17:30

Neueri bën thirrje për kujdes: Reali di si të përmbysë këto rezultate

Sport

Gazeta Express

14/04/2026 17:30

Bayern Munichu do t’i bëjë konak nesër (e mërkurë, 15 prill) Real Madridit në “Allianz Arena”.

Kjo përballje do të luhet në kuadër të ndeshjes së kthimit të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve.

Ndeshjen e parë e fitoi Bayerni, e cila u luajt në “Bernabeu”, me shifrat prej 2-1.

Për ndeshjen e javës së kaluar, atë të së nesërmes dhe përballjen me Vinicius Jr e Kylian Mbappe, në konferencë për shtyp ka folur portieri i Bayernit, Manuel Neuer.

Manuel Neuer u pyet rreth situatës momentale të Real Madridit, i cili me një eliminim nesër, do të mbetet pa asnjë trofe, për sezonin e dytë radhazi.

“Ne e dimë si është ndjesia kur kalon një sezon pa fituar trofe. Është e vështirë dhe e rëndë, sidomos për një klub si Real Madridi. E kemi përjetuar vetë këtë. Kur je me shpinë pas murit, mund të bësh gjëra të jashtëzakonshme – por nuk dua të vendos veten shumë në vendin e Realit, dua të fokusohem te ne. Jemi në formë të mirë, gjërat po shkojnë mirë, jemi në të gjitha garat dhe e kemi vetë në dorë fatin tonë. Kjo është një situatë ku ne jemi në kontroll”, tha ai fillimisht.

Se kur do të pensionohet, Neuer bën me dije se ende nuk ka marrë asnjë vendim.

“Sa më shpejt aq më mirë, do të doja të marr një vendim. Por nuk do ta lidh atë me trofetë. Idealisht do të doja t’i fitojmë të gjithë. Ende nuk kam vendosur personalisht, por nuk do të zgjasë shumë. Pastaj do të ketë bisedime me klubin”, tha ai tutje në konferencë.

Në vitin 2024, Reali e eliminoi Bayernin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pas një dygolëshi të Joselu Matos në ndeshjen e dytë në “Bernabeu”. Neueri thotë se e ka ‘harruar’ atë ndeshje tashmë.

“Skuadra aktuale është ndryshe; nuk ka të bëjë më me atë ndeshje. E dimë që gjithçka është e hapur, se çdo gjë mund të ndodhë. Por do të përpiqemi të japim maksimumin në shtëpi dhe të kalojmë më tej – ky është objektivi ynë”, bëri me dije ai.

Neueri u pyet edhe nëse e sheh vetën si portieri më i mirë në historinë e futbollit – ai e përmend edhe portierin e Realit, Thibaut Courtoisin.

“Kjo është e vështirë të thuhet, varet nga epoka për të cilën flasim. Ka shumë portierë të mëdhenj. Në dekadat e fundit janë të paktën dhjetë. Secili ka stilin e vet. Është për të ardhur keq që Thibaut Courtoisi mungon në një ndeshje të tillë. Por në të kaluarën kanë qenë edhe Peter Schmeicheli, Oliver Kahni, Iker Casillasi, Gianluigi Buffoni – dhe është edhe Courtoisi. Ka pasur padyshim portierë shumë, shumë të mirë. Të gjithë kanë meritat e tyre. Është e vështirë të thuhet kush është më i miri”, vazhdoi 40-vjeçari.

A do të ketë fuqi Bayerni ta fitojë Ligën e Kampionëve sivjet? Përgjigjet portieri i “Bavarezëve”.

“E dimë që këtë sezon shumë gjëra janë të mundshme, sidomos me energjinë që kemi. Themeli u vendos me Kupën e Botës për Klube. Ishte një fillim i rëndësishëm, që e vazhduam me Superkupën e Gjermanisë, pastaj gjithçka nisi shumë mirë dhe po zhvillohet më tej. Është viti i dytë nën drejtimin e Vincent Kompanys, kemi bërë progres – kjo ndihmon kur e kupton filozofinë, trajnerin, dhe energjia është në skuadër. Për mua, jemi padyshim në garë”, tha ai.

Më tutje, kapiteni i skuadrës u pyet edhe nëse është bërë gati edhe për penalltitë gjatë ndeshjes së nesërmë…

“Nuk mendoj se ka ndryshuar shumë që nga viti 2012; i njeh lojtarët kundërshtarë dhe mënyrën si i godasin penalltitë. Analiza bëhet paraprakisht, shikon kush i gjuan dhe si i gjuan. Por si portier duhet të zhvillosh ndjesinë tënde për atë që po ndodh në mendjen e lojtarit tjetër. Unë përpiqem të reagoj ndaj kësaj”, tha ai.

Neueri foli edhe për përballjen me dyshen e sulmit të Realit, Vinicius Jr dhe Kylian Mbappe.

“Nuk ka të bëjë me emrat, por me një ndeshje të rëndësishme të Ligës së Kampionëve për ne dhe për klubin. Po luajmë kundër Real Madridit. Nuk jam i fokusuar tek individët. Sigurisht që i kemi analizuar; kemi përvojën për të luajtur futbollin tonë më të mirë si ekip. Kjo do të jetë vendimtare nesër. Nëse funksionojmë si skuadër, jam shumë optimist se mund të arrijmë në gjysmëfinale”, u shpreh portieri gjerman.

Neueri bëri me dije se duhet pasur kujdes nga Reali, edhe pse Bayerni ka një epërsi të vogël.

“Avantazhi ynë është se kemi fituar ndeshjen e parë. Por është vetëm një gol; gjithçka mund të ndryshojë. Real Madridi është një kundërshtar i fortë dhe i vështirë. Por kemi një avantazh të lehtë. Dhe kemi avantazhin e tifozëve tanë fantastikë në ndeshje si kjo e nesërmja. Jemi në një pozicion të mirë, por nuk duhet ta mbivlerësojmë, sepse kemi parë në të kaluarën se si Reali di të përmbysë gjithçka. Megjithatë, jemi të sigurt”, përfundoi ai./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement