Për miliona përdorues në mbarë botën, Netflix ka qenë shërbimi kryesor i streaming. Por nga sot, nëse e shikoni zakonisht në PlayStation 3, ka lajme të këqija.
Netflix ka njoftuar se shërbimi i tij nuk do të funksionojë më në këtë konsolë të Sony-t. Përdoruesit e prekur duhet të kenë marrë një njoftim në pajisje:
“Fatkeqësisht, Netflix nuk do të jetë më i disponueshëm në këtë pajisje pas 2 marsit 2026. Vizitoni netflix.com/compatible-devices për të parë listën e pajisjeve të mbështetura.”
Lajmi ka shkaktuar zhgënjim në rrjetet sociale, me disa përdorues që e quajnë “fund të një epoke”. Njëri shkroi: “PS3 mbajti streaming dhe lojërat para se të bëheshin të modës, respekt për OG-në.” Një tjetër shtoi: “Netflix mbijetoi tre gjenerata konsolash dhe tha ‘jam i lodhur, shef’.”

PlayStation 3 u lançua në nëntor 2006 dhe u shit në mbi 87 milionë pajisje gjatë gjithë jetës së tij. Shumë përdorues në Reddit shprehën zhgënjimin e tyre:
“Netflix në PS3 ishte mënyra e vetme që mund të shihja Netflix me babanë tim, edhe pse jetojmë në vende të ndryshme.”
“Pa reklama dhe pa shërbime vendndodhjeje, PS3 ishte mënyra perfekte për të parë Netflix.”
Edhe smart TV-të më të vjetra se 10 vjet do të humbasin mbështetjen për Netflix, së bashku me disa set-top boxes, përfshirë BT TV Box (Z4) dhe BT TV Recordable Box (G4).
Nëse ende përdorni një PlayStation 3 ose një smart TV të vjetër, nuk ka nevojë të panikoni. Netflix mund të shikohet edhe në pajisje të tjera:
“Mund të shikoni Netflix në çdo smart TV, telefon, tablet, pajisje streaming ose konsolë loje që lidhet me internetin dhe ofron aplikacionin Netflix, ose në netflix.com duke përdorur kompjuterin,” shpjegon Netflix në faqen e ndihmës. /GazetaExpress/