Nesër, në orën 11:30, Komisioni Rregullator do të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Vendimi kërkon shumicë të thjeshtë dhe mjaftojnë votat e anëtarëve të propozuar nga PS për të certifikuar rezultatin përfundimtar.
Zgjedhjet e 11 majit i dhanë Edi Ramës dhe PS-së një mandat të 4-të qeverisës dhe një shumicë të fortë në Parlament me 83 deputetë; PD dhe aleatët e saj arritën të merrnin vetëm 50 deputetë, ndërkohë që PSD e Tom Doshit ruajti 3 mandatet e saj.
Partitë e reja në 11 maj arritën të merrnin 4 deputetë; 2 nga Partia e Agron Shehajt, një nga partia e drejtuar nga Arlind Qori që do të çojë në Kuvend si përfaqësues Redi Mucin, dhe Adriatik Lapaj do të çojë në Kuvend Ana Dajkon.
Sipas Kushtetutës, i takon Presidentit të Republikës të thërrasë mbledhjen e parë të Parlamentit të ri.
“Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati,” thotë ligji themeltar i shtetit.
Meqë Kuvendit aktual i mbaron mandati më datë 10 shtator, Presidenti Begaj mund të thërrasë Parlamentin e ri në një prej datave në periudhën nga 10 shtatori deri në 20 shtator.
Në prag të mbledhjes së Kuvendit të ri, dy partitë kryesore në vend kanë filluar përgatitjet për legjislaturën e re.
PS nuk pritet të ketë ndonjë zhvillim këtë javë, dhe Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë drejt Sllovenisë, ku do të marrë pjesë në Forumin e Bledit që zhvillohet në datat 1 dhe 2 shtator. Ashtu siç ka vepruar edhe herët e tjera, Kryeministri Edi Rama do të mbledhë Asamblenë Kombëtare për të shpallur Qeverinë Rama 4.
PD-ja javën e ardhshme do të mbledhë kryesinë dhe grupin parlamentar për të përcaktuar qëndrimin ndaj Parlamentit. Në mbledhjen e grupit do të ndahen edhe detyrat e deputetëve në komisionet parlamentare, dhe mbetet për t’u parë nëse Berisha do të nisë betejën në Kuvend me ekipin e vjetër, apo do të vendosë të bëjë disa ndryshime.