Mediat ruse kanë raportuar se takimi i dytë mes përfaqësuesve ukrainas dhe rusë, do të mbahet nesër. Por, sipas asaj që shkruan CNN, takimi duhet të konfirmohet edhe nga pala ukrainase.
Agjencia ruse e lajmeve TASS, ka cituar sot një burim të afërt me palën ruse, që thotë se e mërkura e 2 marsit, është data për të cilën të dyja palët janë dakorduar për takimin e dytë.
Po ashtu, edhe agjencia tjetër e lajmeve RIA, ka raportuar për këtë takim, i cili parashihet të mbahet në Bjellorusi, afër kufirit me Poloninë. Agjencia e ka cituar politikanin rus Yuri Voskresensky, i cili është i informuar dhe i afërt me zhvillimet.
Sipas tij, anëtarët e parë të të dyja delegacioneve do të mbërrijnë në kryeqytetin bjellorus, Minsk, këtë mbrëmje, transmeton Gazeta Express.
Takimi i parë që u mbajt këtë të hënë, ka zgjatur për pesë orë dhe ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje konkrete për të zbutur tensionet apo për të arritur armëpushimin.
Në fakt, sulmet nga armata ruse vetëm sa janë intensifikuar që nga e hëna, duke e rritur ndjeshëm numrin e civilëve të vrarë.