Një ditë para mbledhjes ku pritet të diskutohet shkarkimi i Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut të Tiranës, Këshilli Bashkiak i është drejtuar atij me një letër zyrtare. Veliaj, i cili ndodhet në qeli prej 10 shkurtit, kishte kërkuar të dëgjohej para votimit.
Në dokumentin e siguruar nga Report Tv, Këshilli i bën me dije Veliajt se nëse nuk arrin të marrë pjesë në mbledhje, ai mund të paraqesë me shkrim të gjitha pretendimet e tij, të cilat do të administrohen dhe lexohen gjatë seancës.
“Sa më sipër, në vijim të kërkesës suaj për të qenë i pranishëm fizikisht në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, në rast pamundësie për të qenë prezent, Ju lutem që observacionet tuaja t’i përcilini me shkrim pranë Këshillit Bashkiak, në mënyrë që ato të administrohen dhe të bëhen me dije në këtë mbledhje”, thuhet në letrën dërguar Veliajt.
Nga ana tjetër, kreu i PD-së, Sali Berisha, e cilësoi të drejtë praninë e Veliajt në mbledhje, por theksoi se kjo do të shërbejë për ta ballafaquar atë me dosjen e akuzave.
“Këshilltarët tanë të garantojnë se do të votojnë që ai të dëgjohet. Do të shihni se si do e rendisin këshilltarët tanë para tij dhe qytetarëve të gjithë dosjen e zezë, edhe ato që ka renditur SKAP dhe ato që ka fshehur. Por besoj se është gjëja më elementare ndaj të cilit të merret një masë të dëgjohet”, tha Berisha.
Vetë Veliaj kërkoi që të jetë i pranishëm në mbledhjen e këtij këshilli që është planifikuar për të martë (23 shtator).
Në kërkesën e tij, kryebashkiaku Veliaj sqaron se mungesa për mbi 6 muaj nuk është pasojë e vullnetit të tij, por rrjedhojë e një mase sigurie disproporcionale, për të cilën shprehet se do ta kundërshtojë në çdo instancë gjyqësore, deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
“Shkaktar i saj nuk është as Kryetari i Partisë Socialiste, as Partia Socialiste, as ju këshilltarë, por një vendimmarrje gjyqësore që ka ndërprerë në mënyrë të padrejtë një mandat kushtetues”, shprehet Veliaj në kërkesën që ka bërë.
Teksti i plotë i letrës drejtuar Anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës:
E nderuar kryetare dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak,
Jam informuar nga media se, më datë 23 shtator 2025, do të mbahet mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, me objekt miratimin e propozimit drejtuar Këshillit të Ministrave për shkarkimin tim nga funksioni i Kryetarit të Bashkisë, me arsyetimin e mungesës mbi tre muaj në detyrë.
Dua të theksoj qartë se kjo mungesë nuk është pasojë e vullnetit tim, por rrjedhojë e një mase sigurie disproporcionale dhe që do të kundërshtohet në çdo instancë gjyqësore, deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Kjo masë nuk ka izoluar vetëm qytetarin Erion Veliaj, por ka paralizuar qeverisjen e kryeqytetit, duke lënë pa drejtues të zgjedhur mbi 1 milion qytetarë të Tiranës. Sistemi gjyqësor, në mungesë të një përgjegjësie të plotë për fuqinë dhe pasojat e vendimeve të tij, nuk mori parasysh se masa e sigurimit duhej të balanconte interesin publik të hetimit penal me interesin po aq madhor të garantimit të qeverisjes vendore. Kjo është arsyeja reale që ka prodhuar krizën e sotme politike, institucionale dhe kushtetuese. Shkaktar i saj nuk është as Kryetari i Partisë Socialiste, as Partia Socialiste, as ju këshilltarë, por një vendimmarrje gjyqësore që ka ndërprerë në mënyrë të padrejtë një mandat kushtetues. Çdo përpjekje për ta fshehur këtë të vërtetë nuk i shërben zgjidhjes, por e devijon atë.
Mungesa e imponuar nga një masë paraprake, jo nga një vendim përfundimtar fajësie, nuk është as mungesë e vullnetshme, as shkelje e rëndë kushtetuese, por cenim i hapur i parimit të përfaqësimit demokratik dhe një precedent i rrezikshëm për qeverisjen vendore.
E mirëkuptoj shqetësimin tuaj për të kërkuar një zgjidhje politike. Por nuk mund të mirëkuptoj që kjo krizë, e shkaktuar nga gjykata dhe ku “viktimë” është vetëqeverisja vendore, të “zgjidhet” me një tjetër shkelje të Kushtetutës po nga vetë pushteti vendor. Një vendim i tillë do të zëvendësonte vullnetin e 160 mijë zgjedhësve, të cilët kanë folur politikisht, me një akt të pajustifikuar juridikisht, duke krijuar precedent të rrezikshëm për demokracinë vendore.
E kam thënë dhe e përsëris, dhe dua të më besoni siç keni bërë gjithë këto vite: nuk bëhet fjalë për interesin tim personal. Mandati nuk është i imi, por i qytetarëve të Tiranës, të cilët për herë të tretë më kanë dhënë nderin e jetës sime duke më besuar drejtimin e qytetit. Mandati nuk më ka mbrojtur mua, përkundrazi, është arsyeja pse unë sot jam i izoluar, por ai më detyron të mbroj kontratën katërvjeçare që qytetarët kanë firmosur me votën e tyre. Kam detyrimin të mbroj çdo pikë djerse që kemi derdhur së bashku për ta fituar atë besim.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës është organ kushtetues që ka të drejtën dhe Këshilli Bashkiak i Tiranës ka detyrimin të respektojë procesin e rregullt ligjor në çdo vendimmarrje që bën. Për këto arsye dhe në respekt të parimit kushtetues të procesit të rregullt ligjor dhe të së drejtës për t’u dëgjuar, kërkoj të jem i pranishëm dhe të dëgjohem në mbledhjen e këshillit bashkiak, për të dhënë sqarimet e nevojshme para se të merret vendimi për propozimin e shkarkimit tim.