Në Shqipëri po përmbyllet sot fushata për zgjedhjet e pjesshme vendore që do të mbahen të dielën, ku 334.539 qytetarë do të votojnë për kryetarët e rinj në Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë.
E shtuna shënon heshtjen zgjedhore, ndërsa kjo fushatë është cilësuar si një nga më të qetat e viteve të fundit, pa mitingje e pa pjesëmarrje të liderëve kryesorë politikë.
Partia Socialiste garon me kandidatët e saj në të pesë bashkitë, ndërsa opozita nuk ka hyrë zyrtarisht në garë me siglën e Partisë Demokratike, por ka deklaruar mbështetje për kandidatë të pavarur.
Kryebashkiakët që do të zgjidhen do të kenë mandat njëvjeçar e gjysmë, deri në zgjedhjet e rregullta lokale të vitit 2027.