Policia ka bërë nëntë arrestime pas incidenteve në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Skocisë mes Rangers dhe Celtic të dielën.
Autoritetet presin që numri i arrestimeve të rritet “ndjeshëm”, pasi është hapur një hetim për disa incidente që ndodhën gjatë dhe pas ndeshjes.
Disa tifozë dhe oficerë policie u lënduan pasi tifozët hynë në fushën e stadiumit “Ibrox” menjëherë pas fitores së Celticut me penallti ndaj rivalëve të tyre nga Glasgow.
Dhjetëra tifozë mysafirë hynë në fushë për të festuar, ndërsa më shumë se 100 tifozë të Rangers u vërsulën drejt tyre për t’u përballur.
Policia dhe stjuardët krijuan një barrierë për të parandaluar përplasjet masive, por pati dhunë dhe u hodhën objekte të ndryshme, përfshirë edhe një flakadan të ndezur.
Shefja e policisë, Emma Croft, tha se një oficer ishte goditur në kokë me një shishe.
Pamjet treguan gjithashtu një police femër që u godit me shkelm nga pas nga një tifoz i Rangers, i cili po vraponte drejt tribunës “Broomloan”, ku ndodheshin rreth 7,500 tifozë të Celticut.
“Aktualisht mund të raportoj për nëntë arrestime. Pres që ky numër të rritet ndjeshëm,” tha ajo.
“Kam ngritur një ekip hetimor dhe do të analizojmë kamerat e sigurisë dhe çdo provë tjetër për të identifikuar personat që do të përballen me drejtësinë. Shqetësimi më i madh janë lëndimet e oficerëve të mi dhe të qytetarëve. Tre ose katër persona nga publiku janë lënduar si pasojë e sulmeve. Oficerët e mi kanë pësuar lëndime në kokë, në fytyrë dhe në krah. E gjithë kjo është dhunë dhe sjellje e rrezikshme e e papranueshme”, shtoi ajo.
Policia tha gjithashtu se një fëmijë 10-vjeçar ishte goditur nga një monedhë.
Pamjet televizive treguan edhe një burrë që u ndalua nga policia pas një incidenti me një anëtar të stafit të Celticut, gjë që shkaktoi reagimin e kolegëve të tij, përfshirë edhe të paktën një lojtar.
Në video të tjera të regjistruara me telefon shihet një tifoz duke tentuar të godasë me shkelm mbrojtësin e Celticut, Julian Araujo, ndërsa një tjetër vrapon drejt tij dhe e shtyn.
Policia njoftoi se një burrë 54-vjeçar është akuzuar për sulm ndaj një oficeri policie, ndërsa një burrë 47-vjeçar është akuzuar për sulm ndaj një trajneri dhe një lojtari.
Incidentet nuk u kufizuan vetëm brenda stadiumit.
Jashtë tij, në “Helen Street”, një burrë u gjet i shtrirë i lënduar.
Tre persona, të moshave 54, 23 dhe 20 vjeç, janë arrestuar dhe akuzuar për një sulm të rëndë.
Ndërkohë, policia po heton edhe një incident tjetër ku disa tifozë të Celticut hynë në stadiumin “Ibrox” para ndeshjes, duke shkaktuar një vonesë prej 24 minutash për tifozët me bileta që të hynin në stadium./GazetaExpress/