Nënkryetari i LDK’së: VV’së s’i takon edhe Presidenti, s’nënshtrohemi në koalicion


Arbër Jashari
8 Dhjetor 2019 13:14

Lidhja Demokratike ka vendosur të mos pranojë idenë që për Presidentin të flitet pas një viti. Agim Veliu thotë se tash duhet të qartësohet pozita e Shefit të Shtetit. Në të kundërtën s’ka koalicion ndërmjet partisë së parë dhe të dytë. Në Partinë e Isa Mustafës po thonë se me Kurtin bashkëqeverisin në pozita të barabarta. MPB’në po ashtu e donë për vete.

Nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu e ka të qartë se s’ka koalicion me Vetëvendosjen nëse Albin Kurti synon ta nënshtrojë Partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova.

Ai ka thënë se partisë me 29 deputetë nuk i takon të marrë dy pozitat kryesore në shtet përfshirë Presidentin.

“Nuk do të ishte çkapje e shtetit nëse një subjekt politik, qoftë ajo Vetëvendosja ose LDK-ja, t’i ketë dy pozicionet kryesore në shtet, edhe Kryeministrin, edhe Presidentin. Unë nuk e pranoj as variantin që edhe LDK-ja me i pasë dy pozicionet kyçe në shtet, edhe Kryeministrin edhe Kryetarin e shtetit, sepse duhet të jetë njëfarë balance, njëfarë funksionimi normal i institucioneve”, ka thënë Veliu për Gazetën Express.

Kryetari i Podujevës ka insistuar që çështja e Presidentit të qartësohet, sepse pas një viti mund të haset në vështirësi.

“Qëndrimi i LDK-së është i qartë, ne kërkojmë që ta qartësojmë deri në fund marrëveshjen, mos të lëmë çështje që rrugës na nxjerrin probleme. Koalicioni mund të jetë i rrezikuar kur të vjen koha e zgjedhjes së Presidentit, nëse ne nuk kemi marrëveshje mes vete, si mund të bëjmë marrëveshje me tjerët që të sigurojmë votat në Kuvend”, ka thënë Veliu.

Ai ka thënë se nëse përzgjedhja për Ministrinë e Punëve të Brendshme është bërë me dijen e Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, atëherë nuk ka arsye që të ndryshohet.

“Meqë zoti Mustafa e ka zgjedh Ministrinë e Punëve të Brendshme, atëherë zoti Mustafa nuk lëviz dhe nëse është bërë zgjedhja bashkërisht me zotin Kurti, atëherë nuk ka kurrfarë arsye me ndryshu”, u shpreh ai.

Veliu ka deklaruar se Vetëvendosja duhet të zotohet që kur të vjen koha e zgjedhjes së Presidentit, duhet ta përkrahë propozimin e LDK-së për President.

“Nëse nuk kemi marrëveshje paraprake që me pasë një zotim nga ana e VV-së që propozimi i LDK-së do të përkrahet e më pastaj duhet të kërkohet mbështetje më e gjerë, sepse për Presidentin duhet të jenë në sallë mbi 80 deputetë. Nëse nuk janë 80 deputetë, atëherë i gjithë procesi dështon”, ka thënë Veliu.

Nënkryetari i LDK-së ka thënë se LDK-ja nuk ka asnjë emër deri më tash për President.

“Deri sot nuk ka emër, nuk është lakuar asnjë emër që do të jetë ky apo ai. LDK-ja sinqerisht nuk ka emër të veçantë për President tash për tash, mirëpo po e kërkon që ta ketë të drejtën e propozimit të kandidatit për President”, u shpreh ai.

Të dy partitë, LDK-ja dhe Vetëvendosje, kanë harmonizuar programin qeverisës 100 për qind. Por nuk po mund të merren vesh për ndarjen e posteve kyçe shtetërore, më saktësisht atë të Presidentit, të cilin LDK-ja po këmbëngul që i takon asaj.

Kryetari i Podujevës, Agim Veliu, ndër të tjera ka thënë që nuk ka biseduar me kryetarin e Mitrovicës lidhur me atë se kujt cila ministri i takon.

“Nuk kemi diskutuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme me Agim Bahtirin, nuk është e vërtetë që MPB-ja do t’i takojë Vetëvendosjes. Jemi takuar, kemi biseduar në funksion të tejkalimit të vështirësive që janë për lidhjen e koalicionit, ndërsa për të tjerat, për ministri e për pozicione, nuk kemi biseduar me asnjë fjalë”, ka thënë Veliu.

Ai tutje është shprehur që LDK-ja nuk hyn në një marrëveshje me VV-në si e nënshtruar, duke e pasur parasysh raportin e forcave që e kanë dy subjektet pas zgjedhjeve.

“Disponimi ynë është që me punu në drejtim të krijimit të kushteve për lidhjen e marrëveshjes. Lidhja Demokratike në një marrëveshje si e nënshtruar, me këtë raport të forcave qysh është momentalisht, nuk hyn, sepse nuk ka nevojë me hy si e nënshtruar. Ne kemi biseduar që në koalicion mund të hyjmë si të barabartë me Vetëvendosjen në mënyrë që t’i kontribuojmë qeverisjes së mirë”, ka thënë Veliu.

Veliu ka komentuar deklaratat e Agim Bahtirit, i cili për Express tha se MPB-ja do t’i takojë gjithsesi Vetëvendosjes.

“Me këso ekskluzivitete nuk ndërtohet partneriteti, siç ka thënë zoti Bahtiri. Partneriteti ndërtohet me bisedime të sinqerta, me mirëbesim, me mirëkuptim, jo me ekskluzivitete me thanë gjithsesi ose kështu ose jo ndryshe. Ato kushtëzime në tavolinë të bisedave nuk nxirren”, u shpreh ai.

Nënkryetari i LDK-së ka thënë se as VV-ja dhe as LDK-ja nuk janë as fitues dhe as humbës absolutë.

“Nuk ka fitues as humbës absolut, duhet me ditë VV-ja që nuk i ka fitu zgjedhjet, por edhe LDK-ja duhet me ditë që nuk i ka fitu zgjedhjet. Ne mundemi me thënë që LDK-ja nuk i ka humbur zgjedhjet, sepse nuk ka qenë në pushtet, por nuk e ka fitu të drejtën e formimit të qeverisë”, tha ai.

Tutje, Veliu ka thënë se duhet bërë përpjekje që qeveria të jetë stabile përtej votimit prej 61 votave në Kuvend për formimin e saj.

“Duhet të bëhet përpjekje për sigurimin e numrave për një qeveri stabile dhe që të definohen të gjitha çështjet që garantojnë një koalicion stabil, sepse ndërtimi i qeverisë nuk nënkupton vetëm votimi në Kuvend me 61 vota dhe ajo nuk nënkupton që ka stabilitet, por një qeveri stabile që garanton punë të përditshme të Kuvendit dhe të qeverisë për një mandat që po e synojmë”, u shpreh ai.

Veliu ka folur edhe për kandidaten për Kryeministre nga LDK-ja, Vjosa Osmanin. Ai ka thënë se secili që nuk i përmbush synimet dhe premtimet, duhet të marrë përgjegjësi.

“Vjosa Osmani ka konkurruar për Kryeministre të vendit dhe Vjosa Osmani duhet ta shqyrtojë pozicionin e saj, ajo duhet ta ketë të qartë që nuk ka arritur me fitu, siç i ka pasur synimet dhe premtimet. Jo vetëm Vjosa Osmani, por të gjithë ne duhet të mësohemi që të marrim përgjegjësi, jo vetëm të kërkojmë, por edhe të marrim përgjegjësi. Kur të vjen momenti vendimtar, duhet të marrim përgjegjësi para qytetarëve dhe para vendit”, u shpreh Veliu.

Ai ka thënë se në rrethanat që janë në Kosovë, nuk mund të gjendet një kandidat konsensual për President.

“Ku me e gjetë atë, cili është ai në Kosovë? Tregona ju, ndoshta pajtohem me juve. Për dikë mund të duket konsensual, për tjetrin nuk është”, u shpreh kryetari i Podujevës.

Ai ka thënë se nuk ka njohuri se kur do të ndodhë takimi i ardhshëm mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, duke shtuar se nuk është i sigurt aq shumë sikur Agim Bahtiri për takimin e radhës mes dy kryetarëve të partive.

“Unë nuk e di dhe nuk mundem me folë me atë siguri që e ka Agim Bahtiri, ndoshta ai e din kur Kurti e Mustafa do të takohen, por unë nuk kam njohuri. Takime mund të ketë në çdo kohë, sepse ne nuk e kemi qitë ndonjë ndalesë se nuk do të ketë takime, por kur të ndodhin, mund të dakordohen dy liderët, sepse ata janë marrë vesh që të bisedojnë kokë më kokë për ndërtimin e koalicionit”, ka thënë Veliu.

Tutje, Veliu ka thënë se do të duhej të gjendet zgjidhja mes VV-së dhe LDK-së dhe se nuk është e udhës që Vetëvendosja të ngulë këmbë që edhe Kryeministri, edhe Presidenti t’i takojnë asaj.

“Unë mendoj që do të duhej me gjetë zgjidhje, sepse nuk është ndonjë problem për Vetëvendosjen që tash me ngulë këmbë që edhe Kryeministri, edhe Presidenti duhet t’i takojnë VV-së, sepse deshtëm apo s’deshtëm, në këtë sistemin tonë, rolin kryesor e ka kryeministri i vendit. Tash edhe Presidenti me i taku të njëjtit subjekt, nuk e ka asnjë hall, siç thotë populli”, ka thënë Veliu.

Nënkryetari i LDK-së u shpreh se partia e tij nuk e ka problem që me VV-në edhe t’i ndërrojnë pozitat kryesore, LDK-ja ta marrë kryeministrin, ndërsa Vetëvendosja presidentin dhe kryetarin e Kuvendit.

“Kryesuesi i Kuvendit, ai spikeri, që i thonë, është vetëm një post ceremonial, sesa që e ka ndonjë funksion, edhe nëse ka kontestime jokushtetuese, jo çkushtetuese, atëherë, edhe sipas kushtetutës, Kryesuesi i Kuvendit i takon partisë ose koalicionit që i fiton shumicën në zgjedhje dhe nëse donë me u thirrë në kushtetutë, atëherë LDK-ja është e gatshme në çfarëdo varianti për një balancë të qeverisjes të hyjë në këtë raport, meqë nuk ka zgjidhje të tjera, nuk është problem për LDK-në”, ka deklaruar Veliu./GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart