Nën koren e dialogut - Gazeta Express
string(20) "nen-koren-e-dialogut"

OP/ED

Gazeta Express

24/11/2023 15:21

Nën koren e dialogut

OP/ED

Gazeta Express

24/11/2023 15:21

Edhe përkundër të gjitha problemeve me të cilat ballafaqohemi, në baza ditore, ne prapëseprapë nuk heqim dorë nga tema për dialogun dhe me gjasë kjo ka mbetur e vetmja levë ku ne do të provojmë t’i plotësojmë boshllëqet tona patriotike, politik, akademike, intelektuale dhe morale. Duket sikur në jetët tona i shpenzojmë për t’i treguar njëri-tjetrit edhe vetës madje se kush jemi, se sa trima, sa patriotë, e sa atdhetarë jemi. Vuajmë për t’u dëshmuar kështu dhe vetëm kështu, qoftë edhe me kushtin që të jetojmë në mjerim

Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

Dialogu, përmbi një dekadë, është bërë një kore e trashë që mbulon gjithçka në vend. Çka fshihet nën koren e dialogut?! Diskutimi për të dhe rreth tij ka bërë që ai (dialogu) të bëhet perdja e trashë pas së cilës pushteti aktual t’i fshehë dështimet e tij për afro tri vite të qeverisjes. Dit’e nat’ flasim për dialogun. Secili në këtë shoqëri e ka nga një referat për të. Për dialogun flasim në deka e dreka, nëpër studio televizive e nëpër sheshe. Kudo që jemi dhe si do që të jemi, në asnjë rast nuk e lëmë anash këtë temë. E gjithë shoqëria jetojmë në dy jetë paralele: njëra jetë është e dedikuar për dialogun, që po na e thithë të gjithë energjinë, dhe jeta e dytë paralele është realiteti, përditshmëria jonë. Zymtësinë e së dytës e zëvendësojmë me të parën. Dialogu është bërë edhe ngërçi ynë mental. Normalisht se problemi që kemi me Serbinë dhe me veriun e vendit domosdo kërkon zgjidhje politike, por kjo nuk është e gjithë jeta jonë. Kemi rënë në grackën e pushtetit, sepse duke u marrë ne vetëm me dialogun, nuk po i vërejmë dështimet gjithandej. Opozita dhe kritikët vazhdojnë të merren me ngjyrën e perdes, jo me atë se çka vërtet fshihet përtej saj.

Nga dialogu ne nuk po e shohim të gjithë Kosovën dhe kjo po i konvenon pushtetit. Dështimet në fushën e arsimit, të shëndetësisë, në ekonomi, në drejtësi, në siguri, në zhvillim dhe mirëqenie janë përditshmëria jonë, përditshmëria e secilit qytetar. Secili nga ne ballafaqohemi me një arsim jo cilësor. Secili raport serioz na thotë se shkollat dhe universitetet në Republikën e Kosovës janë industri që prodhojnë analfabet funksional në seri. Ekonomia jonë është në vdekje klinike. Sot, secili jemi më të varfër se dje. Drejtësia është bërë sikur i sëmuri me alzhaimer. Siguria në vend është e asillojt sa që një batalion i tërë futet në vend me lloj-lloj armatimesh dhe prapëseprapë këmbëngulim se kemi sovranitet të pacënueshëm. As idenë më të vogël nuk e kemi se si do ta zhvillojmë këtë vend të vogël. Se ku do të jemi pas dhjetë vitesh, është enigmë më e madhe se sa enigma e pafundësisë së universit. Mirëqenia është në nivelin më të lartë ama vetëm për ata që janë në pushtet dhe që sillen rreth tij. Kurse, mirëqenia për qytetarin nuk banon në Kosovë. Mirëqenia për qytetarin e Kosovës është diku larg, me mija kilometra larg shtëpisë të secilit prej nesh. I madh e i vogël jemi në kërkim të saj, me çfarëdo çmimi, qoftë edhe duke shitur çdo gjë, vetëm dhe vetëm që ta gjejmë një jetë më të mirë se sa këtu ku kemi lindur.

Edhe përkundër të gjitha këtyre problemeve që ballafaqohemi gjithsecili nga ne, në baza ditore, ne prapëseprapë nuk heqim dorë nga tema për dialogun dhe me gjasë kjo ka mbetur e vetmja levë ku ne do të provojmë t’i plotësojmë boshllëqet tona patriotike, politik, akademike, intelektuale dhe morale. Duket sikur në jetët tona i shpenzojmë për t’i treguar njëri-tjetrit edhe vetës madje se kush jemi, se sa trima, sa patriotë, e sa atdhetarë jemi. Vuajmë për t’u dëshmuar kështu dhe vetëm kështu, qoftë edhe me kushtin që të jetojmë në mjerim.