Nën kërcënimin e virusëve - Gazeta Express
string(25) "nen-kercenimin-e-viruseve"

Nën kërcënimin e virusëve

Gazeta Express

15/04/2020 17:43

Nga i pari, edhe pse i padukshëm, mund të mbrohemi nëse i zbatojmë si duhet masat, kurse nga i dyti, të cilin e shohim dhe vetë e “ushqejmë”, duket se s’do të mund të shpëtojmë dot 

Shkruan: Arben Fetoshi

Lexo Edhe:

Vendi ynë i vogël që po lufton si të tjerët me ‘armikun e padukshëm’, vazhdon të jetë ‘pjesë e Serbisë’ në të dhënat botërore për Covid 19. Pra, 12 vjet shtet, ‘i panjohur’ brenda shteteve që na kanë njohur qe 12 vjet (Universiteti “John Hopkins” – SHBA). Këtë rezultat, thënë figurativisht, ka arritur për 12 vjet politika jonë arrogante e snobiste – ‘kush hunit e kush patkoit’, politika e inateve primitive ballkanike që, më shumë se sa koronavirusi, po na kërcënon me vetëshkatërrim. Në këto ditë të vështira të ‘ngujimit’ nacional, përveç rrezikut nga pandemia Covid-19 dhe dëmi i saj kolateral, të cilin tek do ta mësojmë më vonë, si në aspektin psikologjik (nga mbyllja dhe terrori informativ me lajmet e rreme), apo në atë ekonomik e kulturor (nga paraliza e jetës publike), jemi bërë edhe spektatorë të një teatri politik që ka përzier komedinë, dramën dhe tragjedinë për fatin e qytetarëve.

Corona-virusi

Virusi i parë, ndaj të cilit bota ka reaguar me masa të papara kufizimi deri më sot, është i rrezikshëm dhe duhet të merret seriozisht, por nëse ruhemi si duhet, nuk ka ç’na bën. Përvojat e vendeve të ndryshme tregojnë se kërcënimi nga pandemia mund të përballohet pa shumë pasoja tragjike nëse nuk neglizhohet, ndërkaq rastet më dramatike janë determinuar edhe nga struktura demografike apo dinamika e komunikimit në ato vende. Kosova ka reaguar mjaft shpejt dhe numri i të prekurve ende nuk është shumë shqetësues. Qeveria, tani në detyrë, insiston se kriza po menaxhohet mirë, ndërsa opozita vazhdimisht ka bërë thirrje për testim ekstrem si masa më efikase e parandalimit. Sidoqoftë, javët e ardhshme do të tregojnë se kush kishte më shumë të drejtë. Ndërkaq, masat e kufizimit dhe vetëizolimi me sloganin #rriNshpi që pashmangshëm e kanë rritur edhe konsumimin e medieve, do të kenë pasoja psiko-sociale të cilat sidomos pas krizës do të manifestohen më brutalisht. Jo vetëm efektet e stresit apo dëmet që lidhen me ndikimin e krizës në ekonomi, por edhe ato të medieve si tejngopja informative dhe lajmet e rreme që kanë terrorizuar qytetarët këto ditë, do të jenë sfida reale për shëndetin publik në Kosovë. Izolimi në shtëpi dhe ndjenja e kërcënimit të vazhdueshëm prej së paku dy viruseve, domosdo që nxisin konsumim të shfrenuar jo vetëm të gjërave në frigorifer por edhe të gjithçkaje që servohet në media. Kjo do të thotë jo vetëm obezitet por edhe infobezitet, sepse ‘shumë informacion e vret informacionin dhe prandaj na duhen medie që të na mbrojnë nga disa medie’ (A. Fuga, Komunikimi në shoqërinë masive, 2014, f. 469). E pikërisht këtë mund të shkaktojë koronavirusi në raport me mediet pas krizës së pandemisë: një përgjigje adekuate profesionale, akademike dhe qytetare ndaj keqfunksioneve dhe për një medie me përgjegjësi shoqërore. Deri atëherë, zgjidhja më e mirë mbetet një dietë mediale, një përzgjedhje e produkteve që konsumojmë. Ekspozimi i tepruar ndaj programeve politike, që në masë të madhe reflektojnë gazetari avokuese, e dëmton gjykimin tonë kritik dhe rrezikon të imponojë një ‘të vërtetë’ tjetër, të porositur. Megjithatë, shumë të vërteta mbetet t’i mësojmë pasi të mbarojë kjo luftë, e cila dashtë Zoti të mos jetë shenjë e betejave të reja në gjuetinë e më të fortit. Vetëm pastaj do ta kuptojmë plotësisht botën në të cilën jetojmë sot, nëse ndërkohë ende se kemi rrokë mesazhin e koronavirusit, se sa shumë të ndërvarur jemi dhe sa të brishtë jemi ndaj sfidave të tilla si të vetëm, si të pavarur.

Devite-virusi

Qeveria Kurti e nisi mbarë tek sa udhëhiqej nga ‘nevoja për drejtësi’, por shpejt e zuri ‘msyshi’ në raport me ‘nevojën historike’ të Kosovës. Cilado që të jetë e vërteta e mocionit të mosbesimit, qoftë vetërrëzimi për t’u rikthyer më fuqishëm apo rrëzimi nga Amerika, nuk mundet dhe nuk guxon të jetë arsye për t’i fryrë zjarrit. Edhe vetërrëzimin (Albin Kurti s’mund të mos e dinte që shkarkimi i Agim Veliut do ta prishte marrëveshjen) e mirëkuptoj si kalkulim për shkak të dialogut apo thjesht si kalkulim elektoral, por s’është dinjitoze për një lider serioz shpotitja me Shtëpinë e Bardhë – simbolin botëror të Lirisë, loja me ndjenjat e qytetarëve duke hamendësuar për marrëveshje sekrete të cilën e mohuan menjëherë zyrtarët kompetentë amerikanë, si dhe abstenimi nga zgjidhja e krizës. Vërtet politika është “kalkulim matematikor i pikave tangjente të rrymave të ujit me akullin mbi të” (Ukshin Hoti), por vetëm me kushtin e udhëheqjes nga ‘nevoja historike’ për ta fuqizuar vendin, e jo ndryshe. Ende pa u votuar mocioni më 25 mars, në mediat sociale filloi lufta e një armate virtuale kundër tradhëtisë dhe për të vërtetën e fundme. Në fakt, reagimi i mbështetësve të Albin Kurtit pas rrëzimit të qeverisë është normal dhe duhet mirëkuptuar. Por, drejtimi dhe përmasa e tij janë indikacione të një projekti të planifikuar dhe një strategjie komunikimi që ka për qëllim manipulimin e opinionit. Përdorimi i Ukshin Hotit si mekanizëm mbrojtës ndaj akuzave të opozitës (PDK, AAK, Nisma Socialdemokrate) dhe të partnerit qeverisës (LDK-së) të Albin Kurtit për raportet me SHBA-të, jo vetëm që s’është adekuat, por shënon edhe një veprim tjetër populist, që në fakt është keqpërdorim. Qindra llogari private dhe portale e qarkulluan një analizë të U. Hotit për çështjen shqiptare dhe faktorin kombëtar e ndërkombëtar, duke mos e kuptuar që pikërisht ajo (si edhe të tjerat) ishte vërtetuar plotësisht me luftën e UÇK-së dhe lëvizjen e faktorit ndërkombëtar për çlirimin e Kosovës në vitin 1999. Shumë prej jush edhe mund të pyesni përse të mos lexohen sa më shumë punimet e Ukshin Hotit? Patjetër që duhet të lexohen dhe e gjykoj të domosdoshme sidomos për studentët. Madje, edhe e pranoj një pjesë të fajit për mungesën e veprës së Ukshin Hotit në libraritë dhe bibliotekat tona sot. Mirëpo, s’mund të mos e konstatoj po ashtu se konteksti aktual dhe qarkullimi i vetëm këtij artikulli janë elementë që e vërtetojnë motivin politik për ta përdorur apo keqpërdorur (po e lë në vlerësimin tuaj) Ukshin Hotin në funksion të agjendës. Ndërkohë, diskursi politik ka agravuar në arrogancë e fyerje, duke thelluar polarizimin qytetar edhe ashtu tejet të cënueshëm. Kaluan tri javë nga rrëzimi i qeverisë dhe loja po vazhdon. Lëvizja Vetëvendosje s’pranon t’i subordinohet vullnetit parlamentar, ndërsa të tjerët nuk duan zgjedhje menjëherë pas pandemisë. Këtë ekuacion kushtetues e kanë komplikuar edhe më shumë interpretimet e panumërta, shpesh nga ata që s’kanë lidhje me Jurisprudencën, dhe në veçanti gjuha evazive lidhur me vazhdimin e qeverisë në detyrë. Pavarësisht nëse zgjidhja do të bazohet në vullnetin e partive parlamentare, apo do të kërkohet sërish nga Gjykata Kushtetuese, polarizimi me gjasë do të vazhdojë të ashpërsohet. Pra, në vend të mirëkuptimit dhe unitetit përballë sfidave serioze që ka vendi, paria politike i fryen zjarrit të përçarjes dhe konfliktit. Kjo është më fatale se sa koronavirusi. Në periudhën e ‘ngujimit’ nacional, ne duhet ta kuptojmë më shumë se asnjëherë rëndësinë dhe përparësinë e ‘nevojës historike’ në raport me nevojat tjera të shumta. Koronavirusi është metafora e një bote të ndërvarur dhe ndërlidhur të cilës i takojmë edhe ne.

(Autori është profesor në Departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Prishtinës)