Nën hijen e Goranit - Gazeta Express
string(19) "nen-hijen-e-goranit"

Nën hijen e Goranit

OP/ED

Gazeta Express

13/08/2021 14:51

Debatet për koncertin e Goran Bregoviqit në Korçë kanë lënë në hije plot zhvillime në Kosovë, në radhë të parë situatën alarmante me pandeminë. Jashtë fokusit kryesor ka mbetur edhe mënyra si po qeveris Albin Kurti. Secili pushtetar do të dëshironte një zhvendosje fokusi nga problemet reale.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Tash sa ditë publiku e mediat në Kosovë janë duke u marrë me “problemin madhor” nëse në Korçë, në Festën e Birrës, duhet të performojë këngëtari serb Goran Bregoviq. Si të ishte kjo sfida më e madhe që ka vendi, debati ka shpërthyer në mesin e artistëve, gazetarëve e politikanëve. Si të ishte Bregoviqi problemi më i madh me të cilin duhet ballafaquar, debati ka eskaluar në cilësimet kush është patriot e kush tradhtar.

Shumica dërmuese e atyre që janë përfshirë në debat ia kanë zënë për të madhe Bashkisë së Korçës që ka ftuar Bregoviqin të mbajë koncert, me arsyetimin se, sidomos me një nga këngët e tij, ai ka inspiruar forcat serbe në luftërat e viteve ’90 dhe ka përkrahur regjimin e atëhershëm serb. Të tjerë thonë se nuk mund t’i përzihen Shqipërisë se kë vendos ta ftojë në të tilla ngjarje. Debati ka nxitur edhe gjuhë të urrejtjes këndej e andej kufirit, ndërkaq më së shumti nga ky debat duket se po përfitojnë politikanët.

“Për” dhe “kundër” Bregoviqit kanë lënë nën hije shumë zhvillime, përkatësisht kanë zhvendosur fokusin nga ngjarje të rëndësishme – nga mënyra se si po qeveris Lëvizja Vetëvendosje, çfarë vendimesh po merr, kush po punësohet dhe emërohet nëpër institucione e si po menaxhohet pandemia. Ka zhvendosur fokusin nga qëndrimet dhe qasja e kryeministrit karshi zotimeve të marra nga qeveria paraprake në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka zhvendosur fokusin nga mungesa e shumicës së kabinetit qeveritar në debate televizive, për të dhënë qëndrime për çëshje të rëndësishme. Ndërkohë që ka shumë për të debatuar, sqaruar e kritikuar.

* * *

Kur Lëvizja Vetëvendosje mori pushtetin sivjet dhe rastet e të infektuarve me Covid-19 nisën të bien, gjithçka iu atribua menaxhimit të mirë dhe të suksesshëm të ministrit Arben Vitia. Zyrtarë të Vetëvendosjes thoshin se ministri paraprak kishte menaxhuar keq situatën dhe ulja e numrit të rasteve të të infektuarve ishte tregues për profesionalizmin e ministrit. Por, çfarë po ndodh tash, disa muaj me Vetëvendosjen në qeverisje? Rastet janë rritur më të madhe, duke kaluar numrin një mijë në ditë, edhe pse vaksinimi po vazhdon, ndonëse jo me ritëm të kënaqshëm.

Bazuar në logjikën e Vetëvendosjes, numri i të infektuarve është rritur dukshëm për shkak të menaxhimit jo të mirë të ministrit. Por, këtë partia e Albin Kurtit nuk e pranon. Për më shumë, duket se ministrin, në këtë situatë alarmante me pandeminë, do ta kandidojë për kryetar të Prishtinës. Kush mund të flasë për përgjegjësi e moral politik në këtë rast?

Në anën tjetër, në media çdo ditë raportohet për punësime partiake e familjare, për të cilat Vetëvendosja thotë se janë profesionistë. Të tillë nuk ishin, sipas Vetëvendosjes, kur bëheshin në të kaluarën nga partitë tash opozitare.

* * *

Debati i kotë për Goran Bregoviqin, ndonëse jo i nisur nga partia në pushtet, më së shumti po i konvenon asaj. Dhe heshtja e kryeministrit për çështje të rëndësishme nuk është e rastësishme. Qytetarët ende nuk e dinë qëndrimin eksplicit të Albin Kurtit për Marrëveshjen e Washingtonit në tërësi, siç nuk e dinë as, ta zëmë, qëndrimin e tij për pikën që ka të bëjë me Liqenin e Ujmanit ose për tjetrën që ka të bëjë me MiniSchengenin Ballkanik. Kosova nuk është bërë pjesë e kësaj nisme, por kryeministri Kurti nuk ka treguar nëse ky refuzim nënkupton shkeljen e zotimeve të marra nga qeveria e kaluar në Washington. Kurti ka zgjedhur të mos flasë qartë e hapur edhe për plot çështje të tjera – që nga reciprociteti ndaj Serbisë, deri te premtimet e dhëna ndër vite për mënyrën e qeverisjes. Ndërkaq, nëpërmjet debatit të kotë për Bregoviqin, ai po shijon frytet e një sulmi të ashpër ndaj kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, që po bëhet nga qytetarë të Kosovës, të cilët nuk ngurrojnë t’ia mveshin atij edhe epitetin e tradhtarit.

Në prag të zgjedhjeve lokale fokusi nga qeverisja qendrore do të zhvendoset edhe më shumë. Për Vetëvendosjen mbetet sfidë që të provojë se rezultati i 14 shkurtit nuk ishte aksidental. Partitë tjera do të provojnë ta vërtetojnë të kundërtën.

Debati për Bregoviqin në Korçë do të mbyllet për pak ditë, gjakrat do të ulen, ashtu si dhe tonet patriotike e pseudopatriotike. Por, jehona e ngjarjes do të vazhdojë – sa më gjatë, aq më mirë për pushtetin. Për pushtetin, njeriu kryesor i të cilit ka dhënë të tjera premtime dikur, e tjetër gjë vepron. Për qeverisjen që i konvenon të mbetet, të paktën disa ditë, nën hijen e Goranit.