Negociata për kryetarët e Veriut? Vuçiq kërcënon me krizë, BE kërkon të mos japin betimin - Gazeta Express
string(87) "negociata-per-kryetaret-e-veriut-vuciq-kercenon-me-krize-be-kerkon-te-mos-japin-betimin"

Negociata për kryetarët e Veriut? Vuçiq kërcënon me krizë, BE kërkon të mos japin betimin

Lajme

Gazeta Express

04/05/2023 12:40

Deri më 28 maj, kryetarët e rinj të katër komunave në Veri, kanë afat të japin betimin, në të kundërtën e humbasin mandatin. Vuçiq ka kërcënuar me krizë në Veri duke kërkuar negociata për këtë çështje në takimin e ardhshëm teknik që pritet të mbahet gjatë këtij muaji. BE ka kërkuar që kryetarët të mos betohen fare ndërsa Kosova konsideron se kjo kërkesë nuk mund as të parashtohet.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Ka filluar numërimi mbrapshtë për betimin e katër kryetarëve të rinj të komunave në Veri, të cilët dolën fitimtarë në zgjedhjet e 23 prillit, ku dolën 3.47 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. 28 maji është dita e fundit kur Erden Atiq, Izmir Zeqiri, Lulzim Hetemi dhe Ilir Peci mund të japin betimin e tyre si kryetarë, në të kundërtën ata e humbasin mandatin dhe mund të shpallen zgjedhjet e reja.

Për çështjen e zgjedhjeve në Veri, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Bashkimi Europian ka dhënë një propozim të cilin ai e ka pranuar, por tha se Kosova e ka refuzuar, përcjell Gazeta Express.

Ai paralajmëroi se mund të mbahet një takim në nivelin teknik “më 18, 20 apo 21 maj”.

“Unë pranova, Prishtina refuzoi. Mendoj se është shumë e rëndësishme që ta kalojmë atë situatë… Shpresoj që deri në raundin e ardhshëm në nivel teknik, qoftë ai më 18, 20 apo 21 maj, do të ketë reagime nga disa të tjerë që mund të ndikojnë në ndryshimin e qëndrimeve të tilla. Unë nuk jam optimist, por mund të premtoj se do të bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”, tha Vuçiq.

Shefi i shtetit serb u kujdes që të paralajmërojë “një krizë të madhe” në veri të Kosovës duke e lidhur këtë me betimin e kryetarëve të rinj.  Kur u nga gazetarët në Serbi se çfarë do të ndodhë më 28 maj, tha se ka kuptuar “se ka një plan për t’i dëbuar serbët nga Kosova”.

Për propozimin e BE-së, mbrëmë foli këshilltari politik i kryeministrit Kurti, Jeton Zulfaj. Ai tha se Bashkim Europian ka kërkuar djegien e mandateve të kryetarëve në Veri, duke mos e bërë betimin.

Zulfaj tha se “ideja është që këta të digjen si mandate duke mos e bërë betimin, kërkesa të tilla nuk mund të parashtrohen”, derisa ka shtuar se tashmë ka kryetarë komunash të zgjedhur me mandat ligjor.

“Udhëheqës me ‘u’ të vogël”, “Nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjate”

Pas përfundimit të takimit të së martës në Bruksel, Kurti para mediave ka folur për zgjedhjet në Veri. Ai tha se nuk i vjen mirë që dalja për të votuar ka qenë e ulët, për çka fajin ia la Listës Serbe për braktisjen e institucioneve dhe bojkotimin e zgjedhjeve.

Sipas Kurtit “gabimin e Listës Serbe nuk duhet ta paguajnë qytetarët e Kosovës” por vetë Lista Serbe.

Shefi i ekzekutivit se tashmë janë zgjedhur kryetarët e katër komunave në veri. Për kryetarët e rinj ai tha se janë udhëheqës komunalë me “u” të vogël dhe jo me “U” të madhe.

Për zgjedhjet e 23 prillit është deklaruar edhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell. Ai tha se këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë.

Madje, ai shprehu shqetësimin se këto zgjedhje mund të kenë potencial për të çuar drejt përshkallëzimit dhe minimit të zbatimit të marrëveshjes së Ohrit.

“Shpreha edhe një herë brengën tonë të madhe për gjendjen në Veri të Kosovës pas zgjedhjeve të fundit me një dalje të ulët dhe është e qartë se këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjate. Përkundrazi, ndoshta kanë potencial për të çuar drejt përshkallëzim dhe për të minuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve, dhe kjo nuk është ajo që duam të ndodh. Kam inkurajuar të dy palët që të gjejnë një zgjidhje e cila mundëson kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës në veri që i kanë braktisur në nëntorin e kaluar”, tha Borrell.

Kryetarët e rinj në Veri mund të betohen edhe jashtë objekteve zyrtare të komunave

Dhënia e betimit qysh prej fillimit të procesit zgjedhor është konsideruar si procedurë që mund të kryhet me vështirësi. Për këtë, ditë më parë ka folur njohësi i çështjeve juridike, Albert Krasniqi.

Ai në një bisedë me Gazetën Express ka thënë se kjo procedurë nuk është e domosdoshme të kryhet brenda objekteve komunale.

“Është obligative që mandati i kryetarëve të komunave të nisë të ushtrohet që të bëhet betimi në kuvendet komunale. Por kjo nuk do të thotë se betimi duhet të bëhet gjithsesi në objekt të caktuar. Betimi mund të bëhet edhe jashtë objekteve aktuale të komunave”, ka thënë Krasniqi.

Për dhënien e betimit ka folur edhe kandidati i PDK-së që mori më së shumti vota në garën për komunën e Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

“Një pjesë të zyreve komunale i kemi të instaluara në fshatin Çabër, ku janë disa zyre funksionale, dikastere komunale që janë në funksion. Ne nuk e kemi synim as prioritet menjëherë me i marrë objektet, por synimi jonë është që t’i themelojmë kabinetin dhe drejtoritë. Ne jemi të hapur të gjithë, edhe për serbët… Do të shohim, betimin mund ta bëjmë edhe në zyret komunale në Çabër. Besoj që kemi vende ku do të mbahet”, tha ai.

Kujtojmë që zgjedhjet në Veri u mbajtën pasi Lista Serbe më 5 nëntor vendosi që të largohet nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës në shenjë proteste ndaj vendimit për targat. Pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave në Veri, presidentja Osmani shpalli zgjedhjet për 18 dhjetor, të cilat më pas për shkak të tensioneve në Veri i shtyu për më 23 prill.

Në këto zgjedhje nuk ka marrë pjesë Lista Serbe, të cilët më pas edhe u ka bërë thirrje serbëve lokalë që t’i bojkotojnë zgjedhjet. Kjo ka ndikuar që dalja e qytetarëve të jetë e ulët, 3,47 për qind.

Rezultatet e zgjedhjeve, ku dolën fituese VV dhe PDK, janë certifikuar të premten nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. /GazetaExpress/