Në Zyrë të Kurtit pas përballjes me Dimal Bashën, Jasharaj flet për Express, jep detaje nga takimi - Gazeta Express
string(96) "ne-zyre-te-kurtit-pas-perballjes-me-dimal-bashen-jasharaj-flet-per-express-jep-detaje-nga-takimi"

Në Zyrë të Kurtit pas përballjes me Dimal Bashën, Jasharaj flet për Express, jep detaje nga takimi

Lajme

Gazeta Express

22/09/2022 12:55

Në një bisedë të gjatë me Gazetën Express, Jasharaj ka dhënë detaje nga takimi i djeshëm në zyrë të Kurtit. Si ishte qasja e Kryeministrit? A foli dje Jasharaj me Kurtin? Çfarë i tha kryesindikalistja evropiane Kryeministrit dhe si i sheh ajo kërkesat e SBASHK-ut? Dhe, a po angazhohet Presidentja Osmani që të ndihmojë diçka në mosmarrëveshjen sindikata – Qeveri?

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Pak pasi përfundoi takimin në Komisionin Parlamentar për Arsim, ku u përball me sulme të pushtetit, drejtuesit të sindikatave të arsimit, Rrahman Jasharajt, i ra të shkonte edhe te kryeministri Albin Kurti.

Jasharaj, në gjendje jo shumë të mirë shëndetësore, sot përshkruan takimin e djeshëm që ndodhi në Qeveri. Ai shkoi bashkë me Drejtoreshën Evropiane të Komitetit Evropian të Sindikatave për Arsim, Susan Flocken. Kurti e priti me formacionin e rregullt të tij, ministren Arbërie Nagavci dhe ministrin Hekuran Murati.

“Takimi ka qenë në gjuhën angleze, të cilën kryeministri e di perfekt. Ka folur me znj. Flocken, e cila pastaj ia ka sqaruar përkthyesit tonë se çfarë është folur”, tregon kryesindikalisti, kur pyetet nëse ai foli diçka në këtë takim.

“Ishte takim normal dhe ka qenë korrekt nga të dyja palët”, vlerëson Jasharaj.

Zyra e Kryeministrit ka lëshuar njoftim për media, ku tregonte se çka i tha Kurti, përfaqësueses evropiane. Aty nuk mungonin ankesat ndaj sindikalistëve.

Jasharaj, tutje në bisedën me Express thotë se kryesindikalistja evropiane e arsimit i ka parë kërkesat e SBASHK-ut si legjitime dhe i ka kërkuar Qeverisë që të dialogojë me Këshillin Grevist deri në arritjen e një marrëveshjeje.

“Flocken i ka treguar se SBASHK-u ka përkrahje. Dhe, i ka kërkuar që të fillojë dialogu”.

Kur pyetet se si i sheh kryesindikalistja kërkesat e SBASHK-ut, pasi Kurti insiston se kërkesat e sindikatave janë të llojit “shantazhues”, Jasharaj thotë: “në komunikimin që kemi [me sindikalistët evropianë], e kanë vlerësuar se kërkesat janë të drejta, janë legjitime”.

Qeveritarët, thotë Jasharaj, ia kanë thënë znj. Flocken, ato që u kanë thënë edhe atyre më parë.

Flocken ndërkaq, sipas Jasharaj, është e zhgënjyer me moslëvizjen e Qeverisë për të gjetur një zgjidhje për grevat, që kanë hyrë në javën e katërt.

“Është shprehur tepër e zhgënjyer për shkak të qëndrimit të ngurtë të Qeverisë”. Kësisoj, thotë Jasharaj, ajo do të bëjë raportim me gjendjen të cilën e ka parë në Kosovë.

“Do të raportojë në komisionet gjegjëse në kuadër të BE-së, të cilat merren me dialogun social. Ajo do të bëjë raportin më të sinqertë për situatën, e që do të jetë kritikues për qasjen e Qeverisë”, tha ai.

Pushteti veçse ka rritur fyerjet dhe sulmet ndaj Jasharajt të sindikatave. Dje në Parlament, pati përplasje, pasi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, shpërtheu kundër SBASHK-ut.

Por, si u soll Kurti pas gjithë këtyre dje me Jasharajn?

Kryesindikalisti thotë se takimi “ishte normal”, porse ai duket i indinjuar me trajtimin që Kurti ia bën publikisht.

Ai thotë se s’ka asgjë personale me Kurtin dhe as ai s’ka bazë që të ketë diçka. Jasharaj thotë se me kryeministrat para Kurtit ka pasur diskutime më të ashpra.

“Nuk kam asnjë çështje private, kjo pyetje duhet t’i bëhet Kurtit. Nëse ai ka diçka personale, e ka të pabazuar. Me kryeministrat e tjerë kam pasur diksutime pak më të nxehta”, thotë si.

Jasharaj shqetësohet që greva dhe qëndrimet e SBASHK-ut po paraqiten sikur të jenë individuale, qëndrime të një personi, ashtu që të delegjitimohen kërkesat e përgjithshme të mësimdhënësve dhe anëtarësisë.

Kurti e ka përseritur disa herë, kudo dhe, sipas njoftimit të ZKM-së, i ka bërë me dije edhe kryesindikalistes evropiane se Jasharaj pas një takimi i ka thënë se do të diskutojë me anëtarësinë, por menjëherë ka dalë e u ka thënë gazetarëve se “greva vazhdon”.

Jasharaj e ka një shpjegim pse u deklarua para mediave se s’kishte marrëveshje në ditën e takimit. Thotë se u tha mediave se greva vazhdon, sepse Kurti s’kishte prezantuar asgjë të re, dhe anëtarësia ato të vjetrat tashmë i dinte.

“Qëllimi i tyre është që ta paraqesin individin se mban ose ndalë greva. E vërteta është krejt ndryshe. Ne kemi pasur takime dy orë dhe s’ka pasur asnjë ndryshim. Asnjë lëvizje pozitive. Fjala “unë flas me anëtarësinë” me Kurtin ka qenë, nëse ai ofron diçka të re”, thotë Jasharaj.

“Kjo deklaratë ‘më premtoi se flet me anëtarësinë’, ‘më tha si vëlla’…unë e kam mbajtur premtimin, por para mediave në mënyrë direkte kam thënë se mbaroi takimi pa asgjë të re dhe çfarë kam pasur ta pyes anëtarësinë kur s’pati asgjë të re”, vazhdon Jasharaj.

Kryesindikalisti pohon se gjatë takimeve ai provon që të gjendet një zgjidhje dhe se nuk nxjerrë fjali nga to për t’i përdorur jashtë. Jasharaj ndihet se po tallet e bulizohet nga Kryeministri, i cili po përsërit një fjali se Jasharaj në një pikë të takimit i ka thënë “na ndihmo si vëlla”.

Po ashtu shprehet i hatëruar që Kurti provon të nxjerrë ndonjë fjali nga takimi, që, sipas tij, më pas përdoret jashtë konteksti në publik. Ai thotë se nuk merr asnjë fjali që mund ta thonë Kurti, Nagavci apo Murati, e ta transmetojë në publik.

“Mund t iu rrëshqasë ndonjë fjali që merret ndryshe, por ne s’i marrim që të dalim të tallemi me to”.

“Ai më ironi më sarkazmë thotë ‘më tha vëlla.. Qeveria Kurti aspak s’është e interesuar ta kthejë situatën normale”, thotë kryesindikalisti.

“Nuk mund të bëhet dialog i sinqertë, me ‘merre ose lije’”, thotë Jasharaj.

Kur viti shkollor nuk filloi, Presidentja Vjosa Osmani ka bërë thirrje që të ketë dialog, duke treguar se ka kontaktuar gjitha palët e përfshira në këtë mosmarrëveshje.

Jasharaj, i pyetur për angazhimin e Osmanit, lë të kuptohet se nuk është që Presidentja po merret më me këtë çështje.

“Jo, as ajo nuk ka arritur ta bëjë më shumë. Ajo është Presidente, ka angazhime dhe nuk i hidhërohemi. Ajo fillimisht u angazhua, por heshtja tregon se nuk diçka”, thotë Jasharaj.

Avokati i Popullit është përfshirë në mosmarrëveshjet sindikata – Qeveri, që edhe më tutje po mbajnë shkollat mbyllur. Jasharaj, kur flet për institucionin e Avokatit të Popullit, të cilin e drejton Naim Qelaj, thotë se ai duhet t’i trajtojë sindikatat dhe Qeverinë barabartë, e jo të anojë.

“Edhe ai herë këndej edhe andej. Ne e kemi lutur që të jemi palë të barabarta ne me qeverinë. Palët duhet të jenë të barabarta”, thotë Jasharaj.

Përfaqësuesit e sindikatave të Kosovës dhe Kryeministri Albin Kurti kanë pasur disa takime së fundmi. Asnjëra nga to nuk ka përfunduar me sukses dhe greva në shkolla ka vazhduar.

Përgjatë kësaj kohe, Qeveria dhe shumica parlamentare kanë akuzuar sindikalistët, duke refuzuar t’u plotësohen kërkesat e tyre. Një prej kërkesave kryesore të tyre është rritja e pagesës mujore për 100 euro për mësimdhënësit, deri në fuqizimin e Ligjit për Paga. Kryesindikalistët e shohin esenciale këtë rritje për shkak të krizave ekonomike dhe inflacionit që ka goditur vendin.

Kryeministri Kurti ka ndarë disa pako gjithëpërfshirëse dhe ai vlerëson se me këto pako ndihmohen mësimdhënësit, sepse ndihmohen potencialisht familjarët e tyre. /Express/