Në vend të ligjëratës që nuk e mbajta - Gazeta Express
string(37) "ne-vend-te-ligjerates-qe-nuk-e-mbajta"

Gazeta Express

19/03/2020 16:43

Në vend të ligjëratës që nuk e mbajta

Gazeta Express

19/03/2020 16:43

Politika jonë e ka humbur sensin e realitetit dhe aftësinë për t’i kuptuar ndryshimet e mëdha që po ndodhin në botë, në mesin e të cilave më dramatike janë përçarja e Perëndimit dhe kriza e madhe e Bashkimit Europian. Nuk po e kuptojmë dot edhe një fakt tjetër : ne i kemi shterrur të gjitha mundësitë për të bërë përpara me statusin aktual të shtetit të papërfunduar!

Shkruan: Blerim Latifi

Lexo Edhe:

Shkova në fakultet që të mbaj një ligjëratë online, ashtu siç kemi marrë udhëzime nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës. Mezi e gjeta kujdestarin që të më hapte derën e fakultetit. Kush e dinte se ku e kishte futur kokën?  E thirra në telefon dhe kur erdhi më tha se kishte dalë të rrezitej jashtë fakultetit, në anën e pasme të tij. Kur më hapi derën i thash të qëndronte larg meje.

Një heshtje varri mbizotëronte në ambientet e fakultetit. A ka ardhur dikush tjetër?- e pyeta portierin. Jo, askush – ishte përgjigjja e tij. Mbase japin mësim nga shtëpitë e tyre, mendova. Nuk u ngjita me ashensor në katin më të lartë, aty ku e kam zyrën, nga frika se ndokush nga kolegët e mi mund të ketë lënë ndonjë coronavirus në të. Kemi filluar të bëhemi paranojakë të gjithë.

E gjithë bota rreth e rrotull na duket si kërcënim. Padukshmëria e armikut na e ka krijuar ndjesinë e pranisë së tij në çdo gjë. Edhe në teologji është e njëjta gjë : në mënyrë që Zoti të besohet si i gjithëpranishëm, ai duhet konceptuar si i padukshëm!

 Derën e hapa me brryll dhe gjënë e parë që bëra me të hyrë brenda ishte larja e duarve me alkool. Pastrimi obsesiv është pasojë e traumës së epidemisë.Në një libër që e kam lexuar shumë vite më parë për “Vdekjen e Zezë”, Murtajën e Madhe që mbyti gati gjithë Europën në shekullin e XIV, përmendet ky obsesion. Kultura e mbajtjes së pastër të ambienteve në Europë, zuri fill në atë kohë. Madje, ka studiues që thonë se vetë Rilindja Europiane, e cila i parapriu Iluminizmit, zanafillohet po në atë kohë.

Për shkak se fakulteti ngrohet me nxemjen qendrore të qytetit, e cila nuk ndalet asnjëherë, brenda në zyrë ishte krijuar një zagushi e madhe. Të merrej fryma prej saj.

Hapa dritaret dhe hodha shikimin andej nga Bibilioteka Kombëtare, e cila mban emrin e një njeriu që poashtu ishte viktimë e një epidemie. Fjala është për Pjetër Bogdanin, padyshim njëri nga njerëzit më të mëdhenj që ka lindur kjo tokë. Ai vdiq nga murtaja pikërisht në Prishtinë, në vitin e largët 1689, derisa po merrte pjesë në luftën e koalicionit europian kundër Perandorisë Osmane. Në atë luftë gjërat shkuan shumë keq dhe Kosovës do t’i duhej të priste edhe 310 vite të tjera që një koalicion tjetër ushtarak perëndimor ta çlironte përfundimisht.

Në ditët e zakonshme Biblioteka dhe ambienti rreth saj zien nga njerëzit, kryesisht studentë, të cilët lexojnë aty. Tani nuk shihej asnjë frymë njeriu. Heshtjen e mbysnin vetëm të lehurat e një grupi qensh, të cilët grindeshin me njëri tjetrin dhe, në grindje e sipër, herë shkonin në drejtim të Galerisë së Arteve, e herë ktheheshin afër Bibliotekës.

Ka shumë qenë të lirë në Prishtinë. Duket se bërllogu që gjendet gjithandej e bën tërheqës për ta këtë qytet. E hapa kompjuterin që të filloj nga puna, por nuk kishte internet. Mendova të zbrisja poshtë e të pyesja kujdestarin e fakultetit në mos dinte se ku është problemi i mungesës së internetit, por hoqa dorë shpejt nga ky mendim.

Në fund të fundit, kjo çështje nuk ishte punë e tij. Derisa po e prisja ardhjen e internetit, ndodhi diçka tjetër : u ndal energjia elektrike. Thash me vete : Këto janë shenjat e shthurjes së sistemit institucional. Në shtetet e dobëta, epidemitë, si kjo e coronavirusit, shkaktojnë kaos të përgjithshëm, brenda të cilit askush nuk lodhet fort për përgjegjësinë publike që ka, ngase gjithë e kanë vëmendjen tek lëkura e tyre personale. Kaosi bëhet edhe më i frikshëm kur në mes të tij bie qeveria, siç është duke ndodhur aktualisht në Kosovë. Me siguri duhet të jemi rasti i vetëm në botë ku në prag të katastrofës epidemiologjike, politikanët në rend të ditës i  kanë intrigat kundër njëri tjetrin.

Madje edhe Shqipëria, e cila që nga rënia e komunizmin vuan nga lufta e pamëshirshme e partive politike për pushtet, tani në ditët e coronavirusit është duke jetuar ditët më të qeta politike në tridhjetë vitet e fundit. Kemi mësuar nga historia se në kohët e fatkeqësive kolektive njerëzit i lënë grindjet mes tyre dhe bashkohën për të përballuar më lehtë gjëmën që u kanë rënë mbi kokë. Siç duket ky ligj psikosocial tek ne nuk ka efekt. Pra, ne jemi sui generis edhe në këtë drejtim.

E kemi dëshmuar edhe në të kaluarën. Në luftë po të mos ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkimi midis pacifistëve të LDK-së dhe luftëtarëve të UÇK-së, sipas të gjitha gjasave, nuk do të ndodhte. Në atë kohë, po nën presionin amerikan, u krijua një qeveri uniteti, e cila quhej Qeveria e Përkohshme e Kosovës.

Uniteti i saj morri fund në momentin që amerikanët nuk u morën më me të. Edhe të parët tanë vuanin nga ky sindrom që nuk e di se kush e ka quajtur bajraktarizëm. Tregojnë se në vitin 1912, kur ushtria serbe po u afrohej kufijve të Kosovës, me të dëgjuar alarmin njerëzit filluan të grumbulloheshin për t’u dalë në pritë trupave serbe.

Kur gjithçka ishte gati, plasi sherri mes prijësve dhe bajraktarëve rreth asaj se kush duhej të vihej në krye të rezistencës. Njëri thoshte : Unë! Tjetri ia kthente : Pse ti, e jo unë? Ndërhynte një i tretë : As ti, as ti, por unë! Derisa mospajtimet vazhdonin, trupat serbe kapërcyen Merdarën, marshuan nëpër Llap dhe brenda pak orësh u futën në Prishtinë. Ndërkaq, rapsodi popullor e përjetësoi këtë situatë në vargjet e këngës : “S’mund e pritën as deri n’drekë”.

Këta shembuj dhe situata e fundit flasin se ne ende nuk e kemi arritur pjekurinë e nevojshme, dhe të domosdoshme, për të funksionuar si një shtet i pavarur, pa një kujdestar të jashtëm që merret me mirëmbajtjen e unitetit të brendshëm politik.

Forca e interesit nacional ende është e dobët përballë egove të shfrenuara të politikanëve tanë për pushtet personal. E vetmja shpresë mbetet në atë se kujdestari ynë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç duket, ka vendosur që t’i japë edhe një shtytje zhbllokimit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, por, paradoksalisht, vetë ne jemi bërë pengesë e kësaj shtytjeje, si pasojë e faktit se në vitet e fundit kemi lejuar që në politikën tonë të depërtoj fryma e skepticizmit ndaj qëllimeve të mira amerikane ndaj nesh.

Kjo frymë skepticizmi, përgjatë shumë viteve, është ushqyer nga radikalë të majtë brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe nga qarqe salafiste që janë jashtë politikës, por kanë agjentët e tyre brenda saj. Në këtë mënyrë ia kemi lidhur këmbët vetvetes dhe këtë jemi duke e paguar shumë shtrenjtë : tri qeveri të rrëzuara brenda tri vitesh, stagnim total ekonomik, stagnim total në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe klimë pesimizmi tek popullata.

Politika jonë e ka humbur sensin e realitetit dhe aftësinë për t’i kuptuar ndryshimet e mëdha që po ndodhin në botë, në mesin e të cilave më dramatiket janë përçarja e Perëndimit dhe kriza e madhe e Bashkimit Europian.

Nuk po e kuptojmë dot edhe një fakt tjetër : ne i kemi shterrur të gjitha mundësitë për të bërë përpara me statusin aktual të shtetit të papërfunduar! Përpjekja e re amerikane niset pikërisht nga ky fakt.

Nëse nuk e kuptojmë këtë gjë, ne do të vazhdojmë të zhytemi thellë e më thellë në moçalin e ndotur politik të cilin e kemi krijuar vetë. Dhe një ditë mund të mos gjendet askush për të na ndihmuar që të dalim prej tij.