Dje, më 8 korrik 2025, në Teatrin Kombëtar të Kosovës nisi zyrtarisht edicioni i dytë i Festivalit të Filmit Studentor UPward – një ngjarje që vendos në qendër krijimtarinë studentore dhe bashkon talentet e reja të filmit nga Kosova, rajoni dhe më gjerë.
Ceremonia u hap me një performancë muzikore nga prof. Dukagjin Muhaxheri, më pas, fjalën përshëndetëse e mbajti Dekani i Fakultetit të Arteve, prof. dr. Hazir Haziri, i cili theksoi rëndësinë e festivalit si një platformë e fuqishme për promovimin e zërave të rinj dhe për nxitjen e bashkëpunimit mes shkollave të filmit.
Në këtë edicion marrin pjesë profesorë dhe studentë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Spanja, duke e shndërruar festivalin në një ngjarje me karakter të theksuar ndërkombëtar.
Hapja zyrtare u kurorëzua me shfaqjen e filmit të shkurtër nga studentja Fationa Miftari (Regji Filmi dhe TV, viti i katërt), i cili u prit me interes nga publiku.
Festivali do të vazhdojë deri më 11 korrik, me një program të pasur që përfshin shfaqje filmash studentorë, diskutime me autorët, panele me profesionistë të industrisë dhe sesione reflektuese për kineastët e rinj.