Në Tiranë u festua 249-vjetori i Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një aleat strategjik i Shqipërisë, në një ceremoni të organizuar nga Ambasada e SHBA-së në vend. Në event ishin të pranishëm drejtues të lartë të shtetit, institucioneve të pavarura, përfaqësues politikë nga të gjitha partitë, përfshirë deputetë opozitarë, si dhe përfaqësues të medias.
Në fjalën e saj përshëndetëse, e ngarkuara me punë e Ambasadës, Nancy VanHorn, u fokusua te rëndësia e sigurisë në një botë të trazuar dhe bashkëpunimi me aleatët. “Siç tha Presidenti Trump gjatë festimit të këtij guri kilometrik në Uashington disa javë më parë, në atë ditë ‘Liria mori mburojën e saj dhe pavarësia mori shpatën e saj. Ata patriotë të Ushtrisë së parë në Revolucionin Amerikan luftuan kundër një armiku të frikshëm dhe mundësive të pafavorshme, por ishin të armatosur me një kauzë të drejtë.“
VanHorn theksoi gjithashtu angazhimin e vendeve aleate për të mbrojtur vlerat e përbashkëta. “Gjatë dy shekujve e gjysmë të fundit, udhëheqja amerikane ka shtruar rrugën për një botë më të lirë, më paqësore dhe më të begatë. Por, nuk mund ta bëjmë këtë të vetëm. Tashmë udhëheqësit tanë janë duke u kthyer në shtëpi nga Samiti i NATO-s, ku Aleatët u zotuan të investojnë 5 për qind të PBB-së së tyre çdo vit për kërkesat bazë të mbrojtjes. Ne po mbështetemi tek aleatët tanë që të bëjnë pjesën e tyre për të mbrojtur vlerat që të gjithë i çmojmë shumë.”
Diplomatja amerikane kujtoi edhe bashkëpunimin ushtarak ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-së në stërvitjen DEFENDER-Europë.
“U preka thellë kur dëgjova nga një prej partnerëve tanë shqiptarë historinë e një ushtari shqiptar të vrarë në aksion, ndërsa shërbente në kufi përkrah SHBA-së gati një dekadë më parë. Ai la pas një vajzë të vogël – tani një vajzë e re. I kërkova zotërisë që ndau këtë histori me mua që t’i thoshte se sa thellësisht e vlerësojmë sakrificën e babait të saj. Ky është vetëm një shembull i sakrificave të shumta që kanë bërë edhe shqiptarët për të mbrojtur liritë tona dhe për të ndërtuar një botë më paqësore. Jemi me fat të kemi Aleatë si Shqipëria!”
Nancy VanHorn përfundoi me mesazhin për trashëgiminë e Pavarësisë amerikane.
“Falë sakrificës së kaq shumë amerikanëve dhe aleatëve mund të mblidhemi sonte për të festuar liritë tona. Ne mund t’i rrisim fëmijët tanë të sigurt për një të ardhme ku ata do të gëzojnë ato të drejta të patjetërsueshme të përjetësuara në Deklaratën e Pavarësisë, nënshkruar 249 vjet më parë: Jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë.”
Ndërsa shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura shqiptare, Gjeneral Major Arben Kingji, në përshëndetjen e tij nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe përkushtimit.
“Paqja dhe siguria nuk janë të garantuara, ato kërkojnë përkushtim të përditshëm, unitet mes aleatëve dhe veprim të koordinuar. Samiti i fundit i NATO-s konfirmoi edhe një herë kohezionin e aleancës dhe mbështetjen e SHBA-së për mbrojtjen kolektive, si dhe gatishmërinë e vendeve për rritjen e buxhetit. SHBA mbeten partneri ynë i rëndësishëm strategjik, roli i tyre në rajon, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor është i pazëvendësueshëm.”