Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, ka përforcuar retorikën e tij kundër Ukrainës dhe Bashkimit Europian, duke pretenduar në një postim shumë konfrontues në rrjetet sociale se “udhëheqësit brukselianë” – termi i tij përçmues për zyrtarët e lartë të BE-së – “kanë arritur një marrëveshje me presidentin Volodymyr Zelenskyy për të vazhduar luftën”.
“Kjo është lajm i keq për Europën. Një luftë po zgjatet që qartazi nuk ka zgjidhje në fushëbetejë, megjithatë po shkakton shkatërrime të mëdha”, tha ai, duke theksuar numrin e lartë të viktimave të konfliktit.
“Kjo është ajo që Brukseli po mbështet”, pretendoi ai, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Lideri pro-rus, për të cilin besohet se rrezikon të humbasë pushtetin pas 16 vitesh në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pretendoi se Ukraina dhe Europa po e humbin luftën dhe po e provokojnë në mënyrë të panevojshme Rusinë drejt një përballjeje bërthamore – duke përsëritur në thelb disa nga qëndrimet më të fundit të Kremlinit.
Ai ngriti gjithashtu akuza të tjera – pa paraqitur asnjë provë – se gjatë Konferencës së fundit të Mynihut, lideri i opozitës hungareze nga partia Tisza, Péter Magyar, kishte arritur një “marrëveshje të fshehtë” me BE-në, “nën patronazhin gjerman”, duke ofruar mbështetjen e tij për luftën.
“Hungaria duhet të qëndrojë jashtë kësaj. Qeveria hungareze duhet të mbrojë sigurinë e vendit”, tha ai.
Komentet e tij duhen parë në dritën e zgjedhjeve të ardhshme në prill, ndërsa sondazhet sugjerojnë se Viktor Orbán po mbetet pas me 10 pikë përqindje ndaj partisë Tisza të Magyart, teksa ai po përpiqet të ashpërsojë retorikën e tij kundër Ukrainës për të siguruar përfitime elektorale.