Në pritje të fatit - Gazeta Express

Në pritje të fatit

Gazeta Express

20/10/2020 14:44

Nuk është fare e vështirë të kuptohet çka na pret, të gjithë neve, si Kosovë, nëse vetëm do të rrimë dhe do të presim pa u marrë si duhet me situatën politik në vend.

Shkruan: Blerim Shala

Po lehtë paska qenë.

Kur një problem i madh zgjidhet, pa ndërlikime dhe kokëdhimbje të mëdha, si në rastin e një individi a familje, apo, edhe në një shoqëri dhe në politikën e një shteti, rëndom përdoret kjo fjali apo shfrytëzohet ky konstatim.

Madje, ia marrim vetes për të madhe se si nuk paskeni qenë në gjendje ta vërejmë thelbin e këtij problemi i cili paska qenë fare i dukshëm dhe i zgjidhshëm.

Por ne si politikë, me përjashtime shumë të rralla, së paku në pesë-gjashtë vitet e fundit, rëndom, kemi aplikuar dy qasje krejtësisht të gabuara, sa herë kemi pasur përballë sprova të mëdha politike për vendin.

Qasja e parë mund të klasifikohet si ‘Modeli i kaprollit para dritës së veturës’.

Kaprolli, kur para tij natën është një veturë me drita të gjata, në vend se të ikë më pyll, paralizohet i tëri dhe fare lehtë mund të kapet.

Qasja e dytë është ajo që mund të quhet si ‘klasike’ ndër ne, e të cilën ne e dimë me atë thënien e moçme  (shumë të urtë, përndryshe), sipas të cilës, ‘Kur thyhet qerrja gjinden udhët…’.

Pra, përvoja e jonë, si politikë kosovare, tash e sa vjet ndërlidhet me këtë vetë-paralizën kur drita (dhe dija politike), na e bën me dije ku jemi dhe çka mund të na gjejë, apo çka do të ndodhë me ne nëse nuk veprojmë, ose, kur edhe pse para nesh hapen udhët e shumta të adresimit dhe zgjidhjes së problemeve me të cilat ballafaqohemi, ne me apo ma vetëdije, rastësisht apo krejt qëllimisht, ia mësymë atij shtegu ku do ta ‘thyejmë qerren tonë politike’, duke besuar që pastaj, kur të bëhemi një herë copë dhe grimë, do të kuptojmë pse duhet ndërmarrë një veprim i cili ka qenë tash e sa kohë i domosdoshëm, i ditur, i njohur, i qartë.

Mund të zgjedhim këtu akëcilën prej temave të cilat tash e sa kohë bëjnë kryelajmet politike dhe mediatike në vend, apo, të cilat pak kohë më parë ishin të tilla, teksa qasja e jonë, si skenë politike, në trajtimin e tyre shquhej pikërisht me këtë paralizimin e vetes, me thyerjen e qerres dhe me gjinden e rrugëve më pas.

Në këto raste, natyrisht, jo vetëm që humben rastet dhe mundësitë të cilat i kemi pasur fare pranë nesh  (ta zëmë, Liberalizimi i vizave në gjysmën e dytë të vitit 2016-të), por për më shumë, ne shtrerrim atë që ka vlerën më të madhe për secilin njeri dhe për secilën shoqëri: kohën.

Ne ia kemi humbur vetes, në një formë apo tjetrën, së paku gjysmë e dymbëdhjetë viteve që prej se Kosova është bërë shtet i pavarur.

Mund të merret me mend se ku do të ishim sot si shtet, po të mos silleshim në këtë mënyrë.

Në rrethanat e tanishme politike në vend, të cilat sa vijnë dhe ndërlikohen e përkeqësohen, dhe me atë paralajmërimin e ditur për të gjithë që ka si adresë Dhomat e Specializuara në Hagë, nuk duhet farë dije e madhe politike për të pohuar që ne po shkojmë turr dhe vrap, kah një krizë e re e madhe politike në vend.

Madje, edhe situata e tanishme politike mjafton për të mbërri te një përfundim që shquan ecjen stabile kah një destabilizim i ri i politikës kosovare, e cila edhe ashtu, veçmas prej vitit 2017-të e tutje  (me dy palë zgjedhje dhe me tri Qeveri dhe tre Kryeministra), nuk njeh farë qëndrueshmërie të njëmendtë.

Qeveria e tanishme e Kosovës ka telashe evidente me sigurimin e përkrahjes minimale  (prej së paku 61 deputetëve), për të funksionuar si duhet, si në këtë aspektin e brendshëm  (gjë që u pa me gjashtë përpjekjet e pasuksesshme për ta kaluar Ligjin për mëkëmbjen ekonomike), ashtu edhe në atë të jashtëm  (vazhdimi i dialogut të Brukselit, kur tani mbi tavolinën e bisedimeve është edhe tema e Asociacionit/ Bashkësisë së komunave).

Në anën tjetër, opozita e tanishme parlamentare, nuk ka realisht kapacitet të bollshëm (në trajtë të votave të deputetëve), për ta sfiduar dhe kërcënuar Qeverinë me një Mocion të mosbesimit apo me rrëzimin e saj.

Siç ka ndodhur vazhdimisht në të kaluarën, një Qeveri bie tek ne, vetëm kur vet Kryeministri (dhe partia e tij) preferon të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare, ose edhe kur ndonjëri prej subjekteve të koalicionit qeverisës ‘ndërron anë’ dhe e përkrah një Mocion të opozitës.

Shkalla e problemeve aktuale të Kosovës, teksa mund vetëm të supozohet se sa do të rriten dhe do të thellohen ato pas njoftimeve që mund të na vijnë nga Haga, imponon një dakordim të gjerë politik parlamentar, por edhe jashtëparlamentar, me synim që të ndodhë një fuqizim politik institucional i Kosovës, i pashoq në gjashtë vitet e fundit, i cili do të mundëson që ne ta ruajmë disi, me njëqind telashe, një baraspeshë politike, e cila edhe në rastin më të mirë do të jetë e brishtë.

Por, në këtë rast, nëse diçka e tillë do të ndërmerret në politikën kosovare, nëse pra do të ketë përpjekje për ta tejkaluar këtë vendnumërimin e vazhdueshëm politik  (të gjashtë viteve të fundit), vet kjo nismë do të sillte një cilësi të re në politikën kosovare, teksa në ato rrethana, do të mund të pritej edhe një rezultat i matshëm i kuptimit dhe i bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të liderëve dhe subjekteve politike tradicionale të Kosovës.

Thuhet në politikë që idetë dhe solucionet më të mira janë ato që kanë tiparet e të qenit ide dhe zgjidhje të domosdoshme.

Ato rëndom nuk kanë alternativë. Ose, dihet pak a shumë se cila është alternativa në atë rast, ajo që na kthen edhe një herë tek ai ‘Modeli’ i ‘qerres së thyer’, pas të cilës përnjëherësh hapen udhët në të katër anët.

Për një venerues dhe përcjellës të zhvillimeve politike në Kosovës, i cili nuk ka farë interesi të drejtpërdrejtë të ndërlidhur me këto ngjarje, është e pakuptimtë pse ka hezitim në politikën kosovare për të kuptuar pashmangshmërinë e veprimeve të cilat synojnë një stabilizim afatmesëm të skenës politike në vend.

Nuk është aspak e vështirë të kuptohet për çka bëhet fjalë në të vërtetë, dhe çka na pret, të gjithë neve, si Kosovë, nëse vetëm do të rrimë dhe do të presim pa u marrë si duhet me fatin tonë si politikë dhe si vend.