Në përthyerjen e bardhë - Gazeta Express
string(23) "ne-perthyerjen-e-bardhe"

Arte

Gazeta Express

26/04/2021 14:06

Në përthyerjen e bardhë

Arte

Gazeta Express

26/04/2021 14:06

Mbi romanin “Gjumi mbi borë”, të shkrimtarit Ridvan Dibra

Teuta Dhima

Lexo Edhe:

Romanin Gjumi mbi borë e kam lexuar, për rastësi, menjëherë pas romanit  Në kërkim të fëmijës së humbur. M’u krijua përshtypja e vazhdimësisë pasi, në romanin Në kërkim të fëmijës së humbur, autori Ridvan Dibra kthehet në fëmijërinë e tij, ndërsa tek Gjumi mbi borë, ai  përshkruan atë periudhë të jetës, kur ishte i sapoemëruar mësues në fshat.

Jemi mësuar tanimë me shprehjen standard të autorëve, shënuar në faqen menjëherë pas titullit, ku shkruhet: përkimet me jetën time, me situata, vende dhe njerëz realë janë krejtësisht të rastësishme. Dibra, me ironi e quan këtë përkim jo krejt të rastit duke i paraprirë kuriozitetit të lexuesit për vërtetësinë e ngjarjeve. Sepse jo pak të tillë, priren të vënë kufinj e të ndajnë, ku mbaron e vërteta dhe ku fillon trillimi, fantazia e autorit, ojnat e mendjes së tij. Ky kufi është i pamundur të kërkohet, aq më tepër, kur në moshën autor-personazh ka një diferencë kohe.  Romani ka elementë biografikë, por nuk është një autobigrafi; jo më kot, autori e ka quajtur roman dhe jo autobiografi. Në lidhje me këtë, Dibra citon Niçen: “Autori ka nevojë për një maskë, përndryshe banalizohet arti krijues”.

Metaforika e “gjumit” në roman

Punimin tim e kam titulluar Në përthyerjen e bardhë, pasi romani Gjumi mbi borë, është një roman që duhet lexuar nëpërmjet metaforës. Ashtu si drita përthyhet mbi një sipërfaqe, ashtu përthyhet edhe ëndrra tek Dibra. Ëndrra e një mësuesi që sapo ka mbaruar studimet dhe është emëruar në fshat.  Mësuesi brenda rreshkës apo ortekut, krahasohet me Jonain brenda barkut të balenës dhe më pas me fëmijën në mitrën e nënës. Pendimi, qortimi i vetes dhe pastaj, pafajësia e një foshnjeje të palindur. Ky është mësuesi që i duhet të përballet me gjumin, me rreshkën, me verin.

Një rol të rëndësishëm luajnë në roman elementet kohë dhe distancë. Përsa i përket distancës, mësuesi është shumë pranë fshatit, rrugë që në një ditë normale, mund ta përshkonte pa më të voglin problem. Ndërsa koha, është një mbrëmje e vetme, por që ngërthen brenda saj një periudhë të jetës së mësuesit, ku e tashmja lidhet me kujtimet, të cilat vijnë me fragmente.

Kurthi i borës, gjendja e lodhjes, afrimi i gjumit, janë aludime të Dibrës për gjendjen shpirtërore  të individit në shoqërinë socialiste të cilës ai i përkiste. Sistemit, që të kontrollonte dhe ëndrrën, dashurinë, dëshirën për të jetuar e për të hedhur hapa drejt së ardhmes. Bora e bardhë, delikate, përfshirëse, bëhet shtrati më i rrezikshëm. Ajo të paralizon gjymtyrët, të mjegullon shikimin, të sjell përgjumjen.

Autori priret të ketë preferenca për të rrëfyer ngjarje të vogla, përkundrejt ngjarjeve të mëdha. Vlerat e Dibrës qëndrojnë në aftësinë e të pasqyruarit, dhe jo të asaj që pasqyrohet në të. Nëse do ta zhvishnim ngjarjen nga ngarkesa metaforike, del thjesht një njeri që mundohet të shmangë gjendjen e gjumit, siç mund të ndodhë rëndom. Por gjumi mbi borë, nuk është vetëm gjendja e njeriut, kur trupi pushon dhe ndërpritet plotësisht ose pjesërisht veprimtaria e vetëdijes dhe dobësohen disa procese fiziologjike; nevoja, dëshira. Gjumi mbi borë, është rënia në një gjendje amullie, plogështie që arrin deri në dëshpërim, në një shoqëri që të paralizon  me ideologjizma dhe nuk të le të jetosh ëndrrën.

Dibra ka zgjedhur mësuesin e letërsisë për t’u kthyer me ironi në vlagën e kujtimeve të asaj kohe. I prirur për mëvetësi në stilin e tij të të rrëfyerit, edhe kësaj radhe, ai e ka gjetur një zgjidhje me të cilën do të hapë dyert e kujtimeve. Zgjidhja e Dibrës është mësuesi, i cili vendoset në një gjendje fizike dhe mendore jo të zakontë: fizikisht mësuesi është i mardhur, i mbetur në mes të dëborës dhe ngricës, ndërsa gjendja mendore e tij jepet në një kufi delikat; në prag të dremitjes- rënies në dremitje dhe daljes së beftë prej saj.

Ndryshe nga Në kërkim të fëmijës së humbur, ku ai rrëfen vetë për fëmijërinë e tij, tek Gjumi mbi borë, Dibra ka vendosur mësuesin dhe e ka quajtur thjesht Mësues, që jeton e punon në fshatin që thjesht quhet Fshat. Kjo përzgjedhje është në funksion të idesë që: ato çfarë i ndodhnin mësuesit, mund t’i ndodhnin gjithkujt, kudo, në çdo territor të Shqipërisë. Mund t’i ndodhnin Lulit nga Lushnja, Bertit nga Berati, Pushkinit nga Përmeti…

Dibra vendoset në pozita ironike ndaj realitetit dhe trajton dilema dhe probleme të njeriut bashkëkohor.

Linjat e rrëfimit në roman

Sipas Ag Apollonit, romani Gjumi mbi borë, rrëfehet nga fillimi deri në fund prej perspektivës onirike. Në të ka dy linja: mbetja e mësuesit të bllokuar në borë dhe kujtimet që i vijnë ndër mend, çfarë ka ndodhur me të në fshat. Këto gërshetohen me njëra- tjetrën dhe sillen bukur në roman, të ndihmuara nga gjendja klimaterike e mjedisit ku vendoset personazhi, (bora) dhe gjendja fizike,  përgjumja që i provokon ky mjedis. Rrëfimi është në vetën e parë dhe në këtë rast, ligjërimi i personazhit shihet jo më në raport me personazhet e tjerë, por me mendimet e brendshme të tij.  Është tipike kjo e Dibrës, i cili shqetësohet nga e padukshmja, sidomos ajo brenda tij, që përbën spektaklin më të dëshirueshëm e më të urrejtshëm njëkohësisht.

Rrëfimi nis me mësuesin që përgjërohet: “Dua të fle! Kam nevojë  të fle! Veç një sy gjumë ju lutem!”.

Megjithëse e kishin porositur që ditët e para të mbërritjes në fshat: “Kurrë nuk duhet të flesh mbi borë! A more vesh? Kurrë!”. Këto porosi ishin si një  lloj “mirëseardhjeje për msusin e ri prej Qytetit”. Kjo linjë, prezantohet duke sjellë emrat, datat dhe vendet e njerëzve që kishin ngrirë në borë. Madje, si për rastësi, njëri prej tyre kishte qenë mësuesi i letërsisë që kishte zëvendësuar mësuesi ynë. Sipas  Ag Apollonit, autori ia heq lexuesit frikën për vdekjen eventuale, sepse e para, romani është autobiografik dhe si i tillë përjashton probabilitetin për të rrëfyer vdekjen e autorit; e dyta, implikimet autoriale në tekst e fshijnë mundësinë e vdekjes së personazhit të identifikueshëm me narratorin, i cili nga ana tjetër identifikohet me autorin. Ngjarjet ndjekin njëra – tjetrën dhe vijnë në formë sekuencash. Ato alternohen: një herë e tashmja dhe frika nga orteku, dhe një herë e kaluara me kujtime nga Fshati. Mësuesi jepet në tre momente:

– I sapoardhur në fshat, ku i lihet në dorëzim biblioteka e shkollës, ku është i pavendosur nga do ta fillojë pushtimin e saj.

– Mes borës dhe acarit që e ndjell në gjumin vdekjeprurës, ku nuk vendos dot me çfarë ta ndezi zjarrin, me librat e autorëve vendas apo me letrat e dashurisë.

– Momenti kur ka shpëtuar nga gjumi mbi borë, domethënë nga ngrirja e plotë dhe vdekja, dhe ndjen se ka ardhur momenti që të ndërpriten shënimet dhe rrëfimet e tij.

Imagjinata e lexuesit ka marrë një start më shumë, pasi tani pritet të merret vesh çfarë ka ndodhur me mësuesin. Kjo imagjinatë “ushqehet” nga tendenca e autorit për të krijuar luhatje në gjendjen emocionale të lexuesit. Pikërisht në momentin kur të gjithë janë sy e veshë, ai e drejton vëmendjen drejt fshatit. Fshatit që shihet si në një ekran madhështor ku qartësia e shikimit varet nga gjendja e mësuesit. Ajo herë kthjellohet e herë turbullohet. Fshatit që duket i rrëmujshëm si të ishte vizatuar me ngut nga dora e një fëmije.

Linjat e rrëfimit shkëmbehen me njëra-tjetrën dhe vendin e të tashmes shqetësuese dhe shpëtimit nga gjumi dhe ngrirja, e zenë ngjarjet nga jeta e mësuesit në fshat, pra e kaluara. Këto shkëmbime bëhen të shoqëruara me gjendjen e mësuesit: rënie në përgjumje dhe dalje prej saj. Më pas, dalin në një plan të dytë kujtimet dhe merr rëndësi shpëtimi nga orteku.

Në intervistë me auorin ai shprehet se, është e rëndësishme që në rrëfim të ngrihen metafora. Ato ngrihen më të fuqishme në sajë të enumeracionit që përdor ai: Zyra e Partisë, Zyra e Propagandës, Zyra e Denoncimeve etj. Këto mjaftojnë për të bërë të qartë situatën dhe gjendjen në të cilën ishin të detyruar të jetonin njerëzit jo vetëm në Fshat, por edhe më gjërë. Por, me këtë gjendje, nuk pajtohet mësuesi. Ai e sfidon gjumin, e refuzon atë dhe pavarësisht vështirësive mendon: Të paktën kur të shkrijë bora në pranverë a ndoshta edhe më herët, trupin tim do ta gjejnë të paprishur, të ruajtur, të ngrirë. Bora, Fshati, ndonjëherë sikur kthehen në një aleat për mësuesin, i cili është larg nga jeta e qytetit. Ai është atje në pritje, që të shkrijë bora, kur të afrojë pranvera e lirisë. Kjo pranverë patjetër që do të vijë pasi, nuk ka forcë t’i ndalë stinët.

Dibra e ka thyer pasqyrën e kujtimeve përmes fragmentaritetit në tij, karakteristikë e postmodernizmit të cilit edhe i përket. Vihet re një çoroditje në rrëfim. Një çoroditje që mbahet në këmbë deri në fund, nëpërmjet gjendjes së mësuesit i cili kujton:

– Udhëtimin për tek Kroi i bardhë. I lumtur se udhëtimin do ta bënte me Martën. Marrinat e dashnisë, rrotullimet mbi bar e përqafimet, thyhen, si qelqi. Ëndrra e dashurisë përthyehet, kur gjenden përballë çiftit të përqafuar e të tretur në bunker. (Të përqafuar mbi shtrojën e thatë).

– Caktimin si specialist i mortajave. Nuk goditen mullarët, po shtëpitë e Kryeziut.

– Zgjimi nga vaji i grave, që i ndez një llambushkë kujtimi: Vajin e Gjergjit nga Gjirokastra.

– Në fund, kur kthehet nga Qyteti për në Fshat, pas fejesës zyrtare, i pikëlluar e i mërzitur, ai nuk përshkon rrugën siç e bënte zakonisht, nëpër Oazet e pushimit të cilat i quan edhe me emër, por i nxjerr dorën makinës së kooperativës. Në mënyrë figurative diçka po ndryshon, në udhën e mësuesit, në jetën e tij.

– Vdekja e diktatorit dhe reagimet e shokëve të mësuesit, Lulit trupvogël nga Lushnja, Bertit nga Berati, Pushkinit nga Përmeti. Përpara këtyre reagimeve, mësuesi mbetet pa fjalë ose pa tekst, dhe vazhdon akoma pijen aty ku e ka lënë. Një zot e di nga shendi apo trishtimi.

Mësuesi i fshatit, thekson studiuesi Arben Prendi, është në shumë cilësi e tipare, autori vetë dhe shumë prej përvojave të tij jetësore janë reale, sigurisht të përpunuara artistikisht në formën e rrëfimit artistik.

Gjuha e autorit në vepër

Nëse kuturisni ta harxhoni kohën tuaj me këtë tekst, kushtojini, ju lutem, pak vëmendje edhe gjuhës së tij. Sepse janë derdhur shumë energji aty. Siç ndodh te një dashuri e madhe, e pakrahasueshme dhe e pazëvendësueshme me diçka tjetër e cila, ndoshta për ndokënd, mund të duket disi e vjetëruar, shkruan Dibra, në faqen e parë të librit të tij.  Edhe nëse nuk do ta kishte bërë autori këtë kërkesë, është e pamundur të mos i kushtosh vëmendje gjuhës së përdorur prej tij. Gjithçka rrëfehet me një dritë që e ka burimin në bashkëjetesën e një sërë fjalësh dialektore me gjuhën letrare. Këto fjalë nuk janë të shumta, por kanë vlerë pasi i japin më shumë ngjyresa gjuhës së autorit. Për Dibrën, autor me një mëvetësi të spikatur si në tematikë dhe në ndërtimin e subjektit, kjo është një gjetje që godet aty ku ai synon të arrijë nëpërmjet personazheve. Në lidhje me këtë lloj përzgjedhjeje, profesor Gjovalin Shkurtaj thekson se, është për t’u shënuar se vetë tematika e veprave që shkruajnë, i shpie shkrimtarët në lëmin e fjalëve dhe të shprehjeve të përshtatshme, të cilat, në raste të caktuara, edhe pse mund të jenë dialektore, çojnë udhën drejt përdorimit në letërsi, jo vetëm për realizimin e figurës së personazheve, për ngjyrim apo individualizim, por edhe në gjuhën e vetë autorit për një shprehje më të gjerë dhe mëvetësi të realitetit.

Emrat e personazheve, kanë rëndësinë e tyre dhe nuk duhen nënvlerësuar aspak. Në këtë pikë, duhet të kemi parasysh gjeografinë letrare të autorit dhe gjeografinë letrare të personazheve. Përsa i përket të parës, Dibra është shkodran. Ai ka sjellë një sërë fjalësh, të cilat e kanë ndihmuar atë në paraqitjen e mirë artistike të veprës së tij.  Ndërsa, përsa i përket të dytës, personazhet e tij janë vendas, pra nga Fshati malor me dëborë dhe të tjerët, janë të ardhur nga e gjithë Shqipëria.

 Nuk mund të mos bëhesh mbartësi edhe i sërë trajtash fjalësh e shprehjesh që janë pjellë e pranëvënies në mjedise të njëjta të banorëve, punëtorëve apo kuadrove, por që vihen në planin e përgjithshëm të jetesës, vë në dukje  Shkurtaj. Kjo pranëvënie është shumë e dallueshme tek romani Gjumi mbi borë, ku janë mbledhur kuadro të rinj nga e gjithë Shqipëria. Dibra i ka individualizuar bukur ata, duke sjellë përdorimin e trajtave fonetike e morfologjike dialektore p.sh.:  tash ~ tani,  të dashtunës ~ të dashurës, të krahasuem ~ të krahasuar, shpi~ shtëpi, bjerruna~ humbur,  zjarrmia~ të nxehtët; ose: – Ke me ma pagu shtrenjtë msus! (Dreni nxënësi që pinte cigare); momenti  kur i urojnë mirëseardhjen fshatarët: – Shoku msus a munt’ erdhe? A të lodhi rruga?

Orteku! – thotë Pushkini nga Përmeti.  Rreshka! – ulërin Gjergji nga Gjirokastra. Për të mos harruar që orteku dhe veri, janë fjalë që bëhen si një refren në vepër.

Rasti kur djemtë e ardhur nga e gjithë Shqipëria, komplimentojnë mes tyre vajzën e bukur Sara, ardhur nga kryeqyteti. Secili me fjalë e shprehje që i përkasin vendit nga ata kanë ardhur.

Vihet re gjithashtu edhe përdorimi i pastekstit, ose shpiegime në kllapa. Për shembull: kur flet për të atin:  Im, atë (i zbehtë e plot emocione nga prania për herë të parë në një zyrë shtetërore të nivelit kaq të lartë, i deklamon sikur po i reciton fjalitë, të cilat i ka mësuar pëmendësh  qysh më parë)[1];

Ministri (me një dritë djallëzore ndër sytë) etj., etj. Ky lloj përdorimi e ndihmon autorin të sjellë me peshën e duhur dialogun në këtë rast. Dibra ka bërë sprovat e tij edhe në shkrimin e dramës, dhe dialogu mes Ministrit dhe babait ka elementë të këtij zhanri. Lexuesi, me këtë lloj paraqitjeje e ka  të lehtë të kuptojë më shumë dhe autori të arrijë qëllimin e tij.

Përgjatë gjithë tekstit vihet re përdorimi i fjalëve me shkrim korsiv. Kjo zgjedhje e autorit, është një gjetje e tij për t’i mëshuar edhe më shumë idesë që do të shprehë dhe i jep fjalës përkatëse, ngjyrimin dhe forcën e duhur,  për të mbajtur peshën e mendimit të tij.

Vihet re që në momentet më kyç, teksti shoqërohet me imazhe të cilat janë të titulluara si më poshtë:

– Qielli me re dhe hëna që duket sikur shoqëron mësuesin në mbrëmjen e tij.

– Ujqërit mbi borë.

– Qielli me shkreptima.

– Orteku që zbret nga mali.

– Natë e errët me borën që zbardh gjithkund.

– Bunkeri i mbuluar nga bora.

– Lëndina me lule ku me Martën bëri marrina dashnie.

– Pamja e mortajave.

Ky lloj shoqërimi dhe sekuencat e shumta në rrëfim, të krijojnë përshtypjen se po sheh një film, pra kemi ndikimin e estetikës kinematografike mbi letërsinë. Leximi i këtij romani nuk ka qenë thjesht vetëm mbarimi i tij, mbyllja dhe vendosja në raft. Ai të lë pas një lloj shijeje të çuditshme, që përkon me dëshirën për të ditur më shumë, për të gjetur përkime nga sa rrëfehet në jetën tonë.

Për këtë shije të mbetur, Ardian Marashi shprehet: Romanet e Dibrës, vazhdojnë të punojnë brenda nesh edhe mbas leximit, duke na nxitur të kërkojmë lidhjet e fshehura kuptimore që zgjaten përtej romaneve dhe përtej autorit të tyre. E kjo nuk ndodh shpesh, madje mjaft rrallë, me autorë e vepra në letërsinë tonë.

[1] R. Dibra, Gjumi mbi borë, Onufri, 2016, f. 22