Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili po ua lë fajin PDK-së, LDK-së dhe AAK-së për moskonstituimin e Kuvendit duke thënë se kjo është detyrë e të gjitha partive, vite më parë nga ulësja e deputetit kritikonte partinë e parë kur vonohej formimi i institucioneve të reja.
“Me 52 deputetë, por nuk po e çan kokën që nuk e përfaqëson shumicën. Shteti jonë është Republikë P-A-R-L-A-M-E-N-T-A-R-E. Në Parlament duhet shumica. Nuk e keni shumicën! Ju duhet ta keni shumicën, por nuk e keni shumicën. 52 deputetë janë…”, thoshte Kurti atëherë.
Një video e kësaj deklarate të atëhershme të Kurtit po qarkullon në rrjetet sociale. “Kurti i dikurshëm i drejtohet Kurtit të sotëm” është përshkrimi.
Në rrethana të njëjta, por në një situatë kur partia në pushtet tash është LVV-ja e tij, Kurti po ua hedh fajin partive të tjera për moskonstituimin e Kuvendit dhe mosformimin e Qeverisë së re gati mbi katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.
Pasi e propozuara e LVV-së, Albulena Haxhiu dështoi disa herë me radhë që t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare, LVV-ja po e hedh në votim çdo dy ditë propozimin për formimin e një komisioni për votim të fshehtë, i cili gjithashtu nuk po i merr votat e nevojshme. Të dielën ishin vetëm 51 vota për.
Partitë tjera shqiptare argumentojnë se është shkelje ndërrimi i mënyrës së votimit në gjysmë të procesit.
Gjykata Kushtetuese po e shqyrton një pyetje që ka shkuar atje në lidhje me këtë çështje.
aaaaa