Presidentja Vjosa Osmani u shfaq sot në zyrën e saj për të folur për ndalimin e kamermanit të Paparacit, Jetmir Muji të mërkurën, kur ai po incizonte mbrojtjen e afërt të vajzave të saj në afërsi të një shkolle private ku ato ndjekin mësimin.
Osmani tha se mbrojtja e saj nuk e ka ndaluar askënd, ndërsa insistoi se po synohej incizimi i vajzave të saj.
Paparaci ka publikuar një video duke mohuar se janë incizuar vajzat e presidentes. Raportimin për shkollimin e vajzave të saj ajo e konsideroi “politik”.
“Si është e mundur që paskan shku gazetarë bash në momentin kur fëmijën kanë pasur të dilnin nga shkolla. E unë po ju tregoj se në atë moment fëmijët kanë pasur të dilnin nga shkolla”, tha ajo.
Osmani tha se është informuar nga Policia se “aty ka ekzistuar edhe shenja që ndalohet incizimi, sepse hapësira është pjesë private e shkollës”.
“Neve na është thënë që kanë ardhë me i incizu vajzat. Na është thënë si informatë”, tha ajo.
Osmani tha se nuk pati incizime të fëmijëve të saj sepse “një gjë të tillë e ka parandaluar Policia”.
Prokurori i rastit, Rrahim Podvorica, i cili urdhëroi lirimin e kameramanit, tha se nuk kishte vepër penale dhe se ai po incizonte në një hapësirë publike.
“Në këto rrethana unë iu kam thënë që ta lirojnë personin në fjalë. Për momentin nuk ka pasur elemente që të hapet rast”, tha ai për KALLXO.com.
Duke iu referuar kësaj, Osmani tha se “prokurori do të ishte mirë që ta shohë vetë vendin e ngjarjes, ta pyes Policinë për pengesën që u është bërë në kryerjen e detyrës zyrtare – sepse ata policë e kanë një detyrë: mbrojtjen e afërt të fëmijëve”.
“Ata nuk kanë mundur t’i marrin fëmijët dhe t’i vendosin në makina pa u larguar gazetari sepse Policia janë të informuar me ligje dhe e dinë që me ligj ndalohet incizimi i paautorizuar. Pra, Policia e ka kryer punën e vet”, tha ajo.
Këtë vjeshtë, çantat Lucky Bees janë aksesorët që çdo grua duhet t’i ketë. Me modele tote, crossbody dhe shpine,...