Në nëntor “s’ishte koha e duhur”, Ministrat e Kurtit me plane të reja për vizita në Amerikë - Gazeta Express
string(87) "ne-nentor-sishte-koha-e-duhur-ministrat-e-kurtit-me-plane-te-reja-per-vizita-ne-amerike"

Lajme

Gazeta Express

25/01/2023 15:30

Në nëntor “s’ishte koha e duhur”, Ministrat e Kurtit me plane të reja për vizita në Amerikë

Lajme

Gazeta Express

25/01/2023 15:30

Ministrat e Qeverisë së Kosovës po synojnë sërish të shkojnë për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në nëntor të vitit të kaluar, ata planifikuan një vizitë, por Ambasada Amerikane iu tha se “nuk është koha e duhur”, për shkak të krizës në veri.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Në fund të vitit të kaluar, qeveritarëve iu bë e ndaluar vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi Washingtoni u zhgënjye me Qeverinë e Kosovës, e cila nuk e përfillte kërkesën për ta shtyrë për 10 muaj zbatimin e vendimit për zëvendësimin e targave të automjeteve, të lëshuara nga Serbia. Vendimi i qeverisë kosovare ishte bërë shkas për rritjen e tensioneve në veri, por zgjidhja u arrit më pas me një marrëveshje të nënshkruar në Bruksel.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishin planifikuar të niseshin drejt SHBA-së, por kjo nuk ndodhi. Të njëjtën rrugë synonin ta merrnin edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi bashkë me tre kryetarë komunash nga Lëvizja Vetëvendosje: Shpejtim Bulliqin, Alban Hysenin dhe Qemal Aliun. Por kjo s’është bërë ende dhe vendimi amerikan u shpjegua si një qortim diplomatik për Kosovën.

Ministri Elbert Krasniqi i tha Gazetës Express të mërkurën se këtë vizitë synojnë ta zhvillojnë në pranverë.

“Kemi thënë në pranverë… Jemi në organizim e sipër. Tash duhet të definojmë shumë data, por jemi në organizim e sipër me sa kam informacion nga kolegët” tha Krasniqi.

Deri para pranverës, siç pretendon Qeveria, është përcaktuar afati deri kur synohet të arrihet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërkombëtarët, ndërkaq, kanë hezituar të përmendin afate.

Në nëntor të vitit të kaluar u bë e ditur se SHBA-ja nuk deshi që ministrat e Kosovës ta vizitonin SHBA-në në atë kohë. Këtë, Qeverisë ia kishte komunikuar Ambasada Amerikane në Prishtinë.

“Ne aktualisht jemi në një krizë, dhe është pikëpamja jonë që, ne jemi tejet të përqendruar në këtë krizë, besojmë që edhe kjo qeveri është e përqendruar në këtë krizë, dhe mendojmë se nuk është koha mbase domosdoshmërisht më e duhura që ministrat të jenë duke udhëtuar për në SHBA për takime zyrtare duke e pasur parasysh krizën të cilën duhet trajtuar këtu. Dhe këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në qeveri”, pati thënë ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier në një takim me gazetarë.

Kjo ndalesë nuk vleu për krerët e partive opozitare. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku zhvilluan vizitat e tyre në Washington.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pasi më 9 nëntor i kishte quajtur shpifje raportimet për anulimin e vizitës së saj në SHBA, pasditen e po asaj dite kishte pranuar se s’do të shkonte. Thoshte se bashkërisht me zyrtarë të lartë të ambasadës së SHBA-së në Prishtinë ishin pajtuar se “duhet ta shtyjmë për një datë më të përshtatshme vizitën”.

“Sot pasdite jam takuar me zyrtarë të lartë të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë. Ndër të tjera, diskutuam edhe rreth ftesës së tyre për vizitë në SHBA. Marrë parasysh situatën aktuale politike në vend, bashkërisht kemi konsideruar se duhet ta shtyejmë për një datë më të përshtatshme vizitën. Lajmet se më është refuzuar viza dhe lajmet tjera lidhur me viziten, ndryshe nga ky shpjegim, nuk qëndrojnë pra janë të pavërteta”, kishte shkruar Haxhiu në Facebook.

Në një përgjigje me shkrim, Ministria e Drejtësisë kishte thënë se vizita ishte shtyrë për në dhjetor të vitit të kaluar, por Haxhiu pati thënë se “datat do t’ua kumtojmë me kohë”.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha të martën se po planifikon të udhëtojë drejt SHBA-së “në fund të këtij muaji”.