Në mungesë të prokurorit Njazi Rexha, ka dështuar seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ndaj Leotrim Selimit dhe Bejtë Hasanit për vrasjen e rëndë në shkurt të 2021-ës në Mitrovicë.
Leotrim Selimi ngarkohet për vrasje të rëndë të M.K dhe plagosje të Behar Halilit si dhe ngarkohet për armëmbajtje pa leje. Ndërsa, Bejtë Hasani po akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, pasi sipas aktakuzës, me dashje kishte filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj Florim Sadikut, e të cilën nuk e kishte përfunduar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kryetari i trupit gjykues, Fatos Sejdijaj tha se prokurori Njazi Rexha ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, ndërsa mungesën e ka arsyetuar duke e njoftuar gjykatën se nuk mund të jetë prezent sepse është në pushim.
Por, anëtari i trupit gjykues, Avni Mehmeti tha se sipas tij mungesa e prokurorit nuk është e arsyeshme sepse të drejtën e pushimit e ka shfrytëzuar pasi është caktuar seanca e sotme gjyqësore.
Në fund, gjatë dakordimit për seancën e radhës, trupi gjykues kërkoi që seanca të caktohet në një datë të afërt pasi rasti është në rigjykim dhe se të pandehurit vazhdojnë të qëndrojnë nën masën e paraburgimit.
Kujtojmë se seanca e 14 marsit 2024 ishte shtyrë për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit Selimi, avokati Naser Sopjani, ka kërkuar përjashtimin e anëtarit të trupit gjykues Mentor Hajraj.
Lidhur me këtë, gjykatësi Sejdijaj njoftoi se kërkesa e avokatit Sopjani fillimisht është refuzuar nga kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, e më pas edhe nga Gjykata e Apelit.
Në këto rrethana, seanca e sotme dhe ajo e paraparë për nesër janë shtyrë, ndërsa të radhës janë caktuar për një datë tjetër.
Më 8 shtator 2023, Gjykata Themelore në Mitrovicë, e kishte dënuar me dënim unik prej 21 vjet e gjashtë muaj burgim të akuzuarin Leotrim Selimi, ndërsa Bejtë Hasani u dënua me dënim unik prej 7 vjet e 6 muaj.
Mirëpo, ndaj këtij vendimi, ankesë në Gjykatën e Apelit, kishin ushtruar mbrojtësit e të akuzuarve, me ç’rast më 19 janar 2024 Apeli aprovoi ankesat dhe sipas detyrës zyrtare e ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 28 tetor 2021 kishte ngritur aktakuzë kundër Leotrim Selimit, Bejtë Hasanit, Valon Ibishit dhe Valmir Selimit.
Të akuzuarit Valon Ibishi dhe Valmir Selimi më 17 nëntor 2021 janë dënuar me nga 700 euro gjobë dhe me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 8 muajsh (secili veç e veç), pasi pranuan fajësinë për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.
Të akuzuarit Leutrim Selimi dhe Bejtë Hasani e kishin pranuar fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje, andaj gjykata refuzoi këtë pranim fajësie dhe ndaj tyre ishte veçuar procedura.
Sipas pikës I.1 të aktakuzës, Leotrim Selimi më 12 shkurt 2021, në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin M.K, ku pas një mosmarrëveshje rreth punëtorëve me pronarin e “Proper Pizza”, Albert Beqiri, vjen deri te konflikti mes grupit të “Maestros”, Leotrim Selimi, Bejtë Hasani, Valmir Ibishi, Liridon Selimi, Labinot Selimi, dhe grupit të “Proper Pizza”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili e M.K.
Sipas aktakuzës thuhet se i pandehuri Leotrim Selimi kishte nxjerrë pistoletën e markës “Crvena Zastava” dhe kishte shtënë në viktimën dhe godet në pjesën e përparme të djathtë të kraharorit e si rezultat i plagëve të marra vdes. Tutje, në aktakuzë thuhet se predhat e goditin edhe Behar Halilin, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.5 të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me jo më pak se 10 vite burgim ose me burgim të përjetshëm.
Ndërsa, në pikën I.2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Leotrim Selimi më 12 shkurt 2021 në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, ka poseduar pistoletën e markës “Crvena Zastava”, me një karikator, e cila i është sekuestruar nga policia.
Me këtë, sipas aktakuzës, ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK e në bashkim real me veprën penale nën pikën 1 të dispozitivit.
Sipas pikës II.1 të aktakuzës, Bejtë Hasani më 12 shkurt 2021, në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj Florim Sadikut, e të cilën nuk e ka përfunduar.
Tutje në aktakuzë thuhet se pas fjalosjes mes grupit të “Proper Pizza”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili e M.K, dhe grupit të “Maestros” Leotrim Selimi, Bejtë Hasani, Valmir Ibishi, Liridon Selimi, Labinot Selimi, rreth punëtorëve, nxjerrë pistoletën e markës “Crvena Zastava”, dhe shtie në drejtim të grupit të “Proper Pizza”, me këtë rast e godet Florim Sadikun dhe i shkakton dëmtime të rënda trupore, si dhe vë në rrezik jetën e personave të grupit të “Proper Pizza”.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë” nga neni 173, par. 1, pika 1.5 e lidhur me nenin 28 të KPRK-së.
Ndërsa, sipas pikës II. 2 të aktakuzës, i pandehuri Bejtë Hasani më 12 shkurt 2021 në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm mbi armët ka poseduar pistoletën e markës “Crvena Zastava”, e cila i është sekuestruar nga policia.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK, e në bashkim real me veprën penale nën pikën 1 dhe 2 të dispozitivit.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në pikën III. 1 thuhet se i pandehuri Valon Ibishi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, ka poseduar pistoletën e prodhuesit “Tulla Tukarev”, e cila është sekuestruar nga policia.
Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK.
Ndërsa, në pikën III.2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Valon Ibishi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët ka përdorur në mënyrë kërcënuese pistoletën e prodhuesit “Tulla Tukarev”, duke e nxjerrë gjatë konfliktit mes grupeve dhe drejtuar M.K., Mentor Beqirit, Florim Sadikut dhe Behar Halilit.
Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, par. 1 të Kodit Penal, e në bashkim real me veprën penale nën pikën III/1.
Ndërsa, në pikën e fundit IV.1 të aktakuzës, i pandehuri Valmir Selimi thuhet se më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët ka poseduar pistoletën e markës gjysmëautomatike ‘Eibar Star”, me një karikator dhe tre fishekë, e cila është sekuestruar nga policia.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së.
Ndërsa, në pikën IV. 2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Valmir Selimi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm mbi armët ka përdorur në mënyrë kërcënuese ndaj grupit të “Proper Pizza”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili, e M.K., pistoletën e markës “Eibar Star”, duke e nxjerrë dhe repetitë para lokalit.
Me këtë, sipas aktakuzës, ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, par. 1 të Kodit Penal, e në bashkim real me veprën penale nën pikën IV/1 të dispozitivit.