Në masakrën e përgjakshme të djeshme në Graz, raportohet se është vrarë edhe Hana Akmadzhiq (15), me prejardhje nga Cazini, qytet në Bosnje e Hercegovinë.
Sipas Cazin.net, Hana nuk ishte një vajzë e zakonshme.
“Ajo ishte shembulli i asaj që prindërit dëshirojnë te fëmijët e tyre – e sjellshme, e dashur, e përkushtuar dhe besimtare”, thuhet në tekst, dhe shtohet:
“Familja dhe komuniteti i saj e përshkruanin si një fëmijë që ndriçonte kudo që shkonte. Vdekja e saj ka lënë një gjurmë të pashlyeshme – jo vetëm në familjen dhe xhaminë e Gnjilavcit, të cilës i përkiste, por edhe te ata që ndoshta nuk e kanë njohur fare, por ndiejnë një dhimbje të thellë sepse një jetë e tillë u shua shumë herët, larg shtëpisë dhe atdheut.”
“Vrasja e Hanës nuk është vetëm një tragjedi për një familje, por edhe një paralajmërim për të gjithë shoqërinë se e keqja nuk ka as fe, as komb. Nuk mund të lejojmë të heshtim kur viktima janë fëmijë të pafajshëm”, thuhet në një njoftim të një prej shoqatave të qytetarëve në Graz.
Në mesin e të vrarëve në Graz janë edhe Kaid J., një djalë nga Travniku, si dhe Lea Bajrami (15) nga Kosova.
Sulmuesi, pas masakrës, kreu vetëvrasje, ndërsa motivi ende nuk është zyrtarisht konfirmuar.