Një debat i fortë u zhvillua sot në Kuvendin e Shqipërisë, ku deputeti i opozitës Flamur Noka akuzoi shumicën për manipulim të votave nga diaspora, duke përmendur 130 mijë fletë votimi të zhdukura dhe vendosje të pajisjeve GPS në zarfa të votimit.
“Shpjegojani qytetarëve ku janë 130 mijë fletë votimi. Shqiptarët në diasporë kërkonin të votonin, por votoi Toyota. Kanë futur GPS në zarfa, 300 në Londër që kanë futur GPS dhe tregojnë se votat janë marrë”, deklaroi Noka, duke ngritur dyshime për manipulim dhe shkelje të rëndë të procesit zgjedhor.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, reagoi me tone të ashpra, duke e cilësuar deklaratën si të pabazë dhe të rrezikshme: “O Flamur, kjo që thua është e dënueshme penalisht. Nëse ke prova, pse nuk i dorëzon në SPAK? Të thuash që GPS në Londër tregojnë se votat janë marrë këtu, është jo vetëm absurde, por edhe një akuzë që kërkon përgjegjësi.”
Balla shtoi se të gjitha pretendimet e opozitës po rrëzohen një nga një në KQZ dhe se rezultatet e zgjedhjeve janë të qarta: “Ju keni marrë 300 mijë e ca vota më pak.”
Debati vijoi me tensione, teksa Noka tentoi të përmendte raportin e OSBE-ODIHR për datën 11 maj, por ndërhyrja e ministres Elisa Spiropali ndërpreu fjalën e tij: “Kjo nuk është për procedurë”, tha Spiropali, duke shkaktuar edhe më shumë tension në sallë.
aaaaa