Në kujtim të Dr. Kenneth J. Oberembt - Gazeta Express
string(34) "ne-kujtim-te-dr-kenneth-j-oberembt"

Në kujtim të Dr. Kenneth J. Oberembt

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

05/09/2024 12:06

Fillet e jetës akademike dhe bibliotekare

Kenneth J. Oberembt, një bibliotekar dhe edukator i shquar nga SHBA-të, ndërroi jetë më 7 gusht 2024, duke lënë pas vetes një trashëgimi tejet të çmueshme në fushën e bibliotekarisë. I lindur më 16 dhjetor 1940, në Redwood Falls, Minnesota, Dr. Keni, siç njihet ai me këtë emër në Kosovë, zhvilloi një karrierë të bujshme akademike dhe bibliotekare nëpër kontinente e shtete të ndryshme të botës, duke ndikuar pozitivisht në jetët e njerëzve me të cilët punonte, i takonte, dhe i mentoronte.

Lexo Edhe:

Nga: Besim Kokollari, ish-asistenti dhe mik i tij

Dr. Keni i kreu studimet themelore në universitetin St. John në Minnesota. Ai magjistroi në letërsinë angleze prej Universitetit të Illinois, si dhe e kreu doktoratën në Universitetit e Iowa-s. Pasioni i tij për dijen dhe arsimin e çoi të japë mësim në institucione të ndryshme, duke përfshirë Kolegjin Mount Marty, Kolegjin St. Bernard, Universitetin e Washingtonit, Universitetin e Scranton dhe Universitetin Syracuse.

Ai magjistroi edhe në shkencat e bibliotekarisë prej Universitetit Columbia, drejtim që u bë edhe pasioni i tij i mëtejmë. Si rrjedhojë, Dr. Keni udhëtoi nëpër vende të ndryshme të botës, duke punuar në biblioteka të ndryshme në botën arabe, duke përfshirë Universitetin Amerikan të Kajros dhe Universitetin e Naftës dhe Mineraleve ‘’Mbreti Fahd’’ në Arabinë Saudite.

Dr. Keni shërbeu si drejtor i Përkohshëm i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovë në vitet 2002-2003, ku dha një kontribut të çmueshëm për zhvillimin e bibliotekave të Kosovës.

Bibliotekar me vizion me kontribut të shquar për bibliotekat e Kosovës

Dr. Keni kontribuoi në zhvillimin e bibliotekave të Kosovës gjersa shërbeu në Kosovë dhe më vonë. Nga tetori 2002 deri në mars 2003, ai shërbeu si drejtor i Përkohshëm i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Pozita e tij u financua nga Zyra e atëhershme e SHBA-së në Prishtinë (tani Ambasada e SHBA-së), duke reflektuar rëndësinë e misionit të tij për të avancuar bibliotekat e Kosovës, të cilat kishin një mungesë të gjatë në zhvillim si pasojë e luftës dhe neglizhencës institucionale të administratës së atëhershme të dhunshme. Dr. Keni shërbeu për një kohë të shkurtër edhe si Këshilltar i Lartë i Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për zhvillimin e bibliotekave deri në korrik të vitit 2003.

Vizion i Dr. Kenit për zhvillimin e bibliotekave në Kosovë ishte transformues. Ai ishte ideator i Javës së Bibliotekës në Kosovë, e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite. Java e Bibliotekës në Kosovë kishte për qëllim fillestar zhvillimin dhe promovimin e bibliotekave te publiku i gjerë, tërheqjen e investimeve nga qeveria dhe komuniteti, dhe avancimin e dijeve bibliotekare. Edhe pse ishte krijuar për të qenë një forum për bibliotekarët e Kosovës, Java shpejt do të bëhej edhe forum rajonal e ndërkombëtar i bibliotekave.

Plani i tij strategjik për zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare dhe për zhvillimin e Bibliotekës Universitare, edhe pse kurrë nuk u zbatua plotësisht, vendosi themelet për një sistem modern bibliotekar në Kosovë. Në të ai e paraqiti një vizion të qartë dhe të thjeshtë të zhvillimit të këtyre dy institucioneve të pavarura, të cilat buronin prej ligjit të atëhershëm të bibliotekave. Edhe motoja e shtjelluar në planin e tij strategjik për këto dy institucione që “Biblioteka Kombëtare shikon kah e kaluara, ndërsa Biblioteka Universitare shikon kah e ardhmja,” e theksonte rolin dhe orientimin e veçantë të këtyre dy institucioneve në sigurimin, ruajtjen dhe ofrimin e dijes për publikun kosovar dhe më gjerë.

Dr. Keni ishte një promovues i flaktë i shfrytëzimit të teknologjive informative në biblioteka. Ai kishte ide të qarta për modernizimin e bibliotekave të Kosovës, duke sugjeruar për to sistemet teknologjike më të avancuara bibliotekare të kohës. Natyrisht që ai ishte plotësisht i vetëdijshëm për mungesën e zhvillimit të mirëfilltë të bibliotekave të Kosovës përgjatë historisë së tyre për shkak të faktorëve politikë dhe ekonomikë. Andaj, e kishte parasysh nevojën e ngutshme për aftësimin e personelit bibliotekar, për përditësimin e dijeve bibliotekare, për diversifikimin e personelit bibliotekar me staf nga fusha e mosha të ndryshme, për zhvillimin e programeve të mirëfillta të arsimimit bibliotekar – si rrugë që duhej ndjekur medoemos në avancimin e bibliotekave të Kosovës që të jenë krah lexuesve të tyre të brendshëm e të jashtëm. Si rrjedhojë, ai së bashku me mikun e tij të ngushtë Michael McCllelan, ish-Zyrtar i Sektorit për Marrëdhënie me Publikun në Zyrën e SHBA-së në Prishtinë, kishin planifikuar dhe dizajnuar një ndër programet e para serioze dhe praktike të aftësimit të bibliotekarëve të Kosovës. Kështu në vitin 2005, Zyra e atëhershme Amerikane e financoi trajnimin katërmujor të nëntë bibliotekarëve kosovarë në SHBA në fushën e menaxhimit dhe shërbimeve bibliotekare. Përkushtimi i tij për këtë program ishte i dukshëm kur ai vizitoi pjesëmarrësit në Amherst të Massachusetts për të ndarë me ta përvojat e tij dhe orientimin e mëtejmë të zhvillimit të bibliotekave në Kosovë.

Një trashëgimi ndër breza

Ndikimi i Dr. Kenit shtrihej përtej bibliotekave ku ai punonte. Ai ishte një mjeshtër në menaxhimin e pritshmërive dhe në nxitjen e ndryshimeve të vogla, të cilat do të sillnin rezultate të rëndësishme. Ishte një mentor i pakrahasueshëm që dinte ta kalonte dijen, përvojën e njohurit te tjetri. Dinte të ndërtonte zinxhirë shkëmbimesh të njohurive e praktikave përmes forumeve, siç ishte Java e Bibliotekave në Kosovë, diskutimeve e mbledhive në mjedise të ndryshme, siç ishin vizitat nëpër biblioteka e institucione të ndryshme të kulturës brenda dhe jashtë vendit.

Përpjekjet e tij për ta kuptuar popullin e Kosovës, dhe si rrjedhojë edhe mundësitë e zhvillimit të bibliotekave të saj, ishin të jashtëzakonshme. Në këtë kontekst, ai ndante kohë për të vizituar familjen Jashari në Prekaz dhe merrte pjesë në përvjetorë dëshmorësh anekënd Kosovës, duke e treguar përkushtimin e tij të thellë për ta kuptuar si duhet kontekstin lokal. Ai e dinte që pa këtë kontekst edhe institucioni i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës nuk do të mund ta kryente misionin e dokumentimit të ngjarjeve të tilla të mëdha që e kishin formësuar historinë e Kosovës. Ai gjithashtu do të vizitonte Tiranën, Zagrebin, Lubljanën dhe plot vende të tjera për të formësuar ide sa më të mira dhe praktike për bibliotekat e Kosovës. Ai po ashtu e dinte që pa këtë kontekst nuk do të mund të sugjeronte rrugën e duhur e të avancuar të zhvillimit të bibliotekave të Kosovës.

Pas Kosovës, Dr. Keni u kthye në vendin e tij në Seattle, Washington (SHBA), por që interesi i tij për Kosovën nuk u zbeh asnjëherë. Ai mbeti një figurë e dashur në komunitetin e bibliotekarëve të Kosovës dhe me gjerë, i kujtuar për qasjen e tij vizionare dhe përkushtimin e palëkundur në përmirësimin dhe avancimin e shërbimeve bibliotekare. Ai do të vazhdojë të citohet gjithandej nëpër artikuj akademikë e shkencorë të bibliotekarëve të Kosovës dhe me gjerë.

Trashëgimia e Dr. Kenit vazhdon të frymëzojë bibliotekarët dhe dashamirësit e kulturës në Kosovë. Puna e tij hodhi themelet për një sistem të shëndetshëm bibliotekar, duke siguruar që brezat e ardhshëm të kenë qasje në burimet dhe shërbimet që u nevojiten. Përderisa me këtë artikull ne e kujtojmë Dr. Kenin për kontributin e tij në Kosovë, ne po ashtu vlerësojmë lartë karrierën dhe përkushitimin e tij për avancimin e dijes dhe zvhillimin e bibliotekave kudo që ai ka shërbyer e kontribuar. 

Në këtë link gjendet libri i kujtimeve për ata që e kanë njohur apo që duan të lënë ndonjë kujtim për të: https://obits.smartcremation.com/kenneth-oberembt