Në kërkim të fjalës së humbur - Gazeta Express
string(29) "ne-kerkim-te-fjales-se-humbur"

Dritan Dragusha

23/03/2020 15:08

Në kërkim të fjalës së humbur

Dritan Dragusha

23/03/2020 15:08

Përveç që shërbehemi me fjalët në përditshmërinë tonë, që të mundësojmë komunikimin mes njëri-tjetrit, që t’i plotësojmë kërkesat tona nëpërmes tyre, fjalët janë dhe paraqesin më shumë se kaq.

Shkruan: Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

Jashtëzakonshmëria e fjalëve qëndron në faktin e zakonshmërisë së tyre a priori, edhepse rrallherë ato kanë shpërfaqje të jashtëzakonshme. Pra, përveç që mëtojnë t’i japin kuptim një mendimi, ato janë edhe vetë mendimi (Heidegger).

Niveli më i lartë ku na shpien fjalët janë konceptet, si shprehja më e lartë që njeriu si qenie racionale mund ta prodhojë, e që pastaj konceptet janë ato forma me anë të të cilave ne e kuptimësojmë/ndërtojmë botën që na rrethon dhe i japim kuptim një realitetit të krijuar, sepse, siç thotë Gilles Deleuze, “një koncept është një tullë”, përmes të cilës mund të ndërtojmë diçka ose ta hedhim tutje.

Shpesh dhe varësisht edhe nga konteksti ato marrin ose humbin vlerën. Mirëpo, një gjë është e sigurt, se fjalët çdoherë janë të pranishme, qoftë duke ndryshuar një gjendje të caktuar, qoftë duke ndryshuar edhe vetë ne bashkë me to. Duke u nisur nga kjo rëndësi që kanë fjalët, mund t’i japim shpjegim edhe gjendjes shoqërore në të cilën ndodhemi aktualisht.

Që nga paslufta e këtej (madje edhe më herët), për shkak të përplasjeve të ndryshme, e sidomos atyre përplasjeve për pushtet, kishte filluar një inflacion i fjalës. Çkuptimësimi i saj u bë nga të gjithë dhe sot kemi arritur në pikën kur fjala e thënë (qoftë si shenjim, apo si shenjuese), nuk ka kurrëfarë vlere.

Nëse e vëzhgojmë edhe sociologjikisht, do të shohim se në një shoqëri kur ndodh degradimi i fjalës, ajo shoqëri përfundon edhe vetë në degradim. Prandaj, sot shoqëria kosovare është e dezorientuar, e pafuqishme dhe pa ndonjë vizion të qartë për të tashmen dhe të ardhmen për shkak të këtij lloj degradimi.

Mirëpo, shtrohet pyetja si erdhëm deri te kjo gjendje ku fjala nuk vlen as pesë para?!

Që nga paslufta njerëzit e veshur me pushtet politik, apo me pushtetin që buronte nga pjesëmarrja në luftë, pushtetin financiar dhe pushtetin mediatik, filluan ta atakojnë njëri-tjetrin publikisht për lloj-lloj delikuencash, deri edhe për krimet më monstruoze. Në fillim për shoqërinë ishin tronditëse këto akuza, që shumë shpejt u bënë pjesë e repertorit edhe të tyre.

Thuhet se melodia sado e keqe të jetë në fillim, nëse i imponohet veshit shpesh, atëherë nuk i bën më përshtypje. Kështu ndodhi edhe me ne, u tronditëm në fillim, por dikur u bëmë pjesë e kësaj loje. Kështu vazhdoi për vite.

Madje, kështu vazhdoi edhe pas shpalljes së pavarësisë, kur ne do të mund të krijonim mekanizma efikasë që të na mbrojnë nga ky ‘rrezatim’, por kështu vazhdon edhe sot. Akuzat gjatë gjithë kohës ishin dhe janë serioze në vetvete, sepse t’i thuash dikujt vrasës, i korruptuar, tradhtar, dhunues, spiun, kriminel etj., kjo është vërtet shumë serioze.

Pra, siç vërejmë, e gjithë kjo fillon dhe e zhvesh të akuzuarin nga çdo përgjegjësi etike dhe humane dhe, si rrjedhim, kur njeriu zhvleftësohet nga këto dy karakteristika, atëherë krejt çka mbetet është dhuna. Nëse kthehemi në retrospektivë dhe e vrojtojmë propagandën naziste, ajo ishte e koncentruar pikërisht te fjala, sepse e dinte se duke e zhvleftësuar njeriun, e zhvleftësonte edhe fjalën njëkohësisht. Për ta përligjur asgjësimin e hebrejve, nazizmit paraprakisht i duhej rrënuar karakterin human dhe etik të tyre. Po ashtu, e të njëjtës linjë ishte edhe propaganda e Millosheviçit, që shqiptarin e Kosovës ta paraqesë si një qenie që nuk e përfaqëson njeriun dhe denjësinë e tij, dhe si rrjedhim duhet asgjësuar. Pra, siç vërejmë, fjalët nuk janë vetëm për të ndërtuar koncepte dhe ide, por janë edhe mjet për të degraduar, dhunuar dhe vrarë tjetrin.

Mirëpo, tani në sistemet demokratike, e sidomos tek ato shoqëri që demokracia i ka arritur pas Rënies së Murit të Berlinit, ende fjalët nuk i konsiderojnë si fundament të demokracisë, ku përmes tyre secili individ lirshëm mund ta shprehë qëndrimin publik të tij, por e shohin si mjet përmes të cilës mund të kërcënojnë.

Në vendet me zhvillim demokratik kërcënimi i fjalës së lirë konsiderohet kërcënim i fundamentit të demokracisë, kurse te ne fjala e lirë paraqet kërcënim për atë që e shpreh.

Pluralizmi partiak që në pamje të parë u duk si shprehje demokratike, nuk u përkthye edhe në pluralizëm të mendimit. Nëse i shikojmë partitë politike në vend, organizmin e tyre të brendshëm, vërejmë se aty ka delegim, që kryesisht shkojnë përmes liderit, ose një grupi të fuqishëm. Dhe kjo është një nga ato modele (jo i vetmi) që e ka shndërruar aktivistin politik në një militant pothuajse të pandreqshëm.

Kështu ishin militantët e komunizmit, kështu ishin militantët e LPK-së, LDK-së, PDK-së, AAK-së, LVV-së etj. Pra, këta militantë të këtyre partive dallojnë nga njëri-tjetri vetëm përkah sigla, por jo edhe në qasje. Ata janë të lidhur ngushtësisht më liderin, ose për liderin. Janë të pamëshirshëm ndaj çdokujt që ua kritikon partinë, e sidomos udhëheqësin.

Mirëpo, nëse futemi pak më thellë në organizim të këtyre partive, vërejmë se këta militant partiak kanë një organizim të ngjashëm edhe në familjet e tyre dhe, si rrjedhim, del se ne jemi një shoqëri militantësh. Kështu, pra, mirëmbahet një sistem shtypës, ku shtypës janë të shtypurit, të dhunshëm janë të dhunuarit.

Duke pasur parasysh se në demokraci partitë politike janë organizime ku njerëzit mblidhen vullnetshëm rreth një ideje apo një kauze dhe ku ballafaqimi konceptual konsiderohet vlerë, tek ne ndodh krejt e kundërta. Mendimi yt (eventualisht nëse ke diçka të tillë) duhet të jetë një me liderin, kurse, në rastin ideal, ti nuk duhet të mendosh, sepse është lideri ai që mendon, ti vetëm zbaton (sic!). Ai, militant pra, nuk ka etje për dije, por ka etje për t’u dëshmuar para liderit dhe të tjerëve. Sekëlldisja e tij është çertifikata e besnikërisë ndaj partisë.

Prandaj, për ta ngopur këtë etje, janë partitë politike që manifest të diskursit e kanë populizmin. Nëpërmes populizmit ato mbajnë vigjilencën e militantit, i cili është i etur për hakmarrje ndaj tjetrit. Kështu edhe janë instaluar autokratët dhe autoritarizmi nëpër partitë politike, por edhe në krye të shteteve të ashtuquajtra demokratike. Duke pas parti dhe klasë politike kaq të papërgjegjshme, nuk kemi mundur të krijojmë individë që për veprime të caktuara mendojnë me kokën e tyre dhe marrin përgjegjësi, pra individë, parti dhe shoqëri më të ndërgjegjshme.

Mirëpo, jo. Kemi mbetur peng i këtyre organizimeve parapolitike populiste, të cilat kontrollohen nga liderë të frustruar, që në masën më të madhe pamundësojnë edhe demokratizimin e këtyre partive politike, si hap i parë edhe i demokratizimit të vetë shoqërisë.

Pa një demokratizim të tillë, fati ynë do të mbetej nën mëshirën e këtyre politikanëve populistë dhe nën qeverisjen e militantëve partiakë. Prandaj, zhbërja dhe pamundësia e rithemelimit të një kodi minimal etik dhe racional të komunikimit të ndërsjellë ka krijuar hendeqe të thella në mbarë shoqërinë.

Zhvatja që i është bërë fjalës gjatë gjithë këtyre viteve, shoqërinë e ka sjellë në një kolaps të tillë ku funksionimi normal i mekanizmave shtetëror dhe shoqëror pothuajse ka dështuar tërësisht. Kthjellja nga një gjendje e tillë duhet të fillojë aty ku ka nisur, te rikthimi dhe ndërgjegjësimi ndaj fjalës dhe për fjalën. Pa një ndërgjegjësim rreth asaj se çfarë themi, nuk do të mund të veprojmë dhe të funksionojmë normal as si shtet, as si shoqëri dhe as si njerëz.

Përderisa nuk e arrijmë këtë, atëherë nuk na mbetet tjetër vetëm t’i përmbahemi asaj që kërkonte dikur Pitagora: Bëhu i heshtur, ose le të vlejnë fjalët e tua më shumë se heshtja!