Që nga orët e hershme të mëngjesit, Kuvendi i Kosovës ka hapur dyert për homazhe në nderim të jetës dhe veprës së Dr. Bujar Bukoshit, ish kryeministrit në ekzil, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë.
Përfaqësues të institucioneve, bashkëpunëtorë, familjarë dhe qytetarë të shumtë po i bëjnë nderimet e fundit në hollin e Kuvendit.
Dr. Bujar Bukoshi ishte mjek, politikan dhe kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil. Ai ishte bashkëthemelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ). Pas luftës, ai shërbeu si deputet, ministër dhe zëvendëskryeministër. Bukoshi u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare.
Ceremonia e varrimit pritet të mbahet në mënyrë solemne në varrezat e Kompleksit të Dëshmorëve në Velani, ku do t’i jepet lamtumira e fundit./RTK/