Shkruan: Leonard Demi
“A do të kemi kohë të organizojmë mbrojtjet tona”? Winston Churchill
MJEDISI DHE KONTEKSTI STRATEGJIK
Më 24-26 qershor 2025, në Hagë, do të mbahet Samiti i NATO-s, i cili do të përqendrohet te shpenzimet për mbrojtjen, prodhimin industrial ushtarak dhe mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën. Ky Samit do të shënojë një pikë kthese historike për Aleancën, sepse do ta adaptojë atë përtej rolit të vet tradicional për t’u bërë ballë sfidave të reja globale, që karakterizohen nga një mjedis sigurie që evoluon me shpejtësi, paqëndrueshmëri dhe konkurrencë gjeopolitike në rritje; kërcënime të vazhdueshme nga aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë, që përgatiten për konfrontim afatgjatë, si agresioni i vazhdueshëm i Rusisë në Ukrainë, tensionet në Arktik e IndoPaqësor, në Lindjen e Mesme dhe shtrirja globale e Kinës. Sigurisht, për Aleancën, kërcënimi kryesor dhe afatgjatë është Rusia, por NATO është e vetëdijshme edhe për atë që ndodh në Kinë. Samit i Hagës do ta transformojnë Aleancën për një NATO më të mirë, më të fortë, më të drejtë dhe më asgjësuese, në mënyrë që të vazhdojë të mbrojë qytetarët e vet dhe mënyrën e tyre të jetesës. Ai do të demonstrojë aftësinë e NATO-s për të balancuar nevojat e menjëhershme të shkurajimit me përshtatjen afatgjatë. Ekuilibri midis gatishmërisë operacionale dhe inovacionit strategjik është jetik në përballimin e kërcënimeve, që janë gjithnjë e më të paparashikueshme dhe në shumë drejtime.
BUXHETI DHE INVESTIMET PËR MBROJTJEN
Ekonomia e sotme e NATO-s është 25 herë më e madhe se ekonomia e Rusisë dhe arrin në 50 trilionë euro, ndërsa ekonomia ruse është 2 trilionë euro dhe prodhon katër herë më shumë municione se industria e Aleancës: NATO në një vit prodhon sa Rusia në tre muaj. Këtë vit, baza industriale e mbrojtjes ruse do të fusë në përdorim 1500 tanke, 3000 automjete të blinduar dhe 200 raketa supersonike Iskander, që i kthejnë distancat ndërmjet kryeqyteteve në çështje minutash. Me këtë intensitet prodhimi, Rusia mund të jetë gati të përdorë forcën ushtarake kundër NATO-s brenda pesë vjetësh. Kurse Kina, aleat i ngushtë i Rusisë, gjithashtu, po modernizon dhe zgjeron ushtrinë e saj me ritme të shpejta. Tanimë, Kina ka flotën më të madhe në botë (për njësi jo për kapacitete), por, më 2030, flota e saj luftarake do të ketë 435 anije, dmth., njëqind anije më shumë sesa kanë SHBA-të sot. Deri në 2030, Kina synon të ketë edhe 1000 bomba atomike më shumë se, siç vërejnë strategët, rezervat e municioneve janë thelbi i çdo lufte. Në këto kushte, për të ruajtur pavarësinë tonë territoriale, Aleancës i nevojiten më shumë forca dhe kapacitete ushtarake. Hollësitë janë të klasifikuara, por planet luftarake dhe objektivat e NATO-s venë në dukje se Aleanca ka nevojë për pesë herë më shumë sisteme për t’u mbrojtur nga raketat, avionë luftarakë (janë në plan për t’u blerë rreth 700 F35), tanke, automjete të blinduar, dronë, personel, me miliona predha artilerie, sisteme raketash me rreze të gjatë veprimi, si dhe kapacitete për mbrojtjen hapësinore dhe kibernetike. Kësisoj, aleatët duhet të investojnë shumë më tepër për mbrojtjen. Shtylla kryesore e Samitit të Hagës është miratimi i një plani të ri investimesh, që do të garantojë fondet e nevojshme për të shkurajuar dhe për t’u mbrojtur në këtë botë gjithnjë e më të rrezikshme. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do t’i propozojë Samitit një plan të përgjithshëm investimi për mbrojtjen, që arrin në 5% të PPBsë në vitin 2032: 3.5% do të investohen për nevoja ushtarake thelbësore (armatimet kryesore), ndërsa pjesa tjetër prej 1.5% do të mbështesë infrastrukturën dhe kapacitetet industriale. Rrugët, hekurudhat dhe portet janë po aq të rëndësishëm sa tanket, avionët dhe anijet luftarake. NATO ka nevojë për rrjete transporti civil, që të mund të mbështesin lëvizshmërinë ushtarake: për të çuar forcat e duhura, në vendin e duhur dhe në kohën e duhur. Fronti i brendshëm dhe vija e frontit tani janë një dhe e njëjta gjë. Sot, lufta nuk zhvillohet vetëm në distancë, shoqëritë dhe ushtritë tona janë të ndërgjegjshme për këtë. NATO do të investojë më shumë në përgatitjen civile dhe mjekësore, në mënyrë që të jemi gati për ditën, që lutemi të mos vijë kurrë. Samiti i Hagës do të kërkojë rritjen e prodhimit të mbrojtjes, mënjanimin e pengesave të bashkëpunimit dhe shfrytëzimin e teknologjive më të reja. Për të qëndruar përpara kundërshtarëve tanë, duhet të zhvillojmë dhe të përvetësojmë teknologji të reja efektive me kosto të ulët. Në fushat e betejës të Ukrainës, dronët 400 dollarësh po shkatërrojnë tanke ruse me vlerë 2 milionë dollarë. Kësisoj, Aleanca ka nevojë për energji elektrike më të lirë dhe më shumë njohuri inxhinierike. Përndryshe, angazhimi për të shpenzuar 5% të PBB-së për mbrojtje nuk do të jetë i suksesshëm për shkak të kostove të prodhimit. Kësisoj, NATO do të kodifikojë një plan veprimi për sigurinë klimatike, duke lidhur qëndrueshmërinë e energjisë me autonominë strategjike. NATO do të vazhdojë të jetë një Aleancë bërthamore për aq kohë sa të ekzistojnë armët bërthamore. Shkurajimi bërthamor mbetet themeli i sigurisë së Aleancës për ruajtjen e paqes dhe shmangien e agresionit dhe Samiti do t’i kushtojë atij një vëmendje të veçantë për të qëndruar i fuqishëm dhe efektiv. Në Hagë, kryetarët e shteteve dhe të qeverive pritet të miratojnë, gjithashtu, planet për parandalimin e integruar shumë-domenësh, duke përfshirë hapësirën, luftën kibernetike, si dhe përparësitë e reja si: inteligjencën artificiale dhe pjesëmarrjen aktive të Suedisë dhe Finlandës për të forcuar qarkun nordik të Aleancës.
INICIATIVA E INOVACIONIT TË NATO-S
Duke pranuar se konfliktet e ardhshme do të ngjizen nga superioriteti teknologjik, Samiti i Hagës do të nxitë më tej inovacionin në lëmin e mbrojtjes dhe rezistencës dixhitale, duke përfshirë programe të përbashkëta për zhvillimin e inteligjencës artificiale, koordinim të përmirësuar të mbrojtjes kibernetike dhe një angazhim për përdorimin e teknologjive në zhvillim (hapësirën dhe teknologjinë kuantike).
UKRAINA
Në Samitin e Hagës, kryetarët e shteteve dhe të qeverive të Aleancës të Atlantikut të Veriut do të riafirmojnë mbështetjen e tyre të palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, rritjen e angazhimeve për ndihmë ushtarake afatgjatë, trajnim dhe prodhim të kapaciteteve mbrojtëse për Ukrainën. Mbështetja praktike dhe politike afatgjatë e NATO-s për Ukrainën nuk ka të bëjë me zgjatjen e luftës. Ka të bëjë me rritjen e aftësisë të Ukrainës për të mbrojtur veten sot dhe për të parandaluar çdo agresion në të ardhmen. Ndërsa vendi vazhdon të përballet me agresionin rus, NATO do të qëndrojë me Ukrainën tani dhe në sfidat që na presin (këtë vit, vendet anëtare premtuan mbi 20 miliardë euro ndihmë shtesë). Aleatët po bashkëpunojnë ngushtë që kjo luftë të përfundojë me një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, prandaj mbështesin plotësisht përpjekjet e Presidentit Trump për të ndalur gjakderdhjen.
LIDHJA TRANSATLANTIKE, UNITETI DHE SFIDAT
Samiti i Hagës do të ripohojë rolin qendror të Partneritetit Transatlantik, i cili është guri i themelit të Aleancës apo qendra e gravitetit e sigurisë transatlantike. Samiti do të rikumtojë angazhimin e palëkundur të NATO-s ndaj Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit, duke u zotuar për një përgjigje të qartë dhe asgjësuese kundër çdo agresioni ndaj territorit të vet; do t’u kumtojë aleatëve dhe kundërshtarëve se Aleanca është e aftë të përshtatet ndaj sfidave të shekullit 21, duke ruajtur dhe forcuar misionin e vet kryesor: mbrojtjen kolektive. Forca e qëndrueshme e NATO-s buron nga kohezioni i saj politik, ndërveprimi ushtarak dhe dëshira për të jetuar në paqe me të gjithë popujt dhe qeveritë. Historia ka treguar se Amerika e Veriut dhe Europa së bashku janë një kombinim fitues. Çdo përpjekje për të distancuar Amerikën e Veriut nga Europa jo vetëm që do ta dobësojë Aleancën transatlantike, por do të rrezikojë edhe ndarjen e vetë Europës. Koordinimi transatlantik mbetet thelbësor për një përgjigje efektive ndaj krizës aktuale dhe me të drejtë, Sekretari Rutte thotë: “Së bashku, do të sigurojmë paqen përmes forcës. Së bashku, do ta bëjmë Aleancën tonë më të fortë, më të drejtë dhe më asgjësuese”. Presidenti amerikan dhe i gjithë sistemi institucional i Shteteve të Bashkuara janë plotësisht të angazhuar ndaj NATO-s dhe ky samit do të kënaqë edhe shqetësimin amerikan për ndarjen e barrës, duke rritur shpenzimet për mbrojtjen në 5% të PPB. Aleanca do ta bëjë këtë jo vetëm për të ndarë barrën, por për të përmbushur misionin e vet në një mjedis të transformuar. Kohët e fundit ka pasur kundërthënie se Shtetet e Bashkuara do të lëshonin postin e Komandantit Suprem të Forcave Aleate në Europë (SACEUR), si dhe do të tërhiqnin trupat nga Gjermania. Emërimi i SACEUR-it të ri amerikan, Gjeneral leitnant Alexus G. Grynkewich nga Presidenti Trump mënjanoi këtë shqetësim me pasoja strategjike, si për vetë NATO-n ashtu edhe për arkitekturën e sigurisë euroatlantike, që do të inkurajonte aventura agresive në Ballkan, Detin Baltik, Detin e Zi, apo edhe Arktik. Po kështu, Presidenti Trump i kumtoi Kancelarit gjerman Merz se Amerika nuk do t’i largojë trupat nga Europa, duke mënjanuar një ndryshim strategjik, që do të dobësonte krahun lindor të NATO-s. Kështu, Samiti i Hagës do t’i japë NATO-s të gjitha garancitë për një Aleancë mbrojtëse më të fortë, më të drejtë dhe më asgjësuese: shkurajim dhe mbrojtje më të fortë, trupa të pajisur me kapacitetet më të sofistikuara, që munden dhe do të godasin më fort çdo agresor. Me këtë fuqi ushtarake dhe vendosmërinë e NATO-s për ta përdorur, nëse është e nevojshme, askush nuk do ta çojë në mendje ta sulmojë.
MARRËDHËNIET E NATO-S ME BE-NË
NATO ka krijuar një bashkëpunim të ngushtë me BE, ku të gjithë bien dakord kur bëhet fjalë për ndarjen e punës, për standardet e larta të NATO-s dhe për nevojat që ka Aleanca për sisteme dhe armatime. BE zotëron tregun e brendshëm dhe, më kryesorja, duke vënë në lëvizje bazën industriale, bën kujdes që investimet të kryhen plotësisht dhe të ketë komplementaritet. BE nuk mund ta mbrojë Europën. Vetëm një NATO e fortë mund t’i mbajë të sigurt, pothuajse, një miliard njerëz në një botë më të rrezikshme.
PARTNERITETET DHE ANGAZHIM GLOBAL
Samiti do të theksojë, gjithashtu, bashkëpunimin e NATO-s me katër partnerët e Indo-Paqësorit: Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë dhe Zelandën e Re. Sot, këta partnerë vlerësojnë shumë marrëdhënien që kanë me NATO-n, sepse lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës ka bërë bashkë Kinën, Rusinë, Korenë e Veriut dhe Iranin.
PËRFUNDIM
Samiti i Hagës do të shënojë një etapë historike në evolucionin e Aleancës, do të adaptojë NATO-n për dimensionet e reja të sigurisë në unitet, qëndrueshmëri dhe largpamësi. Ky samit do të demonstrojë se besueshmëria e Aleancës Transatlantike nuk matet nga komunikatat apo deklaratat e samiteve, por nga aftësia e saj për të vepruar me vendosmëri për mbrojtjen kolektive, vlerave të veta, anëtarëve të vet dhe për të ruajtur paqen dhe sigurinë.