Rreth 500.000 sinti dhe romë u vrarë gjatë sundimit nazist. Në ditën përkujtimore europiane, ministri gjerman i shtetit për Kulturën Weimer bën thirrje për t’iu kundërvënë çdo forme të anticiganizmit.
“Krimet e nacionalsocialistëve ndaj sintive dhe romëve janë pjesë e historisë sonë – dhe mbeten në memorje për të tashmen dhe të ardhmen”, theksoi ministri i shtetit për Kulturën Wolfram Weimer në Berlin. Natën e 2 gushtit duke gdhirë 3 gushti 1944 pjesëtarët e kompanisë SS (Schutzstaffel – Skuadrilja e Mbrojtjes) vranë në dhomat e gazit në kampin e përqendrimit dhe shfarrosjes Auzhvic-Birkenau rreth 4300 sintit dhe romët që kishin mbetur.
Dita përkujtimore europiane e Holokaustit ndaj sintive dhe romëve
Gjithsej në Europën e pushtuar nga nacionalsocialistët gjatë Luftës së Dytë Botërore u vranë rreth 500.000 sinti dhe romë. U desh një kohë e gjatë, derisa politika, shoqëria dhe shkenca u përballën me këtë përgjegjësi, pranoi Weimer. Në vitet 1980 në Republikën Federale të Gjermanisë u pranua zyrtarisht gjenocidi ndaj sintive dhe romëve. Që nga viti 2015 data 2 gusht është shpallur ditë përkujtimore europiane e Holokaustit për këtë minoritet.
“Anticiganizmi është real”
“Edhe ose pranimi erdhi me vonesë, shumë me vonesë, ai bazohet tek një përgjegjësi që mbetet për atë se çfarë ka ndodhur dhe për atë, që nuk duhet të ndodhë kurrë më”, deklaroi Weimer. Edhe sot anticiganizmi është real. Sintit dhe romët vazhdojnë të përjetojnë diskriminim, përjashtim dhe paragjykime raciste. Ndaj dita përkujtimore është një mandat demokratik, për t’iu kundërvënë anticiganizmit.
Në Gjermani sipas vlerësimeve të Qendrës Federale për Antidiskriminimin jetojnë rreth 80.000 deri në 140.000 pjesëtarë të etnisë së sintive dhe romëve. Gjenocidi gjatë kohës së nacionalsocializmit në gjuhën rome, që flitet nga sintit dhe romët, quhet Porajmos.