“Në emër të lirisë së shprehjes”, SHBA nis fushatë kundër ligjit europian për teknologjinë DSA - Gazeta Express
string(91) "ne-emer-te-lirise-se-shprehjes-shba-nis-fushate-kunder-ligjit-europian-per-teknologjine-dsa"

Lajme

Gazeta Express

07/08/2025 16:38

“Në emër të lirisë së shprehjes”, SHBA nis fushatë kundër ligjit europian për teknologjinë DSA

Lajme

Gazeta Express

07/08/2025 16:38

Administrata e presidentit Donald Trump ka urdhëruar diplomatët amerikanë në Europë të nisin një fushatë lobimi kundër Ligjit për Shërbimet Digjitale të Bashkimit Europian (DSA), që sipas Uashingtonit shkel lirinë e shprehjes dhe vendos kosto të mëdha për kompanitë amerikane të teknologjisë, raporton Reuters.

Sipas një dokumenti të datës 4 gusht, që sipas Reuters është nënshkruar nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, DSA përshkruhet si një përpjekje e BE-së për të vendosur kufizime “të padrejta” mbi lirinë e shprehjes nën justifikimin e luftës kundër urrejtjes dhe dezinformimit.

Reuters shkruan se DSA është një ligj i rëndësishëm që synon të bëjë mjedisin online më të sigurt, duke detyruar gjigantët e teknologjisë të ndalojnë përmbajtjet e paligjshme si fjalimet e urrejtjes apo materialet për abuzim me fëmijët. Megjithatë, duket se administrata Trump e ka parë këtë si një formë censure ndaj zërave konservatorë.

Bëhet e ditur se ky dokument i cilëson diplomatët si “të udhëzuar” për të bindur qeveritë europiane dhe institucionet digjitale që të ndryshojnë ose të shfuqizojnë DSA-në. Ata duhet të kërkojnë mbështetje për zbutjen e ligjit dhe ta paraqesin atë si kërcënim ndaj lirisë së fjalës dhe interesave të kompanive amerikane.

Bëhet e ditur se në këtë dokument ofrohen edhe pika të drejtpërdrejta për diskutim, përfshirë: ngushtimin e përkufizimit të “përmbajtjes së paligjshme”, heqjen ose reduktimin e gjobave për shkelje, heqjen e “shënjuesëve të besuar” që raportojnë përmbajtje dhe rishikimin e Kodit të Sjelljes për Dezinformimin.

Sipas Reuters, zëdhënësi i Komisionit Europian nuk ka pranuar të komentojë mbi dokumentin, por ka theksuar se liria e shprehjes është e mbrojtur në gjithë BE-në dhe akuzat për censurë janë “plotësisht të pabazuara”.

Raportohet se Rubio dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë kërcënuar gjithashtu me ndalime vizash për zyrtarët që “censurojnë amerikanët” dhe kanë paralajmëruar që çështja mund të ndikojë edhe në negociatat tregtare BE–SHBA.

Ky zhvillim vjen ndërsa figura si JD Vance dhe udhëheqës të tjerë republikanë kanë akuzuar publikisht Europën për censurë, duke përmendur raste si bllokimi i partisë gjermane AfD, e cila është nën hetim si grup ekstremist.

Trump e ka bërë “luftën kundër censurës” një nga pikat qendrore të administratës së tij. Megjithatë, sipas BE-së, ligji europian, nuk synon posaçërisht kompanitë amerikane dhe nuk është pjesë e negociatave tregtare.

Kujtojmë se në muajin maj, Rubio paralajmëroi se çdo zyrtar i huaj që “ndihmon në censurimin e amerikanëve” mund të përballet me sanksione personale. E në këtë sfond, SHBA urdhëron ambasadat të raportojnë për çdo rast të censurës në vendet pritëse – përfshirë arrestime, konfiskime, apo pezullime online – sidomos nëse prekin qytetarë ose kompani amerikane.