Ne e dimë – përveç Kurtit që e di më mirë se ne - Gazeta Express
string(45) "ne-e-dime-pervec-kurtit-qe-e-di-me-mire-se-ne"

Ne e dimë – përveç Kurtit që e di më mirë se ne

OP/ED

Gazeta Express

15/09/2023 18:23

E kam thënë dhe duke qenë se e kam thënë e kam përsëritur dhe duke qenë se e kam përsëritur më duhet ta ripërsëris: Vetëvendosje është fatkeqësi e vendit

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

Naiviteti diplomatik, për rrjedhojë arroganca dhe papërgjegjësia, e kryeministrit Kurti në dialogun me Serbinë, përkatësisht në raportin me Bashkimin Evropian si ndërmjetësuese dhe ShBA-në si pritëse dhe kërkuese e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, është, më e pakta, i frikshëm. Me pak liri dhe mirëkuptim, do të thosha se është pothuajse një muzg i dhunshëm, qysh paradite, i cili parashikon një natë-dite të errët, të gjatë dhe të ankthshme. Këtë pra na e ka sjellë vetë Kurti, si një dhuratë perverse prej hyjni të Olimpit, përkundër të gjitha pritjeve nga brenda dhe jashtë, në kundërshtim me çdo vullnet dhe dëshirë, në kundërshtim me cilëndo të mirë të vendit.

Natyrisht, pasojat e para veç i kemi vjelë me pësimin e sanksioneve. Me shumë gjasë ato do të pasohen me të tjera në vijim, pas dështimit, përkatësisht mosdëshirës, refuzimit të fundit për të qenë konstruktiv dhe vullnetmirë në takimin e fundit në Bruksel.

Në gjithë këtë zezonë, ka një element të llahtarshëm. Vetëvendosje nuk do ta paguajë çmimin e gjithë kësaj fatkeqësie në të cilën na ka katandisur. Për arsye të ndryshme. Nga njëra anë, ajo mbetet ideologjikisht kryeneçe në luftimin e palës tjetër si të tillë, pavarësisht përfitimeve që mund t’i ketë vetë – duke u vetëkënaqur pra vetëm me atë që nuk jep, sepse qëllimi është pikërisht ky: kurrë asgjë atyre. Nga ana tjetër, kjo nuk e bën humbëse brenda, para votuesve dhe mbrojtësve të saj, të etur për dhe të errur nga nacionalizmi dhe urrejtja.

Çmimin do ta paguajë vendi. Mund të duket paradoksale – kur ende përkundemi në bindjen dhe shpresën se perëndimi kurrë s’do ta bënte shoqërinë kosovare, së cilës ia krijuar shtetin dhe të cilën e ka të përkëdhelurën e vet, ta vuajë budallallëkun e një politikani – e megjithatë nuk duket të ketë një opsion tjetër. As nuk mund ta marrim këtë si një qortim pse kemi votuar kë kemi votuar, apo mësim se kë duhet ta votojmë. Gjërat janë kështu siç janë tashmë dhe pasojat janë thjesht në relacion më atë që ka ndodhur në momentin e caktuar.

Ne të gjithë e dimë – përveç Kurtit që e di shumë më mirë se ne – se dialogu është i pashmangshëm. Në këtë dialog mund të vijë puna të japim më shumë se sa që të marrim, pa harruar megjithatë se herën e kaluar, në ditën tonë të mbarë, kemi marrë shumë më shumë se sa që kemi dhënë.

Ne e dimë – përveç Kurtit që e di shumë më mirë se ne – se Asociacioni duhet dhe do të bëhet dhe në këtë moment është më urgjent se çkado tjetër dhe vegza kryesore e vazhdimit të dialogut.

Ne e dimë – përveç Kurtit që e di shumë më mirë se ne – se tashmë nuk janë në pyetje më të drejtat tona, shumicë, por të drejtat e të tjerëve, pakicë.

Prandaj, e kam thënë dhe duke qenë se e kam thënë e kam përsëritur dhe duke qenë se e kam përsëritur më duhet ta ripërsëris: Vetëvendosje është fatkeqësi e vendit.