Kopenhaga rrëzon Vjenën nga froni pas tre vitesh
Prej vitesh, Vjena ka mbajtur vendin e parë në listën e qyteteve më të jetueshme në botë, sipas indeksit të përvitshëm të hartuar nga Economist Intelligence Unit (EIU). Por në vitin 2025, ndodhi një surprizë: kryeqyteti danez, Kopenhaga, u ngjit në majë të renditjes.
Kopenhaga arriti rezultate të përsosura në stabilitet, arsim dhe infrastrukturë – një kombinim i vështirë për t’u mposhtur. Nga ana tjetër, Vjena humbi pikë për shkak të shqetësimeve të sigurisë, pas një kërcënimi me bombë që anuloi një koncert të Taylor Swift në 2024 dhe një sulmi të planifikuar në një stacion treni.
Megjithatë, qytetet perëndimore, si ato në Europë, Australi, Zelanda e Re dhe Kanada, vazhdojnë të dominojnë në klasifikim. Osaka është i vetmi qytet aziatik që renditet në dhjetëshen e parë.
Por çfarë do të thotë në të vërtetë të jetosh në këto qytete? Banorët tregojnë përjetimet e tyre.
Kopenhagen – Në krye për 2025
Përveçse qyteti më i jetueshëm i vitit, Kopenhaga është shpallur edhe si qyteti më i lumtur në botë. Sipas Thomas Franklin, drejtues i një kompanie fintech, jeta në Kopenhagë është e qetë dhe funksionale.
“Trenat vijnë saktësisht kur janë në orar, mund të shkosh me atlete në restorante të shtrenjta dhe të bësh një not në port edhe në janar, nëse je trim,” thotë Franklin. “Këtu gjithçka ecën me logjikë dhe qyteti të fiton çdo herë me thjeshtësinë e tij.”
Për amerikanen Olivia Liveng, që jeton në Kopenhagë prej 8 vitesh, qyteti është perfekt për të rritur një fëmijë. Çerdhet janë të subvencionuara dhe puna shoqërohet me pushime të gjata verore. “Shikon qartë ku shkojnë taksat e tua,” thotë ajo. Nëse vizitoni Kopenhagën, rekomandohet një not në Sandkaj Harbour Bath ose një çaj i ngrohtë në Islands Brygge, buzë ujit.
Vjena – Qyteti që ofron gjithçka, pa stres
Vjena ka zbritur në vendin e dytë, por vazhdon të ketë sistemin më të mirë shëndetësor në botë. Banorët e duan qytetin për cilësinë e jetës dhe çmimet e arsyeshme. “Jam një amerikane nga Nju Jorku dhe kam gjetur këtu një cilësi jete që nuk e mendoja të mundshme në një kryeqytet,” thotë Nataleigh O’Connell, që punon në Kombet e Bashkuara.
Me qira që fillon nga 850 euro në muaj për një apartament në qendër dhe transport publik për vetëm 1 euro dita, Vjena është një qytet ku mund të jetosh mirë pa pasur nevojë për shpenzime të larta. Një eksperiencë lokale është vizita në heurigen – kantinat e verës brenda qytetit, të lidhura me shtigje hiking-u që ofrojnë pamje të mrekullueshme.
Gjeneva – Qyteti i vogël me përfitime të mëdha
Gjeneva, e renditur e pesta, është një qytet kompakt dhe i qetë, por që ofron të gjitha avantazhet e një qendre ndërkombëtare. “Mund të shijosh muzikë, art dhe jetën e biznesit pa pasur stresin e qyteteve të mëdha,” thotë James F. Royal, një ish-banues nga Florida.
Qyteti është i pastër, i sigurt dhe me infrastrukturë të shkëlqyer. Rreth 40% e popullsisë janë të lindur jashtë Zvicrës, gjë që krijon një atmosferë ndërkombëtare dhe një kuzhinë të shumëllojshme. Liqeni i Gjenevës dhe parqet e shumta i japin qytetit një bukuri të veçantë.
Melbourne – Jetesa midis punës dhe kohës së lirë
Melbourne, i katërti në renditje, është qyteti australian që dallon për kulturën, ambientin dhe sistemin shëndetësor. Banorët vlerësojnë mundësinë për të kombinuar punën me jetën personale në mënyrë të lehtë.
“Në mëngjes mund të jem në gjykatë, pasdite në një takim, dhe në mbrëmje shëtis me vajzën në park – kjo është jetueshmëria për mua,” thotë avokati Oliver Morrisey. Në Melbourne gjithmonë ka diçka për të bërë – nga laneway-t e mbushura me grafiti, tek baret e fshehta dhe restorantet e famshme në Lygon Street.
Osaka – Sekreti i Azisë
Osaka është qyteti i vetëm aziatik në dhjetëshen e parë dhe, për banorët e tij, kjo nuk është surprizë. “Osaka është si San Francisko për Japoninë – një qytet më i vogël, por me personalitet të vetin,” thotë Graham Hill, themelues i faqes Osaka City.
Qyteti ofron një infrastrukturë të përsosur, një atmosferë të ngrohtë dhe çmime më të përballueshme se Tokio. “Këtu njerëzit janë të përzemërt, të flasin në dyqan, të bëjnë shaka në bar – është një qytet që të bën të ndihesh si në shtëpi,” thotë Dominic Dijkstra nga Waldorf Astoria Osaka.
Për të shijuar jetën si vendasit, mjafton të ndalosh në një nga baret e vogla pranë stacionit Kyobashi, ku mund të përzihesh me vendasit dhe të shijosh atmosferën autentike të qytetit.
Top 10 qytetet më të jetueshme për vitin 2025:
Kopenhagë, Danimarkë
Vjenë, Austri (barazim)
Cyrih, Zvicër (barazim)
Melbourne, Australi
Gjenevë, Zvicër
Sidnej, Australi
Osaka, Japoni (barazim)
Auckland, Zelandë e Re (barazim)
Adelaide, Australi
Vancouver, Kanada./tvklan.al