Janari është shpesh një muaj i zymtë: ditë të errëta, xhepa bosh pas festave dhe presion i madh për t’u futur sa më shpejt “në formën e jetës”.
Por, për fat të mirë për ata që e tepruan pak gjatë Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, humbja e kilogramëve nuk kërkon domosdoshmërisht dieta ekstreme apo injeksione dobësimi. Sipas hipnoterapistes së njohur Marisa Peer, mjafton të ndryshosh mënyrën si mendon.
Peer beson se mbingrënia – arsyeja kryesore e problemeve me peshën te shumë njerëz – është një problem emocional dhe duhet trajtuar si i tillë.
“Duhet ta kesh mendjen në anën tënde nëse do të jesh i shëndetshëm, jo të luftosh vazhdimisht dëshirën për ushqim të pashëndetshëm,” thotë ajo për Daily Mail.
“Askush nuk ha tepër sepse është i lumtur. Ne hamë tepër sepse jemi të stresuar, të mërzitur, të lodhur, të vetmuar. Prandaj është më efektive ta trajtosh emocionalisht, jo thjesht logjikisht.
Truri ynë është i programuar të na çojë drejt kënaqësisë. Ajo që funksionon është ta lidhësh më shumë kënaqësi me mosngrënien e ushqimeve të dëmshme sesa me ngrënien e tyre.
Duhet t’i thuash trurit se po ndryshon mënyrën si ushqehesh – dhe se të pëlqen kjo gjë.

Nëse mendon: ‘Duhet ta heq dorë, më mungon, tani jam një nga ata njerëzit e mërzitshëm në dietë’, ka shumë gjasa të dështosh.”
Peer thotë se këtë metodë e ka përdorur edhe vetë për të kontrolluar marrëdhënien e saj me ushqimin. Çelësi është që mendja nënndërgjegjshme të besojë se ti vetë po e bën zgjedhjen për të hequr dorë nga ëmbëlsirat, snack-et dhe fast food-i – jo se po detyrohesh.
Nëse kjo tingëllon e ndërlikuar, ajo siguron se nuk është.
“Fjalët që vijnë pas ‘Unë jam’ do të të ndjekin gjithë jetën,” shpjegon ajo.
“Mendo për pesë fjali ‘Unë jam’:
– Unë jam njeri që pi gjithmonë ujë para kafesë.
– Unë jam dikush që e do kafenë pa sheqer.
– Unë jam dikush që preferon perimet ndaj patateve të skuqura.
– Unë jam dikush që lexon etiketat dhe përbërësit.
– Unë jam dikush që minimizon sheqerin.
E di që duket pak e çuditshme, por kur këto fjali i përsërit vazhdimisht, ato funksionojnë.”
Për ta bërë këtë identitet të ri më të qëndrueshëm, Peer këshillon t’i shtosh gjithmonë edhe arsyen pse po e bën këtë zgjedhje.
“I thu vetes se po zgjedh të mos hash sheqer apo të mos pish alkool – dhe se po zgjedh të ndihesh mirë me këtë,” thotë ajo.
“Kur e lidh me kënaqësi të mëdha – ‘kam më shumë energji’, ‘lëkura më duket më mirë’, ‘nuk jam më i fryrë’ – gjithçka bëhet më e lehtë.”
Sipas saj, kjo qasje është edhe shumë më e butë me veten, sidomos në janar.
Një studim i Protein Works tregon se 2 janari është dita kulmore për reklamat e dietave në rrjetet sociale. Pikërisht atë ditë, miliona britanikë fillojnë palestrën, hedhin çokollatat e mbetura dhe betohen për “Dry January”.
Një sondazh i YouGov zbuloi se 17% e britanikëve e nisën vitin 2026 me synimin për të rënë në peshë.
23% duan të ushtrohen më shumë, 11% të ushqehen më shëndetshëm dhe 10% thjesht të jenë “më të shëndetshëm”.
Megjithatë, Peer beson se ekziston vetëm një vendim që sjell ndryshim real: të flasësh më pozitivisht me veten.
“Është shumë më e lehtë të heqësh dorë nga çokollata duke thënë: ‘Unë jam njeri që preferon ushqim të shëndetshëm’ sesa duke u ndaluar me forcë,” thotë ajo.
“Edhe nëse fillimisht nuk është e vërtetë, po i the vazhdimisht, një ditë do të bëhet.”
Kjo qasje vlen edhe për ata që po bëjnë “Dry January” ose që duan të kontrollojnë më mirë alkoolin.
“Thuaji vetes: ‘Po zgjedh të pi më pak. Po zgjedh të pi vetëm fundjavave. Po zgjedh të ndalem pas dy gotave – dhe të ndihem mirë me këtë’.
Kjo është shumë më mirë sesa: ‘Nuk mund të pi, prandaj jam i mërzitshëm’.”
Katër këshilla të tjera nga Marisa Peer
1. Vizualizimi
Ruaj në telefon citate frymëzuese dhe imazhe që përfaqësojnë stilin e jetesës që dëshiron: ushqime të shëndetshme, trupin që synon, aktivitetet fizike që të pëlqejnë.
“Ne e shohim telefonin gjithë kohën – përdore këtë në favorin tënd,” thotë ajo.
Ajo sugjeron edhe ndryshimin e fjalëkalimeve në diçka motivuese, si p.sh. “life_without_sugar”.
2. Larg syve, larg mendjes
Truri ynë ende sillet sikur sheqeri është i rrallë, si në kohën e njeriut primitiv.
“Prandaj është më mirë të mos e kesh në shtëpi, ose të paktën ta mbash jashtë shikimit,” këshillon Peer.
3. Kufizimi i qëllimshëm
Në vend që ta ndalosh plotësisht veten, cakto një ditë ose moment kur lejohet një kënaqësi.
“Nëse i thua vetes ‘kurrë’, sapo ta thyesh rregullin, vjen faji – dhe pastaj e përsërit.”
4. Shijoje ‘gabimin’
Nëse ndodh të hash apo të pish diçka që po përpiqesh ta kufizosh, shijoje me vetëdije.
“Haje ngadalë, shijoje. Ngrënia e ngadaltë është një nga gjërat më të mira për tretjen,” thotë ajo.
Sipas Peer, ndryshimi i vërtetë nuk vjen nga ndëshkimi i vetes, por nga ndërtimi i një identiteti të ri – ku të ushqehesh shëndetshëm nuk është sakrificë, por pjesë e asaj që je. /GazetaExpress/