Në propozimin e tij për ndryshimet në Kodin Rrugor kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka vënë theksin te zgjatja e afatit të patentave nga 10 deri në 15 vite dhe te kufizimi i shpejtësisë për shoferët e rinj në tre vitet e para që nga marrja e lejes së drejtimit.
“Ndryshimet që kanë të bëjnë me ndryshime të shpejtësitë për ata që marrin patentë për herë të parë i referohen modelit italian. Në kushte të një rritje të aksidenteve në Itali te moshat e reja ka ndërmarrë këtë politikë të kufizimit të shpejtësisë për tre vitet e para të djemve dhe vajzave të reja që marrin patentën. Kjo rezultoi që të ishte një masë e duhur. Sot në Evropë aksidentet rrugore me të rinj janë 25% e të gjitha viktimave.
Dhe në këtë këndvështrim edhe KE ka filluar procedurat për një derektivë të re, për vendosjen e kufizimeve. Ne kemi sjellë si kufizim të vendosim atë që ka Italia, të kemi mundësi që tre vitet e para të ketë në kufizim shpejtësia deri në 80 km”, tha Balla.
Një tjetër propozim është shtyrja e moshës për shoferët e autobusëve nga 65 në 70 vjeç.
“Postimi nga 65 në 70 vjeç është i nevojshëm duke pasur parasysh që këta lloj specialistësh ta bëjnë këtë punë deri në moshën 70 vjeç. Nuk doja të ndalesha shumë në detaje të tjera”, tha Balla.
Gajtë diskutimeve në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, u hodh edhe ideja e ndryshimit të limitit të shpejtësisë në qytete ku propozohet të bëhet nga 40 km në orë në 30 km në orë dhe në autostradat që ofrojnë kushtet maksimale, shpejtësia maksimale të bëhet 130 km në orë nga 110 km në orë.
Diskutimi
Balla: Propozimet e mia janë një pjesë e disa çështjeve që në diskutimin e përditshëm ekzistojnë. Kemi trashëguar disa çështje që kanë qenë qëkur në Shqipëri kanë qenë kushte të tjera në infrastrukturë. Përcaktimin e limitit e shpejtësisë e bën Autoriteti Rrugor Shqiptar. Ne ta spostojmë këtë limit nga 110 km në orë në 130 km në orë. Jam dakord që në rrugët brenda qyteteve limiti 40 km në orë është shumë i lartë. Në qendër të Tiranës kemi pasur raste të aksidenteve rrugore për shkak të limitit 40 km. Trendi global është që brenda qyteteve të jetë limiti 30 km në orë.
Agron Duka: Cdo heqje e burokracive pritet pozitivisht. Nuk marr përsipër të them se sa duhet të jetë limiti i shpejtësisë por besoj se kjo duhet bërë me specialistë. Një gjë që gjithmonë e kam dashur ta diskutoj është që si ka mundësi që ne kemi në hyrje të Tiranës një rrethrrotullim të madh pavarësisht se rregulli thotë që duhet të dalë njëri nga rrethrrotullimi pastaj të hyjë tjetri. Çfarë na kushton ne të vëmë me 3 semafore. Ndoshta e kam gabim unë, por më duket katrahurë. A mund të rregullohet lëvizja në këtë rrethrrotullim?
Pëllumbi: Ne nuk përcaktojmë se ku do rritet shpejtësia, por i japim të drejtën Autoritetit Rrugor që shpejtësinë maksimale ta kenë 130 km në orë, por pastaj janë këta që e përcaktojnë se cilat janë ato rrugë. Sa i përket rrethrrotullimit, ajo i përket edukatës së shofereve.
Ardi Veliu (zv.ministër i Transporteve): Sa i përket rrethrrotullimeve, në Kodin Rrugor është e përcaktuar se ku dhe kur vendosen semaforët. Në rrethrrotullime, pavarësisht nga drejtimeve, lëvizja rregullohet me sinjalistikën horizontale dhe vertikale.
Helidon Bushati: Është nga të vetmet iniciativa që nuk ka pas interesat e një oligarku. Vetëm nëse keni në plan të jepni me koncension edhe policinë rrugore dhe të merrni interesa nga gjobat që do vendosen.
Taulant Balla, si përfaqësues i deputetëve të maxhorancës që kanë dërguar në Kuvend ndryshimet është shprehur se ato i shërbejnë qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi dhe se janë marrë nga një vend si Italia.
/Express