“Ndryshimet kushtetuese 2020 si ato në 2008, pa konsensus”, Meta kthen Kodin Zgjedhor dhe e çon në ‘Venecia’ - Gazeta Express
string(102) "ndryshimet-kushtetuese-2020-si-ato-ne-2008-pa-konsensus-meta-kthen-kodin-zgjedhor-dhe-e-con-ne-venecia"

“Ndryshimet kushtetuese 2020 si ato në 2008, pa konsensus”, Meta kthen Kodin Zgjedhor dhe e çon në ‘Venecia’

Gazeta Express

24/10/2020 8:40

ARDIT HOXHA/ Ashtu siç kishte paralajmëruar, Presidenti Meta ktheu dje zyrtarisht për rishqyrtimin ndryshimet e Kodit Zgjedhor, që u votuan nga Parlamenti më 5 tetor.

Në ditën e fundit që i lejon ligji për t’u shprehur dhe me një material voluminoz prej 81 faqesh, Presidenti Meta ka bërë një parashtrim të hollësishëm të argumenteve të tij se përse ndërhyrja që iu bë Kodit në 5 tetor nuk duhet të hyjë në fuqi.

Lexo Edhe:

Por këtë kthim në Kuvend për ta rishqyrtuar ndryshimin e Kodit në fillim të tetorit, Meta e ka shoqëruar edhe më një kërkesë urgjente për Komisionin e Venecias, që të shprehet me anë të një opinioni në lidhje me këtë çështje. Sipas Presidentit, ky Kod Zgjedhor që është votuar më 5 tetor nuk është vullneti i qytetarëve dhe është më i keq se ndryshimi bipartizan që u bë në vitin 2008.

“Ndryshimet në sistemin zgjedhor në vitin 2008, që u bënë për interesa të partive të mëdha, sollën dobësimin e vazhdueshëm të rolit të qytetarëve në qeverisje. Ky ndryshim, edhe pse u bë pa dakordësinë e një numri të madh të partive politike, sërish nuk i ngjason aspak kësaj ndërhyrjeje, që sot u bë në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor, ku Kryeministri shmangu tërësisht dialogun mes forcave politike opozitare, maxhorancës qeverisëse dhe shkeli marrëveshjen e arritur midis tyre.

Në atë kohë, përzgjedhja e modelit spanjoll elektoral, proporcional rajonal, siç u përshtat në legjislacionin e brendshëm, nisi të jepte goditjen e madhe për partitë e vogla, duke i përjashtuar nga përfaqësimi në Parlament.

Kjo, e kombinuar me fuqizimin e pozitës së kryetarëve të partive, tkurrjen e kompetencave të organeve kushtetuese apo të pavarura, si dhe kufizimin deri në pamundësimin e aplikimit të referendumeve nga populli për çështje me rëndësi, ka sjellë mungesë përfaqësimi dhe një Parlament që sa vjen e dobësohet, e varet gjithnjë e më shumë nga ekzekutivi.

Ky nuk është vullneti i sovranit i shprehur me referendumin e vitit 1998. Pasi në të dyja herët, në vitin 2008 dhe 2020, Kushtetuta e Shqipërisë ndryshon jashtë vullnetit të drejtpërdrejtë të shprehur nga populli përmes referendumit.

Ndërsa në dy ndryshimet e rregullave themelore zgjedhore, si në vitin 2008 dhe 2012, edhe pse kanë qenë ndryshime të bëra me dialog të pjesshëm, përsëri është kërkuar opinioni dhe certifikimi i këtyre ndryshimeve nga Komisioni i Venecias.

Ndërsa këtë herë, jo vetëm që nuk është kërkuar ky opinion, jo vetëm që janë bërë këto ndryshime të njëanshme në sistemin zgjedhor shumë vonë dhe shumë afër datës së zgjedhjes, por është refuzuar dhe kërkesa e opozitës për marrjen e mendimit dhe asistencës së OSBE/ODIHR.

Pikërisht për këto arsye, që konstatojnë faktin se këto ndryshime të shpejta, të padialoguara dhe të padakordësuara, vetëm pak muaj para datës së zgjedhjeve, cenojnë jo një, por disa parime dhe të drejta kushtetuese, ashtu si dhe standardet, angazhimet dhe praktikën e mirë zgjedhore europiane; në mungesë të Gjykatës Kushtetuese funksionale; dhe në respektim të kërkesës zyrtare që më është paraqitur nga kryetari i opozitës së bashkuar për marrjen e një opinioni pranë Komisionit të Venecias, si President i Republikës, në datën 21 tetor 2020, i jam drejtuar me një kërkesë urgjente Komisionit Europian për Demokraci përmes Ligjit (Komisionit të Venecias) për një opinion të specializuar dhe objektiv mbi këtë proces”, thuhet mes të tjerash në argumentet e shtruara në dekretin e Presidentit Meta.

META NGA KORÇA

Ndërkohë, gjatë një vizite në qytetin e Korçës, Presidenti Meta ka dhënë të tjera shpjegime për vendimin e tij për ta kthyer Kodin për rishqyrtim.

Sipas tij, ky dekret është një mundësi për maxhorancën dhe se dokumenti i publikuar nga Presidenca ka brenda edhe ekspertizë ndërkombëtare.

“Për t’i dhënë një mundësi maxhorancës që të reflektojë të respektojë marrëveshjen se do mbajë një përgjegjësi kritike jo vetëm për këtë precedent të rrezikshëm në 3 dekada të ndryshimit të rregullave të lojës, por edhe për vonesat e çeljes së procesin të negociatave se respektimi i kësaj marrëveshjeje është kusht i BE-së, përveç kushteve të tjera. Presidenti është i qetë për arsye sepse Presidenti është me një gjatësi vale me popullin shqiptar dhe i gjithë populli, pavarësisht nga preferencat partiake apo politike, i mërzitur nga lojërat e tyre, kërkon t’i jepet fund kësaj krize artificiale, kësaj mungese skandaloze të legjitimitetit të të gjitha institucioneve dhe në radhë të parë të vetë Kuvendit që kurrë në historinë e tij nuk ka qenë në këtë gjendje dhe populli kërkon paqe dhe qetësi. Kam motivuar dhe në mënyrë të qartë është bërë një punim shkencor nga ekspertët e Presidentit, por edhe ndërkombëtarë, për të gjitha standardet që shkel ky Kuvend, që kanë të bëjnë me standardet e OSBE-së, Venecias dhe Kushtetutën tonë. Shpresoj që ata të lexojnë e të reflektojnë”, tha Meta.