Sot kreu i Qeverisë, Albin Kurti, në një tryezë ku ishte edhe shefi i BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, dhe deputetë e pjesëtarë të shoqërisë civile, ka folur për ndryshimin e Ligjit për financimin e partive politike. Në këtë organizim ka qenë i ftuar edhe Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus”, i cili ka thënë se kryeministri Kurti s’ka pasur ndonjë propozim konkret dhe se ka folur me retorikën e zakonshme, shkruan Gazeta Express.
Lidhur me këtë organizim për Gazetën Express ka folur vetë Krasniqi nga “Demokracia Plus”. Ai ka thënë se kërkesat për ndryshimin e këtij Ligji kanë qenë të kamotshme. Sipas tij, ato janë shtuar veçanërisht pas dështimit të Kuvendit të Kosovës për të bërë përzgjedhjen e auditorëve të jashtëm për auditimin e raporteve vjetore financiare dhe të shpenzimeve të fushatës zgjedhore.
E në mungesë të këtyre ndryshimeve, sipas Krasniqit ka pasur mungesë të plotë të transparencës financiare në parti politike.
“Ka pasur një mungesë të plotë të transparencës financiare të subjekte politike dhe as donatorët e tyre nuk kanë qenë të ditur”, ka thënë Krasniqi për Express.
Teksa ka komentuar fjalimin e kryeministrit Albin Kurti, Krasniqi thotë se reotirka e shefit të Qeverisë ka qenë ajo e zakonshmja dhe se s’ka pasur ndonjë propozim konkret. Derisa ia ka rikujtuar Kurtit deklarimin e ish-deputetit Florin Krasniqi për punën e financimit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe faktin që Kurti s’ka mohuar deklaratat e Krasniqit.
“Nga kryeministri nuk ka pasur propozime konkrete. Fjalimi i tij ishte në kuadër të retorikë së tij të zakonshme, që gjoja korporatat përmes financimit ilegal të partive politike po i ndikojnë edhe rezultatet e zgjedhjeve. Vet kreu i LVV-së, Albin Kurti nuk i kishte mohuar deklaratat e Florin Krasniqit që ky subjekt politik ka marrë para nga Devollët, që sot udhëheqin korporata të fuqishme në Kosovë, dhe se në zgjedhjet e fundit LVV ka dal subjekti më i votuar në zgjedhje”, tha ai.
Lidhur me vonesat kohore për ndryshimet në këtë Ligj, Krasniqi pohoi se gjatë gjithë kohës organizatat e shoqërisë civile ishin të përfshira në grupet punuese.
“Ndryshimet e ligjit kanë nisur qysh në vitin 2016, por që për shkak të zgjedhjeve të parakohshme dhe mospajtimeve ndërmjet partive politike për përmbajtjen e ligjit, nuk është miratuar deri më tani. Është më e rëndësishme, është marrë edhe opinion i Komisionit të Venedikut”, deklaroi ai.
Për sa i përket ndryshimeve të supozuara në këtë Ligj, Krasniqi tha se është duke u synuar rritja e transparencës financiare dhe e llogaridhënies.
“Synohet rritja e transparencës financiare dhe e llogaridhënies së partive politike. Disa prej ndryshimeve të propozuara në projektligj, janë kalimi i kompetencës së përzgjedhjes së auditorëve nga Kuvendi tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, fuqizimi i Zyrës për Regjistrimin dhe Certifikimin e Subjekteve Politike, qartësimi i sanksioneve, si dhe parashihet që fondet që alokohen nga buxheti i shtetit për subjektet politike, në rastet kur ka koalicione zgjedhore, të mund të ndahen ndërmjet partive politike që e përbëjnë koalicionin.”, ka thënë ai për Express.
Krasniqi konfirmoi se disa propozime janë dërguar edhe nga organizatat e shoqërisë civile. Prej kërkesave kryesore, ai tha se është rregullimi i shpenzimeve nga palët e treta në fushatën zgjedhore.
“Organizatat e shoqërisë civile që kemi qenë të pranishme në takim kemi propozuar disa ndryshime, të cilat do t’i dërgojmë edhe në mënyrë të shkruar. Prej kërkesave kryesore është që të rregullohen edhe shpenzimeve nga palët e treta gjatë fushatës zgjedhore, të kërkohet edhe raportimi individual i kandidatëve të subjekteve politike, të qartësohen dispozitat për raportim dhe kontrollim të shpenzimeve në rrjetet sociale, etj”, deklaroi Krasniqi.
Kryeministri Kurti sot në këtë organizim ka folur për nevojën e ndryshimit të Ligjit për Financimin e partive politike. Sipas Kurtit, duhet të rritet transparenca meqë thotë se financimi i partive dhe fushatave nga para të cilat s’iu dihet burimi, paraqesin elemente të korrupsionit dhe ndikojnë në demokracinë e vendit.
“Duhet ta kuptojmë se paratë në fushatën zgjedhore, por edhe në parti politike ndërmjet fushatave, të cilave nuk u dihet as burimi e as shuma, paraqesin elemente të korrupsionit dhe ndikojnë në elektorat, e kësisoj edhe në demokracinë tonë”, ka deklaruar Kurti./GazetaExpress/