Në Kodin Penal të Shqipërisë janë propozuar ndryshime të rëndësishme në nenin 206/a, që ka të bëjë me shkatërrimin me zjarr të pyjeve dhe mjedisit pyjor.
Me amendamentet e reja parashihen dënime më të ashpra për zjarrvënësit, sidomos në rastet kur zjarri shkakton pasoja të mëdha materiale, mjedisore apo rrezikon jetën e njerëzve.
Aktualisht, dënimet për këtë vepër penale variojnë nga 5 deri në 20 vjet burgim, në varësi të shkallës së dëmit.
Por sipas ndryshimeve të reja, dënimi maksimal mund të arrijë deri në 30 vjet burg, në rastet kur zjarri i shkaktuar cenon rëndë trashëgiminë kulturore, zonat e mbrojtura, ose kur rrezikon jetën e njerëzve dhe pronën publike apo private.
Në veçanti, ndryshimi i nenit 206/a përcakton se zjarrvënësit që shkaktojnë dëme në terrene të vështira për t’u shuar ose pranë vendbanimeve do të dënohen me burgim nga 5 deri në 8 vjet.
Nëse vepra kryhet në zonat e mbrojtura ose prek trashëgiminë kulturore, dënimi shkon nga 5 deri në 10 vjet.
Rastet më të rënda, ku zjarri sjell pasoja të rënda për jetën e njerëzve apo shkakton dëme të mëdha e të qëllimshme, do të ndëshkohen me minimum 10 vjet dhe deri në 30 vjet burgim.
Me këto ndryshime, autoritetet synojnë të frenojnë fenomenin e zjarreve të qëllimshme, të cilat shpesh kanë shkaktuar dëme të pariparueshme në pyje, mjedis dhe pronë publike e private, raporton tch.