Ndjeshmëria në poezinë e Ramadan Musliut - Gazeta Express

Ndjeshmëria në poezinë e Ramadan Musliut

Gazeta Express

27/10/2020 14:45

Ramadan Musliut, vdekja tinëzare ia msheli shtegun e matejshëm të jetës, por mbeti i çeltë shtegu i kujtimeve për të dhe komunikimi me letërsinë e tij të bukur. Te Ramadan Musliu merrte kuptimin e duhun fjala NJERI; ishte ma tepër se i kulturuar, aristrokat në fjalën e vet. Poet dhe kritik letrar elitar dhe do shtoja se mbas Arshi Pipës, Ramadan Musliu mbetet kritiku letrar ma i dallueshëm në letrat shqipe. Po japim përmbledhtas një vështrim për librat e tij poetikë: “Parodia e trupit”(1981), “Shqisa e gjashtë”(1983), “Pasqyra e të rrëfyerit”(1987), botime të “Rilindjes” në Prishtinë

Nga: Petrit Palushi

Teksti poetik i dallueshëm

Poezia e Ramadan Musliut përmbledh në vetvete një lëvizje poetike të dallueshme; imagjinata estetike gjallëron të gjitha indet e poezisë, ndërsa vetë poezia shfaqet në konstruktet e imazhit ose të disa imazheve njëherazi, të peisazhit lirik dhe dramatik, apo dhe të përfytyrimit, duke krijuar një realitet artistik të veçantë, nga më të ndjeshmit në letrat shqipe.

Ajo çka vihet re më së pari në një lexim të shpejtë të poezisë është konstatimi se shpërfillet ndjeshëm tradicionaliteti tematizues si një prej formave të para reaguese për një liri poetike dhe shumëkuptimësi prej kuptimësisë. Edhe titujt e poezive apo të cikleve poetike të marra veçmas e ftojnë lexuesin të shijojë estetikisht një peizazh poetik që ka marrë jetë prej frymëmarrjes së lirë, prej ndjeshmërisë vetjake të poetit si një kod i veçantë në aktin e krijimit. Si shenjë e konkretizimit të mendimit tonë mjafton vetëm përmendja e cikleve poetike të përmbledhjes “Shqisa e gjashtë” (“Fabula”, “Kënga e Sibilave”, “Sëmundja e detit”, “Shqisa e gjashtë”). Kjo ndodh se poeti asnjëherë nuk ka shkruar jashtë ndjeshmërisë (vetështysës) krijuese, prandaj është sendërtuar një poezi e tillë cilësore.

Kjo lloj poezie është jetësuar përmes një konstrukti të zgjedhur poetik; si e tillë, duke qenë artistikisht e latuar, është njëkohësisht edhe gjuhësisht e pasur. Pikërisht mungesa e patosit, deklarativitetit, poezisë së angazhuar dhe shfaqja vrulltas si poezi figuracioni, emocionuese dhe racionale (poeti racionalizon edhe emocionin), e bëjnë poezinë e  Musliut një poezi të opsioneve të shpirtit, më saktë, e profilizojnë atë mu në shtratin e saj për të cilën poezia duhet të jetësohet dhe të marrë frymë si gjini artistike.

Nga ana tjeter, poezia e Ramadan Musliut është përmbledhtas një ishull metaforash të dendësuara. Zbërthimi i poezisë në rrafshin ideoemocional dhe sidomos në rrafshin estetik, mund të kryhet gradualisht duke filluar prej titullit të poezisë (sa mund të thuhet se edhe titulli i poezisë është vargu i parë që çel vetë poezinë), dhe deri në vargun e fundit të saj. Dhe po të arrihet zbërthimi aktiv i poezisë, vetëm atëherë mund të mbërrihet në përfundimin se është përfituar sadopak nga lënda e tejdukshme poetike.

Poezia e tij është një tekst poetik i dallueshëm çka jep më së miri profilin e një poeti për shumë gjëra të shënueshme; në këtë tekst poetik janë komunikuese dhe të mëvetësishme shumë elementë: fjala, sintaksa dhe, pa dyshim, imagjinata kreative. Në një poezi të tillë, me gjithë shkallën e lartë abstraguese, formësohet një tension i brendshëm, tension që vjen prej shumëllojshmërisë së figuracionit që krejt natyrshëm ngarkon emocionin dhe prej energjisë së shprehjes poetike.

Nënshtresime të opusit poetik

Lënda poetike, përveçse është reaguese ndaj shpirtit të njeriut, është qëllimisht reaguese edhe ndaj objekteve (porta, dhoma e gjumit, gota, shtrati, telefoni, televizori, dritarja, makina e shkrimit, etj.), dhe është, si të thuash, një komunikim i natyralizuar poetik me objektet e cituara si një shprehje e ngacmimit të parë të njeriut me kontaktin e përditshëm të mjedisit. Poeti arrin t’i shpirtëzojë objekte të tilla, duke krijuar gjithsesi imazhe të shumta.

Për çka u tha më sipër, poezi të tilla do të përbënin nënshtresimin e parë të opusit poetik të Ramadan Musliut, prandaj, e vështruar më imtë, Musliu me poezinë e tij, është ndër më të dallueshmit poetë në letrat shqipe, që arrin të krijojë përnjëmend veçantinë e ligjërimit përmes objekteve të tilla, d.m.th. një komunikim të plotë poetik përmes objekteve që frymohen dhe që marrin formën e shpjeguesve të të fshehtave të mjedisit.

Në poezinë “Dhoma e gjumit” komunikimi ndërmjet lexuesit me poezinë, është një komunikim i tejdukshëm dhe ngacmues:

Në krahërorin e përgjakur

Ora e zemrës

rrjedhën e ujit nëpër shtratin

e gjumit po mat.

Nënshtresimin e dytë do ta përbënin poezitë e krijuara kur poetit i vijnë ngacmimet prej përfytyrimeve të trupit, frymës si dhe çdo gjëje të fshehtë që fshihet në brendësi. Të gjitha këto paraqiten figurativisht pas trazimit ta paprajshëm, ose, thënë më ndryshe, pas një gjendje kome apo mërgimi, që krijon vetvetishëm mbërritja e shkëdisë (përndezjes) poetike, që është në një farë forme një lloj përndritjeje poetike.

Nënshtresimin e tretë do ta përbënte opsioni i poetit për kohën dhe botën dhe ku forca abstraguese përcjell një përfitim të madh esetik dhe njëkohësisht një përqendrim të plotë ndaj asaj që lexohet.

Raporti: e thënë – e pathënë

Poezia e Ramadan Musliut shfaqet në trajtën më dridhëse apo reaguese ndaj shpirtit të njeriut; një reagim kësisoj sikur mbush zbrazëtinë e ndërmjetme midis fjalës dhe vetë shpirtit. Rrjedhimisht, vargjet rrjedhin natyrshëm në formën e një sinusoide vertikale dhe mëvetësohen artistikisht gjithashtu prej një ritmike muzikore vertikale.

Kur mbaron vargjet e para të çdo poezie (por shpesh edhe një varg të vetëm), krijohet si pa u ndjerë një zbrazëti, por një zbrazëti komunikuese; pikërisht në një zbrazëti të tillë lexuesi sikur kërkon të marrë frymë dhe të fillojë prapë në rrjedhën e poezisë vijuese. Kjo ndodh, pasi lexuesi, në pamje të parë, racionalisht është larg poezisë, ndërsa emocionalisht është shumë pranë saj. Gjithsesi, në këtë zbrazëti të mbushur të krijuar intuitivisht prej poetit dhe të përvetësuar po intuitivisht prej lexuesit në aktin e komunikimit me poezinë, ekziston lidhja e brendshme me vargjet e mëpastajme dhe, ndërkaq, përtërihet dhe zmadhohet dendësia e përfytyrimit poetik, ndërsa integrimi i lexuesit në tekstin poetik duhet të jetë në shkallën maksimale.

Le të citojmë vetëm pak vargje nga poezia “Zilka e qelqit”, një prej poezive më sugjestive dhe më me efekt artistik të krejt poezisë së Musliut:

Si yll i detit

i afrohem pasqyrës

me të pesë shqisat e mia

ta shikoj trimin e çartur

që fshihet në mua.

Në poezinë “Zilka e qelqit” krijohet përfytyrimi për vetironizim dhe rritet emocioni prej vargut në varg. Ndalesat që krijohen në zbrazëtinë (ndërmjetësinë) midis vargjeve, janë si të thuash, ndalesa për të mbushur vetë zbrazëtinë, pra, janë ndalesa artistike. Një mendim i tillë krijohet kur e kundron krejt poezinë e Musliut, apo dhe veçmas poezi të tilla si: “Kujtesa e gjallë”, “Në laborator”, “Gjendja asnjanëse”, “Meditim mbi botën”, “Liqeni i mjellmave”, etj., që për nga përfytyrimi artistik përbëjnë një konstelacion poetik më vete.

Në poezinë e tij ndihet shpërfillja tematike, si reagim i parë i poetit ndaj kornizave. Ndërkohë ndihet edhe tensionimi ndërmjet raportit: fjalë të pathëna-fjalë të thëna, çka krijon një zbrazëti tjetër, por tashmë një mungesë në fjalët e pathëna. Në poezinë “Parafjala” gjenden vargjet:

Kush e di se ç’domethënie kanë

fjalët që nuk i themi

Poeti, pra, intensivisht dhe njëkohësisht, në mënyrë intuitive, e vëren se i sosen fjalët, pasi ka operuar përmes poezisë së shkurtër dhe tepër racionale. Brenda poezisë gjithashtu krijohen parregullsi poetike dhe me ç’rast gjallërohet edhe përpëlitja poetike, por që krijojnë një harmoni të brendshme prej vargut në varg. Është një finesë në të tilla parregullsi dhe në këtë formë të kompozimit poetik, parregullsitë sjellin cilësinë e vetë poezisë.

Venerime në ciklin “Shqisa e gjashtë”

Cikli poetik “Shqisa e gjashtë” është botuar në përmbledhjen “Shqisa e gjashtë” (1983), dhe përfshin gjithsej 19 poezi; çdo poezi përmban 10 vargje. Vargjet, që në pamje të parë, dallohen se janë të montuara dy e nga dy, për shkak të rimës së rregullt a të harmonisë së tillë që krijohet në këtë rast. Por, në rast se, mendimi nëpër poezi përcillet prej vargut në varg, çdo varg i vetëm ka mëvetësinë e të funksionuarit dhe i nënshtrohet rrjedhës së përgjithshme funksionuese të krejt poezisë. Çdo varg i vetëm është shfaqja e një mendimi, është shfaqja e një peisazhi; montimi me vargjet e tjera të poezisë do të sillte funksionalizimin e një mendimi të tërë e lëvizjen e një peizazhi që merr dritë vetëm mbas montimeve të peizazheve të tjerë. Të shohim më nga pranë poezinë “Meditim mbi botën”:

Si deti në shishe bota kish furtunë

            shkumë e valëve çohet gjak e dhunë

            verbësia bie si pulëbardhë në valë

            hidhësi e vdekjes a jetë nëpër fjalë

            ngjala e syrit dergjet në liqenin e ngrirë

            flutura e harrimit përdridhet në hapësirë

            njelmëson gojën me gjak fati njerëzor

            kuptimi i jetës mbyllet në metaforë

            pas fjalës së shqiptuar në shpirt psherëtime

            ç’borë po resh tash mbi bebzën time

Vargu nistor i poezisë: Si deti në shishe bota kish furtunë, i marrë në veçanti, kumton të thëna për një poezi të tërë dhe autori luan lehtësisht me kontrastin, duke liruar njëkohësisht përfytyrime të mëdha, të cilat mund të shihen ose mund të gjenden vetëm në poezi fort të arrira. Vargu i fundit: ç’borë po bie mbi bebzën time, edhe ky i marrë në veçanti prej vargjeve të tjera të poezisë ku është përfshirë, gjallëron estetikisht universin e shqetësimit apo dhe dramacitetin e një lirizmi të trazuar. Poeti ka përfshirë në fokusin e tij zonën e një lirizmi të trazuar dhe nga të gjitha anët që mund të kundrohet, një zonë e tillë është e tejdukshme.

Cikli poetik “Shqisa e gjashtë”, është cikli më shprehës i mëvetësisë poetike të Ramadan Musliut, dhe ndër më të veçantët në poezinë shqipe. Është një cikël që e fton lexuesin të rendet jo vetëm mbas një forme të shfaqjes (prezentimi i parë), por mbas një forme që nis dhe dyzohet. Struktura ndërtimore e peisazheve lëvizëse ose të peisazheve ndërruese të mendimit, zhvendosja e kohës dhe çrregullimet hapësinore, ndërrimi i shpeshtë i figuracionit dhe ripërtëritja sa më e dendur e tij, ka sendërtuar një filozofi poetike gjysmë të zbërthyeshme dhe ku zbërthimi i plotë, ose më saktë, afrimi pranë një zbërthimi të tillë, mund të kryhet vetëm mbas një vrojtimi të dytë të tekstit. Kjo do të thotë që imazhet më të fuqishme lindin mbasi është përcjellë lënda poetike. Veç kësaj, është metafora e brendshme që aktivizon ritmikën poetike dhe që detyrimisht kërkon një përqëndrim maksimal ndaj lëndës poetike.

Cikli poetik “Shqisa e gjashtë”, është një derdhje speciale e bukurisë poetike, është cikli ku formësohet përmes një rregullsie ritmike poetika dhe kuptimësia; i përqëndruar n’atë formë interpretimi, arrin të deshifrojë vrojtimet e shumta, të cilat lëvizin në një imagjinatë të plotë kreative. “Shqisa e gjashtë”, është cikli ku tensioni i brendshëm arrin në një kuotë maksimale, mendimi bëhet intensiv, ndërsa në anën tjetër, imazhet zhvendosen nga një hapësirë në tjetrën, si imazhe të mëvetësishme kuptimisht dhe estetikisht. Për arsye të tilla poezitë janë të konfiguracioneve të shumëllojta; shpesh vargjet janë të mbështjella me një lëndë të tejdukshme figuracioni (lëndë e cila vetvetishëm zmadhon hapësirën e mendimit), dhe ekspozojnë figurativisht një botë të paqetë dhe njëkohësisht edhe fatin e njeriut që endet nën trysninë e vazhdueshme. Për shembull, në poezinë “Liqeni i mjellmave”, ekonomizimi i shprehjes është në kufijtë e maksimales. Hapësira e komunikimit, me gjithë dendurinë e figuracionit, është transparente, ndërsa rrëfimi poetik është në gjendje të ndërmjetme, d.m.th. midis ëndërrimit njerëzor dhe trazimit shpirtëror që vjen pikërisht  edhe prej ekzistencës së vetë ëndërrimit si ishull kreativ në vetvete.

Profil

Prej viteve 1993 – 2004 Ramadan Musliu punoi si redaktor kulture e pastaj edhe si kryeredaktor i të përditshmes “Rilindja”, botimi i Tiranës. Gjatë kësaj periudhe drejtoi Shtepinë botuese “Eurorilindja”.

Studime dhe kritikë letrare:

1990 – “Mbindërtimi poetik”, Prishtinë;

1998 – “Konfiguracione narrative”, Tiranë;

2005 – “Estetikja e dallueshme”, Prishtinë;

2010 – “Ekskurs në letërsinë për fëmijë”, Shkup;

2012 – “Tangjenta letrare”, Prishtinë;

1997 – “Vetëripërtëritja e totalitarizmit”, Tiranë, libër publicistik

Autor i pesë librave me poezi:

1981 “Parodia e trupiut”, Prishtinë;

1985 “Shqisa e gjashtë”, Prishtinë;

1987 “Pasqyra e të rrëfyerit”, Prishtinë,

1996 “Kënga e sibilave”, Tiranë,

2004 “Në zemrën e gjërave”, Prishtinë.