Ndizen flakadanë në 26-vjetorin e masakrës së 3-4 shkurtit 2000 në Mitrovicë - Gazeta Express
string(76) "ndizen-flakadane-ne-26-vjetorin-e-masakres-se-3-4-shkurtit-2000-ne-mitrovice"

Lajme

Gazeta Express

04/02/2026 19:09

Ndizen flakadanë në 26-vjetorin e masakrës së 3-4 shkurtit 2000 në Mitrovicë

Lajme

Gazeta Express

04/02/2026 19:09

Flakadanë janë ndezur sot pranë pllakës përkujtimore të vendosur te Ura e Re për këmbësorë në Mitrovicë, në shënim të 26-vjetorit të masakrës së natës mes 3 dhe 4 shkurtit 2000, ku u vranë 10 shqiptarë dhe u plagosën 25 të tjerë.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, gjatë ditës ka thënë se 26 vjet më parë “regjimi gjenocidal i Millosheviqit” vrau dhe plagosi civilë të pafajshëm vetëm pse ishin shqiptarë dhe po qëndronin në pronat e tyre.

Sipas tij, pllaka përkujtimore është vendosur si dëshmi se sakrifica dhe gjaku i derdhur i viktimave nuk do të harrohen.

Në ceremoninë e vendosjes së pllakës përkujtimore mori pjesë edhe Luan Abrashi, nëna e të cilit, Sebiha Abrashi, ishte vrarë nga strukturat serbe.

Ai rrëfeu tmerrin e asaj nate, duke thënë se ngjarja kishte ndodhur në prezencën e trupave të KFOR-it dhe UNMIK-ut, rreth gjashtë muaj pas përfundimit të luftës.

“Në kuadër të saj ka qenë edhe nëna ime, Sebiha Abrashi. Atë natë ka qenë një natë e tmerrshme pasi është bërë në prezencën e forcave të KFOR-it apo UNMIK-ut, afër gjashtë muaj pas përfundimit të luftës. Ka qenë shumë mirë e organizuar nga ana e strukturave serbe për spastrimin etnik të shqiptarëve. Ka qenë një natë e tmerrshme pasi vrasjet janë bërë pa dallim gjinie apo moshe dhe në mënyrën më barbare”, ka thënë Abrashi.

Ndërkaq, sot në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” është hapur ekspozita me fotografi nga “Nata e Tmerrit”./KosovaPress

Advertisement
Advertisement
Advertisement