Ndikimi i pandemisë dhe i krizës pasuese në obligimet e kontratave publike - Gazeta Express
string(74) "ndikimi-i-pandemise-dhe-i-krizes-pasuese-ne-obligimet-e-kontratave-publike"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

29/03/2022 15:00

Ndikimi i pandemisë dhe i krizës pasuese në obligimet e kontratave publike

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

29/03/2022 15:00

(Shkresë publike drejtuar Qeverisë, ministrive përkatëse, odave ekonomike dhe mediave)

Të nderuar,

Pandemia e COVID-19 e shkaktuar nga Coronavirusi dhe efektet e saj të tejzgjatura negative në tregjet globale, pasuar me krizën e madhe energjetike dhe luftën Ukrainë-Rusi, janë duke pasur një ndikim të vazhdueshëm negativ në ekonominë e Kosovës, veçmas në sektorin e ndërtimtarisë si punëdhënës i madh si dhe në aktivitetet ditore të bizneseve.

Përveç politikave të mëhershme të Qeverisë, duke aplikuar mbylljen apo kufizimin e bizneseve dhe lëvizjeve të njerëzve, gjë e cila do të ketë edhe më tutje ndikime të mëdha negative në veprimtarinë biznesore në Kosovë, kriza energjetike dhe lufta e lartcekur ka çrregulluar edhe më tepër gjendjen. Pasojat në veprimtaritë tregtare, prodhuese e shërbyese do të jenë të rënda, siç janë evidente vonesat në liferimin e mallrave dhe shërbimeve, pagesat e çrregulluara, mungesa totale apo mosfurnizimi me materiale të caktuara, varësia e madhe e Kosovës nga importi, çmimi i lartë i energjisë etj. që po ndikojnë drejtpërdrejtë në përmbushjen tejet të vështirësuar e me humbje të mëdha të detyrimeve kontraktuale, sidomos shkaku i rritjes enorme të çmimeve. Kështu, pavarësisht përpjekjeve të mëdha të bizneseve për operim, një situatë e këtillë e rënduar bën që të hasim në vështirësi gjatë përmbushjes së kontratave tona aktive, qoftë ato komerciale apo edhe kontratave publike. Ministritë tanimë po kërkojnë vazhdimin e projekteve të kontraktuara, pavarësisht që humbjet të cilat po na krijohen janë tejet të mëdha dhe askush nuk merret me to.

Legjislacioni i Kosovës duhet së pari ta definojë qartë nocionin “force majeure”, e cila do t’i lejonte palët nënshkruese të një kontrate komerciale apo publike që të pezullojnë përmbushjen e detyrimeve të tyre të kontraktuara në rast të mbizotërimit të një ngjarjeje të tillë, meqë shtrohet pyetja se cila ngjarje tjetër i plotëson kriteret e “force majeure” më shumë sesa pandemia e Covid-19, duke qenë ngjarje apo rrethanë anormale, e paparashikueshme dhe e pashmangshme, përtej kontrollit të palëve kontraktuese, pasojat e së cilës ngjarje nuk mund të ishin shmangur, pavarësisht ushtrimit të gjithë kujdesit të duhur.

Bazuar në përkufizimin e “force majeure”, palët duhet së pari të bien dakord për pasojat e ”force majeure” në marrëdhëniet e tyre të kontraktuara dhe hapat e mëtejmë, për shembull pezullimi apo rinegocimi i kontratave ose ndërprerja e përkohshme, duke u kompenzuar operatori ekonomik. Siç dihet, ”force majeure” mund të përfshijë një listë të ngjarjeve, si: lufta, trazirat, zjarri, përmbytjet, tërmeti, epidemitë, shpërthimet, grevat, dhe akte tjera veprimesh shtetërore ose qeveritare, që ndalojnë ose pengojnë përmbushjen e detyrimeve përkatëse të kontraktuara.

Me qëllim të mbrojtjes së palëve të prekura nga mospërmbushja e detyrimeve të tyre të kontraktuara, klauzola ”force majeure” do të duhej të deklarohej dhe pranohej publikisht nga të gjitha institucionet qeveritare dhe operatorët e biznesit, sidomos sa i përket kontratave publike. Mirëpo, një gjë e tillë nuk është bërë dhe kjo është lënë në vullnetin e palëve kontraktuese. Kësisoji, përveç pasojave shëndetësore dhe ekonomike, biznesin tani po e godasin edhe pasojat juridike të Covid-19, sa i përket mospërmbushjes së obligimeve kontraktuale.

Klauzola e  “force majeure” theksohet psh.: edhe në Ligjin nr. 04/L-176 për Turizmin, përmes të cilit bizneset që ofrojnë shërbime turistike mund të gëzojnë mbrojtje ligjore duke u thirrur në “force majeure”,  sa i përket anulimit të paketave turistike dhe dëmeve që mund t’iu shkaktohen konsumatorëve. E njejta do të mund të aplikohej në sektorin e ndërtimit dhe sektorë të tjerë, bazuar në ndikimet e pandemisë Covid-19, e cila edhe me Ligjin nr.07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e kësaj pandemie në territorin e Republikës së Kosovës, nuk është shpallur ende situatë e përfunduar (pandemi e mbyllur). Duke u nisur nga ky fakt, palët kontraktuese do të duhej të rishikojnë me kujdes klauzolen e “force majeure/fuqisë madhore” dhe detyrimin e njoftimit të ndërsjellë lidhur me pengesat, si dhe të bijnë dakord për ndryshim apo pezullim të detyrimeve të përcaktuara kontraktuale, shkaku i rrethanave të krijuara pa vullnetin e tyre.

Në rastet kur klauzola ”force majeure” nuk përfshihet në kontratat e lidhura ndërmjet palëve, atëherë palët e goditura mund të mbrohen nga parimet e përgjithshme të ligjit civil-juridik, duke përfshirë parimin e zgjidhjes ose revidimit të kontratës për shkak të rrethanave të ndryshuara (rebus sic stantibus/prezumimi i zgjidhjes) dhe parimin e pamundësisë së përmbushjes së obligimeve. Këto klauzola lirojnë ose kufizojnë përgjegjësinë e operatorëve ekonomik, në rastet kur nuk kanë mundur të përmbushin detyrimet e veta për shkak të rrethanave të krijuara jashtë vullnetit dhe kontrollit të tyre. Shumë operatorëve ekonomik, shkaku i këtyre rrethanave që nuk kanë mundur të parashikohen, pengohen apo eliminohen, iu është tejzgjatur por edhe pamundësuar kryerja e projekteve të nisura dhe përmbushja e detyrimeve nga kontratat aktive. Edhe ato që janë duke vazhduar përmbushjen e obligimeve kontraktuale, kanë dëme të paparashikueshme, shkaku i ngritjes enorme të çmimeve dhe çrregullimeve tjera në tregun global, me rrezik të uljes së numrit të punëtorëve ose në rastin më të keq falimentimin e biznesit.

Pandemia Covid-19, e pasuar me rritjen enorme të çmimit të energjisë si dhe luftën aktuale në Ukrainë, i ka ngritur çmimet në nivele të papara ndonjëherë. Marrim shembull metalet, që në treg janë shtrenjtuar për 130%, por disa produkte edhe nuk liferohen fare; çmimi i betonit është ngritur për 40%; asfalti poashtu 40%; nafta 70%; zhavori 30% etj. Kjo ka bërë që kontratat aktive të jetë e pamundur të zbatohen me kushtet e nënshkruara më herët, ndërsa edhe Neni 116 i Ligjit Nr.04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve, Kapitulli IV , e parasheh revidimin e kushteve të kontratës dhe të çmimit të saj, kur kemi të bëjmë me rrethana të ndryshuara nga ato në kohën kur është lidhë kontrata, e që nuk kanë mundur të parashihen. Zbatimi i këtij neni nga Autoritetet Kontraktuese do të bënte që operatorët ekonomik të mos dëmtohen shumë financiarisht ose edhe të planifikohet të kompenzohen apo subvencionohen për dëmet e deritashme nga kontratat aktive.

Sipas Ligjit të lartcekur për Marrëdhëniet e Detyrimeve, në rast se detyrimet e kontraktuara nuk mund të përmbushen fare, pasi që kanë lindur rrethana që operatori nuk ka mundur t’i parashikoj, t’i pengoj apo t’i eliminoj, atëherë ai duhet të lirohet nga përgjegjësia për këto detyrime, pra pamundësia e përmbushjes parashihet në këtë ligj.

Kontratat e prokurimit publik përmbajnë klauzolën e “force majeure” dhe nën kushtet e përgjithshme parashohin epidemitë si një “force majeure”; Neni 11 i kontratës kornizë parasheh që “operatori ekonomik mund të kërkojë zgjatje të periudhës së ekzekutimit nëse realizimi i kontratës së tij vonohet, ose pritet se do të vonohet, për arsye të fuqisë madhore.

Neni 28 paragrafi 1 i seksionit II të kontratës kornizë nën kushtet e përgjithshme, përkufizon “fuqinë madhore”, që nënkupton çrregullime industriale, çrregullime civile, luftëra, shpërthime, fatkeqësi natyrore, tërmete, zjarre, përmbytje, epidemi etj, të shkaktuara jo nga faji ose dështimi i palëve kontraktuese, pamundura të parashikohen dhe përtej kontrollit të palëve të kontratës.

Në tërë globin kemi pasur jo epidemi të kufizuar në një vend, por pandemi të njohur dhe të shpallur botërisht. Bazuar në rrethanat e “force majeure”, afati i përmbushjes së detyrimeve të kontraktuara nga operatorët ekonomik do të duhej zgjatur për aq kohë sa zgjatë periudha e pezullimit apo forca madhore Covid-19, ende në fuqi edhe me ligjin përkatës. Nëse biznesi nuk është në gjendje të përmbushë detyrimet e veta nga kontrata e prokurimit publik për shkak të “force majeure”, ai nuk duhet të përballet me pasojat e mospërmbushjes së kontratës, pra të lirohet nga përgjegjësia për aq kohë sa është i ndikuar në përmbushjen e kontratës aktive.

Siç dihet, në praktikë kjo klauzolë nuk është zbatuar në vendin tonë, gjë që po e vonon rikuperimin e pasojave të situatës së krijuar.

PËRFUNDIM:

Përmes kësaj shkrese, i kërkoj Qeverisë, IKSHPK-së, odave ekonomike e afariste etj. që së pari të marrin vendim që të lëshojnë dëshmi apo certifikata që biznesi i caktuar (sipas sektorëve) është afektuar nga rrethanat dhe ndikimet e “force majeure” dhe gjithcka që ndërlidhet me këtë klauzolë.

Pasi të jenë identifikuar kushtet e kontratave të cilat mund të jetë e vështirë ose e pamundur të zbatohen, sidomos nga mungesa e financimit, ngritja enorme e çmimeve dhe mungesa e materialeve në treg, palët duhet të rivlerësojnë kontratat publike, përmbushjen e tyre dhe të vendosin për pezullimin, modifikimin apo ndryshimin e kontratës.

Autoritetet kontraktuese dhe operatorët ekonomik mund të rishikojnë termat dhe kushtet e kontratave publike bazuar në arsyen e pandemisë dhe ndikimeve të saj, rrethanave të krijuara në treg dhe vështirësive për të cilat detajisht do të njoftohej autoriteti kontraktues nga ana e operatorit ekonomik. Pas kësaj, së pari mund të aplikohet vetëm pauzimi i punimeve (shërbimeve, furnizimeve etj.), duke negociuar për zgjidhje miqësore të situatës në përputhje me kërkesat e legjislacionit dhe interesave të të dyja palëve, e kurrsesi jo të shkohet direkt në shkëputjen e kontratës.

Këto ndryshime të kushteve të kontratave do të duhej të lejohen bazuar në legjislacionin në fuqi dhe Rregullat e Udhëzimet Operative të Prokurimit Publik, si në vijim:

  1. Situata faktike e krijuar nga Covid-19 si dhe masat e miratuara nga qeveria qendrore apo autoritetet, do të duhej ta obligonin Qeverinë që të ndërhyj si garantues për zgjatjen e afatit kohor të përmbushjes së kontratave publike dhe pagesën e punimeve të kryera deri tani, duke mbrojtur kështu operatorin ekonomik nga humbjet si pasojë e çrregullimeve në treg.
  2. Këto rrethana do të duhej të njiheshin dhe mbeteshin në fuqi derisa të mos shfuqizohet Ligji nr. 07/l-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid19 në territorin e Republikës së Kosovës.
  3. Gjykatat në Kosovë do të duhej ta marrin parasysh klauzolën e “force majeure/fuqisë madhore” si dhe parimin e zgjidhjes ose revidimit të kontratës, për shkak të rrethanave të ndryshuara dhe si pasojë, pamundësinë e përmbushjes së obligimeve.
  4. Ndëshkimet dhe penalizimet e parapara për vonesat në kontratat e sektorit publik, nuk do të duhej të zbatohen gjatë pandemisë dhe afatet e pranuara në kontrata duhet të zgjaten deri sa zgjatet periudha kohore e pandemisë Covid-19.
  5. Kërkesat e kreditorëve për likuidimin e detyrueshëm përmes Përmbaruesve do të duhej të shtyhen deri sa të ketë mbaruar urgjenca e Covid-19 e shpallur me Ligj. Kjo nuk do të duhej të vlejë vetëm nëse paaftësia paguese ka ndodhur për arsye krejt tjera nga ato të “force majeure”.        

Ndikimet e tejzgjatura të Covid-19 kanë ndikuar që përditshmëria jonë të çrregullohet. Këto ndikime negative janë duke u thelluar për shumicën dërrmuese të bizneseve dhe sektorëve industrial. Kërcënimi më i madh për ekonominë është që bizneset, si pasojë e paaftësisë paguese, të mos arrijnë të kryejnë pagesat dhe t’i nënshtrohen procedurës së falimentimit.

Sa i përket kompanive në vendin tonë, ato gjithashtu po kalojnë një periudhë të vështirë financiare. Pavarësisht masave përmes pakove stimuluese të ndërmarra nga ana e Qeverisë, kjo krizë ekonomike paraqet një kërcënim për mbijetesën e bizneseve, duke shkaktuar humbjen e aftësisë paguese të tyre, rrezikun e falimentimit dhe shkëputjes së kontratave të punës së stafit si dhe pamundësinë e tyre të përmbushin detyrimet e kontraktuara, që tanimë janë barrë e rëndë për shumë biznese. Kështu, për bizneset nevojitet një strategji adekuate e daljes nga kjo krizë, duke pasur parasysh ndikimet e “forcës madhore”, që rrjedhimisht kërkon revidimin e kushteve të kontratave publike dhe komerciale.

Në këtë aspekt, kërkohet ndihma e odave ekonomike dhe afariste, institucioneve shtetërore dhe vet bizneseve, duke komunikuar ndër vete dhe duke shqyrtuar mundësitë që për dëmet e aspektit juridik që rrjedhin nga kontratat aktive, të mundësohet mbrojtja nga humbjet përmes rishqyrtimit të kushteve të kontratave dhe masave tjera mbrojtëse. Në fakt, me këtë nuk shpikim asgjë të re, vetëm i bashkangjitemi veprimeve të qeverive të rajonit dhe Evropës, së cilës pretendojmë se i takojmë kur po na konvenon, por jo edhe kur kjo përkatësi derivon obligime financiare dhe të mbrojtjes së bizneseve.

Arbër Halilaj, drejtor

Kompania ndërtimore “R&Rukolli” SH.P.K.