Ndikimi i pandemisë Covid 19 në ekonomi - Gazeta Express

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

04/05/2020 19:40

Ndikimi i pandemisë Covid 19 në ekonomi

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

04/05/2020 19:40

Pandemia Covid 19 ka marrë përmasa globale brenda një kohe shumë të shkurtë duke shkaktuar krizë shëndetësore dhe ekonomike pothuajse në të gjitha vendet. Ajo që e bën shumë unike këtë pandemi është efekti i menjëhershëm dhe shumë i madh në të gjitha ekonomitë botërore. Bota deri më tani nuk ka përjetuar një krizë ekonomike të përmasave kaq të mëdha, e cila ka goditur edhe anën e ofertës edhe atë të kërkesës, dhe ende nuk dihet se si kjo pandemi do të përfundoj.

Shkruan: Fehmi Mehmeti*

Shumë qeveri kanë aplikuar masa të ndryshme duke përfshirë distancimin fizik, përdorimin e pajisjeve mbrojtëse, kufizimet në udhëtime, etj. Këto masa kanë për qëllim ngadalësimin e shpërndarjes së pandemisë dhe dallojnë varësisht nga faza e pandemisë në të cilën shtetet gjenden. Këto masa kanë ndikuar në aktivitetin ekonomik, ndikim që deri më tani është i paprecedentë. Bota deri me tani nuk ka parë një izolim të kësaj shkalle. Më shumë se një e treta e popullsisë botërore është në ndonjë formë e izoluar për shkak të pandemisë. Vende të ndryshme veç se kanë ndërmarrë masa të intervenimit jo për të evituar pasojat, por të paktën për t’i minimizuar ato, pasi që lirisht mund të thuhet që ngritja në asnjë rast nuk mund të jetë po aq e shpejtë krahasuar më rënien që tashmë e kemi përjetuar. Pothuajse të gjitha bankat qendrore kanë ulur normat e interesit dhe kanë marrë masa për mbështetje të likuiditetit, përfshirë këtu edhe shtyrjen e pagesave të kredive për huamarrësit e afektuar nga pandemia. Në të njëjtën kohë, të gjithë janë të vetëdijshëm se këto masa nuk janë të mjaftueshme dhe tani janë duke shqyrtuar masat e reja, të cilat duhet të jenë shumë dimenzionale dhe të koordinuara ndërmjet vendeve të ndryshme.

Tregjet financiare globale shënuan rënie të madhe gjatë muajit mars për t’u rikuperuar pak në javën e fundit të muajit mars dhe gjatë muajit prill. Sektori i energjisë është gjithashtu një nga sektorët që është afektuar më së shumti. Rënia rekorde e çmimeve të naftës si pasojë e uljes së kërkesës por edhe të rritjes së ofertës tregon më së miri frikën nga recesioni ekonomik. Rënia e çmimit të naftës do të ndikoj pozitivisht tek ekonomitë e disa vendeve, por në anën tjetër do të këtë pasoja negative për vendet të cilat mbështeten në eksportin e naftës. Rënia në tregjet financiare globale ka afektuar edhe Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK). Çmimi për njësi i FKPK-së shënoi rënie për 14 cent apo për 9.2 për qind nga 23 shkurt 2020 deri me 23 mars 2020, për të shënuar një rritje prej 8 centëve deri më 24 prill 2020. Kjo paqëndrueshmëri në tregjet financiare sigurisht që ndërlidhet me lajmet lidhur me pandeminë COVID-19 dhe me pritjet për rënie të aktivitetit ekonomik dhe masat ekonomike të ndërmarra nga shtetet.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) tashmë ka vlerësuar se ekonomitë e avancuara do të kenë një rënie ekonomike prej 6.1 për qind në vitin 2020 ndërsa ekonomitë në zhvillim në Evropë do të kenë një rënie ekonomike prej 5.1 për qind. FMN-ja ka aktualisht të njëjtin parashikim edhe për Kosovën, për të cilën pritet të ketë një rënie ekonomike prej 5 për qind në vitin 2020. Vlerësimet e fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës janë që Kosova do të këtë një rënie ekonomike prej 2 për qind deri në 4 për qind këtë vit. Megjithatë, këto parashikime varen shumë nga kohëzgjatja e pandemisë dhe fazat e largimit të masave kufizuese. Duke qenë se një pandemi e tillë nuk është përjetuar nga asnjë ekonomi deri më tani, kemi të bëjmë me një situatë shumë të panjohur dhe vlerësimet mund të ndryshojnë.

Kosova është një nga ekonomitë më varësi të lartë nga remitencat. Remitencat në vitin 2019 ishin 852 milion euro apo 12 për qind e Bruto Produktit Vendor (BPV). Pandemia ka rritur papunësinë në shumë sektorë të ekonomisë globale, andaj rënia e tyre është e pritshme. Remitencat janë shumë të rëndësishme për mbijetesën e shumë ekonomive familjare në Kosovë dhe si të tilla do të kenë ndikim shumë të madh në rimëkëmbjen nga pandemia.

Pas tejkalimit të pandemisë dhe largimit të masave kufizuese suksesi i rimëkëmbjes ekonomike do të varet shumë nga masat ekonomike të ndërmarra gjatë dhe pas pandemisë. Ato duhet të sigurojnë një varg të masave për ekonomitë familjare dhe Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) duke përfshirë mbështetje të likuiditetit nëpërmjet lehtësimit të qasjes në financim përmes Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), subvencionimin e pagave si dhe injektim të fondeve nëpërmjet granteve direkte për sektorë të caktuar. Një mbështetje e veçantë duhet të sigurohet për ekonomitë familjare me të ardhura të ulëta.

Roli i FKGK-së është shumë i rëndësishëm në dizajnimin dhe implementimin e masave ekonomike për rimëkëmbje. FKGK-ja duhet që të këtë në fokus të veçantë NMVM-të të cilat iu shërbejnë sektorëve që janë afektuar nga pandemia. Shuma e Fondit për Garanci Kreditore sigurisht qe duhet të rritet pasi që shuma aktuale nuk mund të plotësoj nevojat aktuale të bizneseve, ndonëse mbetet të shihen më saktësisht pasojat financiare të këtij fondi nga humbjet për kreditë tashmë të garantuara.

Kosova për fat të mirë ka një nivel të ulët të borxhit publik në raport me BPV-në dhe ka fleksibilitet të mjaftueshëm të financimit, dhe kjo mundëson që të këtë një pako të favorshme të rimëkëmbjes ekonomike. Borxhi publik në fund të vitit 2019 ka arritur në 1.2 miliardë euro. Si përqindje e BPV-së, borxhi publik ka arritur në 17.5 për qind. Natyrisht që në këto rrethana ekonomike çdo financim shtesë do të këtë një kosto më të lartë se ai ekzistues. Sigurisht që rritja e niveleve të borxhit publik të Qeverisë së Kosovës do të jetë ngarkesë në të ardhmen, por me një menaxhimin të kujdesshëm të financave publike kjo barrë e borxhit mund të menaxhohet.

Kosova gjithashtu ka një sistem financiar shumë stabil. Kreditë joperformuese para pandemisë kanë qenë në nivelin më të ulët historik. Në fund të vitit 2019, ato ishin vetëm 2 për qind që ishte norma më e ulëta në vendet e rajonit. Në këtë gjendje, Kosova është në pozitë shumë të mirë për të përballuar rritjet e mundshme të kredive jo-përformuese. Në fakt, Kosova kishte një normë të kredive jo-përformuese prej 8.7 për qind në fund të vitit 2013. Kjo situatë ishte menaxhuar mirë në të kaluarën, ndërsa duke pasur parasysh nivelet aktuale të kapitalit të bankave prej 15.4 për qind në fund të vitit 2019 dhe mbulueshmërinë e kredive jo-përformuese me provizione prej 163.5 për qind, bankat tani janë në gjendje shumë të mirë për të absorbuar humbjet e mundshme kreditore dhe në të njëjtën kohë të rrisin kreditimin për të mbështetur ekonominë. Përveç kësaj, sistemi bankar kishte dhe vazhdon të këtë likuiditet të lartë. Raporti i likuiditetit në fund të vitit 2019 ishte 38.7 për qind. Niveli i depozitave gjatë pandemisë ka qenë shumë stabil. Me 29 prill 2020, depozitat ishin në shumë rreth 3.9 miliardë euro dhe kanë shënuar një rritje të vogël prej 2 milion euro, krahasuar me 16 mars 2020.

Edhe institucionet ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore parashohin një kthim të fuqishëm të ekonomisë në vitin 2021. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar një rritje prej 7.5 për qind në vitin 2021, përderisa Banka Botërore ka parashikuar rritje prej 5.2 për qind.

Të gjithë kemi shumë arsye të mbetemi optimistë përkundër rrethanave aktuale në të cilat ndodhemi. Kosova aktualisht ndodhet në një fazë të vështirë, e cila vlerësohet se mund të zgjasë disa muaj, por duhet pasur parasysh që Kosova në të kaluarën ka kaluar dekada shumë më të vështira dhe në fund ka triumfuar dhe ka dalë shumë më e fuqishme. Edhe kësaj radhe, ne do e kalojmë me sukses këtë periudhë.

Fehmi Mehmeti është guvernator i BQK’së