Ndikimet pozitive dhe negative të pandemisë COVID-19 në mjedis - Gazeta Express

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

07/09/2020 11:10

Ndikimet pozitive dhe negative të pandemisë COVID-19 në mjedis

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

07/09/2020 11:10

Dihet tashmë që problemet kryesore që janë raportuar dhe që vazhdojnë të raportohen anë e kënd botës në lidhje me pandeminë COVID-19 janë vdekjet e shumë njerëzve dhe rënia ekonomike. Nga ndikimi i pandemisë janë prekur pothuajse të gjithë sektorët zhvillimorë. Jashtë këtij ndikimi nuk ka mbetur as sektori i mjedisit. Por për dallim nga sektorët tjerë ku pandemia ka pasur kryesisht ndikime negative, në sektorin e mjedisit kishte më shumë ndikime pozitive, krahas atyre që ndikuan në përkeqësimin e gjendjes mjedisore

Shkruan: Afrim Berisha

Ndikimet pozitive

Cilësia e ajrit dhe emetimet në atmosferë

Një nga përfitimet kryesore të mjedisit që erdhi si rezultat i pandemisë ishte përmirësimi i cilësisë së ajrit. Për shkak të reduktimit të lëvizjeve me makina, u raportua për përmirësim të parametrave të cilësisë së ajrit në zona urbane në mënyrë të veçantë për treguesit që ndërlidhen me ndotjen nga trafiku si Dyoksidi i Azotit (NO2) dhe Grimcat PM2.5. Të dhënat e agjencive të ndryshme mjedisore treguan se përveç reduktimit të ndotësve që shkarkohen në atmosferë nga sektori i transportit, përfshirë këtu emisionet e  NO2 dhe PM2.5, kishte reduktim edhe të emetimeve të  gazrave serë e veçanërisht të CO2.   Në uljen e emetimeve në ajër dhe të emetimeve të gazrave serë ka ndikuar edhe reduktimi i fluturimeve, ndalimi i aktiviteteve sportive, aktiviteteve të mëdha publike, koncerteve, konferencave dhe takimeve.

Ngadalësimi i dëmtimit të shtresës së ozonit

Reduktimi i transportit gjatë periudhës së pandemisë, në mënyrë direkte ka reduktuar edhe uljen e konsumit të produkteve të naftës. Kjo ulje e konsumit të naftës ka pasur ndikime pozitive në mjedis e në mënyrë të veçantë në reduktimin e emetimit të gazrave që e dëmtojnë shtresën e ozonit. Së këndejmi është raportuar se degradimi i shtresës së ozonit gjatë kësaj periudhe kohore është ngadalësuar.   

Rënia shkallës së vdekshmërisë nga ndotja e ajrit

Është thënë vazhdimisht se shkalla e vdekshmërisë si pasojë e ndotjes së ajrit në botë është në rritje. Të dhënat flasin se gjatë periudhës së pandemisë është shënuar rënie e vdekshmërisë nga ndotja e ajrit, për faktin se ka pasur një reduktim të pranisë së gazrave helmuese në atmosferë që vijnë nga sektori i transportit por edhe për shkak se njerëzit nga të gjitha grupmoshat kanë qenë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi dhe kanë shmangur ekspozimin ndaj këtyre ndotësve.  Duke marrë për bazë faktin se shumica e popullsisë sot jetojnë në zona urbane, përmirësimi i cilësisë së ajrit në këto zona kishte një ndikim shumë të rëndësishëm për përmirësimin e shëndetit publik. Në disa vende rënia e shkallës së vdekshmërisë ishte për 20% më e ulët.

Reduktimi i zhurmës

Reduktimi i aktiviteteve të transportit dhe aktiviteteve tjera ekonomike e kulturore në njërën anë, dhe kufizimi i lëvizjes në ambientet e hapura të njerëzve në anën tjetër, kanë reduktuar ndjeshëm edhe nivelin e zhurmës por edhe ekspozimin ndaj këtij ndotësi. Ky përmirësim është vërejtur sidomos në zonat urbane.

Më pak njerëz në rrugë, më pak ndotje

Përveç reduktimit te ndotjes së ajrit që ishte rezultat i reduktimit të transportit, numri i reduktuar i njerëzve në ambientet e hapura ka ndikuar që të ketë më pak ndotje edhe të natyrave tjera. Është raportuar kryesisht për një ulje të mbeturinave në rrugë, në natyrë, në rrjedhat ujore dhe në përgjithësi në ambientet e hapura. Ka pasur reduktim të ndotjes edhe për shkak se janë reduktuar djegiet e hapura të mbeturinave apo edhe  për shkak se ka pasur më pak  aktivitete të ndezjes së skarave në ambientet e hapura.

Parqe dhe plazhe më të pastra

Pamundësia e njerëzve që të lëvizin lirshëm dhe që të kryejnë aktivitetet e tyre, ka ndikuar që disa zona sikurse janë parqet, pyjet dhe plazhet të jenë më pak të ndikuara nga aktivitetet e njeriut. Është raportuar për më pak mbeturina në këto zona, më pak mundësi të shqetësimit të faunës së egër dhe më pak raste të zjarreve në pyje.

Shenja të dukshme të përmirësimit të mjedisit gjithandej

Në muajt e parë të pandemisë, satelitët regjistruan imazhe përmes së cilave vërehej qartë një rënie drastike e ndotjes së ajrit gjithandej nëpër botë. Si rezultat i përmirësimit të cilësisë së ajrit mediat në Indi, raportuar se pas 30 viteve, njerëzit nga India Veriore, mundë të shihnin qartë majën e Himalajeve. Në qytetin turistik të Venedikut (Venecia), pas një kohe të gjatë për shkak të reduktimit të ndotjes së ajrit dhe reduktimit të transportit në kanalet e ujit, qielli i qytetit ishte i hapur ndërsa uji në kanalet e qytetit ishte i pastër.  Në plazhet e Tailandës që ishin të boshatisura për shkak të pandemisë, pas 20 viteve u rikthyen breshkat për të lëshuar vezët e tyre.

Ndikimet negative

Krahas ndikimeve pozitive, periudha e pandemisë kishte edhe ndikime negative mjedisore dhe që kryesisht ishin të ndërlidhura me sistemin e menaxhimit të mbeturinave, shkarkimet në ujëra, shfrytëzimin e resurseve apo edhe reduktimin e buxhetit për mjedisin.

Rritja e gjenerimit të mbeturinave për disa kategori

Gjatë kohës së pandemisë ka pasur rritje të gjenerimit të mbeturinave për disa kategori. Me theks të veçantë është rritur gjenerimi i mbeturinave medicinale që ka ardhur si rezultat i shtimit të përdorimit të maskave, dorëzave apo edhe pajisjeve dhe medikamenteve tjera medicinale që janë përdorur për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Po ashtu ka pasur një rritje edhe të sasisë së mbeturinave nga plastika dhe ambalazhet meqenëse, për të parandaluar përhapjen e COVID 19, janë favorizuar më shumë paketimet një përdorimëshe dhe ato të tipit “merre dhe ik” (to-go) që kryesisht janë nga plastika apo edhe fakti që dorëzat apo edhe disa maska kanë përmbajtje të plastikës, dhe po ashtu dezinfektuesit janë kryesisht në paketime plastike. Për shkak të qëndrimit të gjatë në shtëpi, është raportuar po ashtu edhe për një rritje të sasisë së mbeturinave organike, që ka ardhur si rezultat i të ushqyerit në kushte shtëpie, ku njerëzit kishin kohë më shumë për të gatuar ushqim.

Rënia e potencialit të riciklimit të mbeturinave

Një tjetër ndikim negativ mjedisor gjatë kohës së pandemisë ka qenë edhe rënia e potencialit të riciklimit të mbeturinave, për faktin se shumë vende të botës në përpjekje për tu adaptuar në kushtet e pandemisë kanë ndaluar implementimin e programeve të riciklimit të mbeturinave, apo edhe kanë marrë masa në reduktimin e stafit të angazhuar në këtë sektor.  

Rritja e shkarkimeve në ujë

Qëndrimi i gjatë në shtëpi dhe kushtet e mbajtjes së higjienës të diktuara nga situata pandemike kanë ndikuar në rritjen e shpenzimit të ujit, por edhe për rritjen e shkarkimeve të kimikateve në ujëra. Kjo ka ardhur si rezultat i rritjes së përdorimit të sapunëve dhe kimikateve tjera për larjen e duarve dhe mbajtjen e higjienës apo edhe për shkak të rritjes së përdorimit të dezinfektuesve.  Madje në disa vende ka pasur raste kur gjatë trajtimit të ujërave janë përdorur kimikate shtesë në përpjekje për të parandaluar përhapjen e virusit COVID-19 nëpërmjet ujërave të shkarkuara.

Reduktimi i buxhetit dhe e projekteve në sektorin e mjedisit

Për shkak se qeveritë e vendeve të ndryshme është dashur të ridestinojnë buxhetin për të luftuar përhapjen e COVID-19, ka pasur reduktim të buxhetit për sektorët tjerë përfshirë edhe buxhetin e dedikuar për mjedisin. Në rastin e Kosovës, buxheti për projektet kapitale mjedisore është reduktuar deri në 50 %, ndërsa në nivelin global ka pasur rënie të investimeve në sektorin e energjisë së ripërtrishtme e sidomos në energjinë e erës dhe atë solare. Indikacione tjera që flasin për reduktimin e investimeve në sektorin e mjedisit ishin edhe fondet e donatorëve që gjatë kësaj periudhe kishin një tendencë të orientimit drejt masave parandaluese për luftimin e pandemisë. Po ashtu janë raportuar edhe probleme për përfundimin e projekteve që ishin në proces të implementimit për shkak të pamundësisë së udhëtimeve të stafit implementues të projektit.

Përvojat e fituara nga pandemia

Duke marrë për bazë ndikimet pozitive po edhe ato negative me të cilat është përballur mjedisi gjatë fazë së pandemisë, mundë të nxjerrim disa mësime shumë të rëndësishme për të ardhmen.

Humbja e jetëve të njerëzve dhe problemet shëndetësore që janë paraqitur gjatë pandemisë, kanë ndikuar në rritjen e vetëdijësimit të njerëzve për rëndësinë që ka mjedisi i pastër për shëndetin. Njerëzit e kanë kuptuar se reduktimi i ndotjes dhe mbrojtja e burimeve natyrore është e ndërlidhur ngushtë me ruajtjen e shëndetit.

Është vërejtur qartë se reduktimi i aktiviteteve të njeriut që janë të orientuara në shfrytëzimin e burimeve të energjisë me bazë fosile është esenciale për të parandaluar ndryshimin e klimës dhe për të përmirësuar cilësinë e ajrit. Pas një kohe të gjatë, për herë të parë në dekadën e fundit e kemi parë mjedisit duke “i shëruar” pasojat e ndikimit njerëzor.

Nga shumë ekspertë është vlerësuar se përmes kësaj pandemie natyra është duke i dërguar sinjale të qarta njerëzimit se shkatërrimi i mjedisit ka arritur kulminacionin dhe se është koha e fundit që të veprohet për të ndaluar shkatërrimin e jetës në tokë.

Afrim Berisha, PhD i Shkencave të Mjedisit