Ndihmëstrajneri i Milanit, Marco Landucci, këmbëngul se skuadra nuk ishte “me fat” mbrëmjen e sotme për shkak të dëmtimeve, shtyllave dhe golit të Parmës të dhënë pas rishikimit me VAR. “Topi thjesht nuk donte të hynte.”
Milani ishte i pamposhtur që nga java e parë kundër Cremonese, me një seri prej 24 ndeshjesh pa humbje, si dhe kishte shënuar në 19 paraqitjet e fundit në Serie A.
Të dyja këto seri u ndërprenë në “San Siro”, pasi kuqezinjtë nuk shfrytëzuan rastet e tyre – më i spikaturi ishte goditja fluturimthi e Rafael Leao që u përplas në brendësi të shtyllës – dhe u ndëshkuan në fund nga një gol me kokë i Mariano Troilo pas një goditjeje nga këndi.
Goli fillimisht u anulua për faull ndaj Mike Maignan, por rishikimi me VAR tregoi se Emanuele Valeri kishte penguar portierin pa kryer shkelje.
“Nuk jemi të kënaqur, natyrisht,” tha Landucci për “Sky Sport Italia”, duke zëvendësuar të pezulluarin Massimiliano Allegri.
“Parma luajti shumë mirë dhe topi thjesht nuk donte të hynte për ne sonte. Donim tre pikët, kështu që sigurisht ndihemi të zhgënjyer, por do të rikthehemi që nga e marta.”
Ndeshja nisi keq për Milanin, pasi Ruben Loftus-Cheek u largua me barrelë pas një përplasjeje të fortë me Edoardo Corvi në minutat e para. Ai nuk humbi ndjenjat, por raportohet se ka dëmtuar disa dhëmbë dhe ka pësuar prerje në fytyrë.
“Mendoj se Serie A është liga më e vështirë në botë, sepse është shumë e balancuar dhe çdo ndeshje fsheh rreziqe,” shtoi Landucci.
“Ka ndeshje që thjesht nuk shkojnë sipas planit. Sot, Gabbia u lëndua në nxehje dhe u detyruam të ndryshonim në momentin e fundit, pastaj Loftus-Cheek u dëmtua menjëherë. Ishte një mbrëmje paksa e pafat.”
Ky rezultat, së bashku me barazimin 1-1 në mesjavë ndaj Como, bën që Milani të mbetet 10 pikë pas liderit të Serie A, Inter.
“Skuadra ishte e zhgënjyer, ne u përpoqëm t’i qetësonim. Nuk duhet të mendojmë për të tjerët, por për rrugëtimin tonë dhe të marrim sa më shumë pikë të jetë e mundur. Objektivi ynë është të rikthehemi në Ligën e Kampionëve.”
Fundjava nuk ishte krejtësisht negative, pasi edhe Napoli dhe Juventus humbën në garën për top katërshe, ndërsa Como dhe Atalanta janë rikthyer fuqishëm në garë.
Edhe pse kuqezinjtë ishin të pamposhtur që nga java e parë kundër Cremoneses, ata kanë humbur pikë vazhdimisht ndaj skuadrave më modeste, duke barazuar me Pisan, Parmën, Sassuolon, Genoan dhe Fiorentinan.
“Kjo skuadër ka marrë shumë pikë me këtë qëndrim, por kur nuk vjen rezultati, natyrisht të gjithë mund të kritikojnë. Parma luftoi për çdo top, ishte e vendosur, ne ishim të pafat, por ky është futbolli”, e mbylli ai./GazetaExpress/