Ndihma ndaj të tjerëve, edhe vetëm disa orë në javë, mund të ngadalësojë humbjen e kujtesës dhe të ulë rrezikun e demencës, sugjeron një studim i madh shkencor.
Sipas hulumtimit, kryerja e veprimeve të thjeshta bamirësie — nga vullnetarizmi i organizuar deri te ndihma për miq apo fqinjë — mund të ngadalësojë rënien e funksioneve njohëse me 15 deri në 20 për qind.
Shkencëtarë nga Universiteti i Teksasit në Austin ndoqën për rreth 20 vjet mbi 30 mijë amerikanë të moshës 51 vjeç e lart, duke vlerësuar rregullisht kujtesën dhe aftësitë e të menduarit përmes intervistave telefonike.
Pjesëmarrësit iu nënshtruan tre testeve që matnin kujtesën e menjëhershme, kujtesën e punës dhe shpejtësinë e përpunimit mendor. Një rezultat më i lartë i kombinuar tregonte shëndet më të mirë të trurit.
Studiuesit analizuan dy forma ndihme
Vullnetarizmin formal, si puna në organizata bamirëse, komunitare, fetare apo shëndetësore;
Ndihmën informale, që përfshin mbështetjen pa pagesë për miq, fqinjë apo të afërm me të cilët nuk jetonin bashkë.
Rezultatet treguan se personat që ndihmonin të tjerët në cilëndo nga këto forma përjetonin një rënie njohëse 15–20 për qind më të ngadaltë krahasuar me ata që nuk ndihmonin fare.
Përfitimi më i madh u vu re te ata që ndihmonin vetëm dy deri në katër orë në javë.
“Veprimet e përditshme të mbështetjes — qofshin të organizuara apo personale — mund të kenë ndikim afatgjatë,” tha Dr. Sae Hwang Han, profesor i asociuar i Zhvillimit Njerëzor dhe Shkencave Familjare, i cili udhëhoqi studimin.
Ai theksoi se përfitimet nuk ishin të përkohshme:
“Ajo që ra më shumë në sy ishte se përfitimet njohëse nga ndihma ndaj të tjerëve nuk ishin vetëm afatshkurtra, por kumulative me kalimin e kohës, për sa kohë angazhimi vazhdon.”
Dr. Han shtoi se ndihma informale shpesh nënvlerësohet për shkak të mungesës së njohjes shoqërore, por studimi tregoi se ajo ofron përfitime njohëse të krahasueshme me vullnetarizmin formal.
Ky studim mbështetet në kërkime të mëparshme të ekipit të tij, të cilat treguan se vullnetarizmi mund të neutralizojë efektet e dëmshme të stresit kronik mbi inflamacionin — një proces biologjik i lidhur ngushtë me rënien njohëse dhe demencën.
Në atë studim, efekti mbrojtës ishte më i fortë te personat me nivele më të larta inflamacioni, duke sugjeruar se njerëzit me shëndet më të brishtë mund të përfitojnë edhe më shumë nga mundësitë për të ndihmuar të tjerët.
Studimi i fundit, i publikuar në revistën Social Science & Medicine, e përkufizoi vullnetarizmin formal si punë pa pagesë të kryer gjatë 12 muajve të fundit për organizata fetare, arsimore, shëndetësore ose bamirëse. Ndihma informale u vlerësua duke pyetur pjesëmarrësit nëse kishin ndihmuar miq, fqinjë ose të afërm pa pagesë.
Pjesëmarrësit u pyetën gjithashtu për kohën e kushtuar ndihmës, përfshirë nëse ajo ishte më pak apo më shumë se 100 orë në vit.
Studiuesit pranuan se një kufizim i studimit ishte mungesa e detajeve mbi llojet specifike të aktiviteteve që kryenin pjesëmarrësit.
Gjetjet vijnë në një kohë kur rastet e demencës janë në rritje të vazhdueshme. Në Mbretërinë e Bashkuar, rreth një milion persona aktualisht jetojnë me demencë, ndërsa parashikimet tregojnë se ky numër mund të arrijë 1.4 milion deri në vitin 2040.
Edhe pse demenca nuk ka kurë, diagnoza e hershme mund të ndihmojë në ngadalësimin e përparimit dhe menaxhimin e simptomave, të cilat përfshijnë humbje kujtese, vështirësi përqendrimi, ndryshime humori dhe probleme në ndjekjen e bisedave.
Provat gjithnjë e më të shumta sugjerojnë se ndryshime në shikim, dëgjim, shije, ndjeshmëri dhe ekuilibër mund të shfaqen vite përpara simptomave klasike. Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se problemet me orientimin hapësinor — si qëndrimi shumë afër njerëzve të tjerë — mund të shfaqen deri 20 vjet më herët.
Sipas Alzheimer’s Society, demenca i kushton Mbretërisë së Bashkuar rreth 42 miliardë paund në vit, me barrën kryesore që bie mbi familjet. Kjo shifër pritet të rritet në 90 miliardë paund brenda 15 viteve.
Një analizë e veçantë nga Alzheimer’s Research UK tregoi se në vitin 2022, 74,261 persona humbën jetën nga demenca, krahasuar me 69,178 një vit më parë — duke e bërë atë shkakun kryesor të vdekjeve në vend.
Përfundimi i studimit është i qartë: ndihma ndaj të tjerëve nuk është vetëm akt human — ajo mund të jetë edhe një strategji e fuqishme për të mbrojtur trurin dhe për të ngadalësuar plakjen mendore. /GazetaExpress/